Ekipi i ish liderit të ndjerë të opozitës ruse, Aleksei Navalny ka publikuar një hetim ku pretendon se presidenti rus Vladimir Putin është pronar i një vile luksoze mbi një shkëmb në Krime, me vlerë mbi 100 milionë euro.
Kompleksi ndodhet në Kepin Aya, disa kilometra në jug të Sevastopolit, dhe përfshin dy ndërtesa madhore, një mol privat, plazh artificial dhe heliport.
Sipas hetimit, rezidenca ishte ndërtuar fillimisht për ish-presidentin ukrainas Viktor Yanukovych, por pas pushtimit rus të Krimesë në vitin 2014 dhe rrëzimit të tij, prona u sekuestrua nga autoritetet ruse dhe përfundoi në përdorim të Putinit. Ndërtesa kryesore shtrihet në rreth 9.000 metra katrorë, ndërsa një e dytë pranë detit rreth 5.000 metra katrorë.
Ambienti i brendshëm përshkruhet si jashtëzakonisht luksoz: dy suita kryesore prej 240 metrash katrorë secila, me banjo private prej 50 metrash katrorë, jakuzzi dhe shkallë të arta, si dhe vaskë luksoze me vlerë dhjetëra mijëra euro. Sipas ekipit të Navalnyt, vila ka edhe dhoma të rezervuara për Alina Kabaevën, ish-gjimnaste dhe partneren e përfolur të Putinit, si dhe për dy fëmijët e tyre.

Fotot satelitore tregojnë një skelë private dhe një plazh artificial me rërë të bardhë, ndërsa një pistë helikopterësh ndodhet më lart. Kompleksi përfshin gjithashtu një spital privat me sallë operacioni, pajisje mjekësore moderne, dhomë krioterapie dhe një kinema private me tetë vende.
Financimi, sipas hetimit, është siguruar nga një rrjet oligarkësh pranë Kremlinit, përmes kompanive fiktive.









