HomeAktualitetTë gjitha ndryshimet që nisin nga 1 janari/Nis zbatimin “Paqja Fiskale”, brenda...

Të gjitha ndryshimet që nisin nga 1 janari/Nis zbatimin “Paqja Fiskale”, brenda vitit do fshihen 2 mld € borxhe, përfitojnë rreth 200 mijë biznese

Advertismentspot_img

Nis nga 1 janari 2026 zbatimi i paketës fiskale, që përfshin 6 ligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, ndër më kryesore janë marrëveshja për paqen fiskale, fshirjen e detyrimeve të bizneseve në tatime dhe dogana, kompensimi 10% i TVSH për fermerët, ulja e pragut të përdorimit të parasë cash nga individët etj.

Marrëveshja e paqes Fiskale, Si do aplikohet nga janari

Nga 1 janari 2026 nis zbatimin edhe ligji “Për marrëveshjen e paqes Fiskale”, pavarësisht kundërshtimeve të shprehura nga Bashkimi Europian (BE), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham), që nisma pritet të nxisë pastrimin e parave dhe të kapitalit të dyshimtë.

Ligji i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë mundëson nënshkrimin e një marrëveshje mes biznesit të madh me të ardhura bruto mbi 14 mln lekë në vit dhe administratës tatimore për parapagimin e tatimfitimit.

Vullnetarisht në këtë marrëveshje me administratën tatimore, mund të hyjë çdo biznes i rregullt qoftë persona fizik apo entitet. Të përjashtuar nga e drejta për të hyrë në marrëveshje me administratën tatimore janë bizneset që ndaj tyre është hapur çështje penale për mashtrim apo evazion fiskal.

Gjatë kësaj marrëveshje me afat 1 vjeçar (me të drejta rinovimi deri 2 herë),  biznesit me të ardhura bruto mbi 14 mln lekë në vit, do t’i llogaritet parapagimi i tatimit mbi një bazë të tatueshme të rritur. Pra biznesi nuk do të parapaguajë një tatim të çfarëdoshëm, por që do të llogaritet mbi bazën e tatueshme e përbërë nga fitimi i tatueshëm i vitit të mëparshëm plus 18% rritje. Nëse fitimi i vërtetë në fund të vitit tejkalon kufirin (duke llogaritur fitimin e vitit të mëparshëm plus një marzh shtesë prej 18%), mbi këtë shtesë do të paguhet 5%.

Pra në thelb marrëveshja nuk e ndryshon normën e tatim fitimit që është 23% për bizneset me të ardhura neto mbi 14 mln lekë , por rrit bazën e tatueshme, pasi tatimi do të llogaritet mbi fitimin e vitit të kaluar plus një marzhi shtesë prej 18% . Vetëm për fitimin që tejkalon këtë nivel të vlerësuar, paguhet një tatim shtesë 5%.

Në këmbim, bizneset do të përfitojnë moskryerje të kontrolleve tatimore për periudhën e zbatimit të marrëveshjes.

Por bizneset që do të kërkojnë të hyjnë vullnetarisht në marrëveshje me administratën tatimore për parapagimin e tatimit dhe korrigjimin e pasqyrave financiare  fillimisht do të duhet të dorëzojnë kërkesë online përmes platformës e-Filing.

Ministri i Financave Petrit Malaj më herët në takimin me sipërmarrjen për paketën fiskale 2026 tha se kërkesa e biznesit për marrëveshjen e paqes fiskale me administratën tatimore pasi të shqyrtohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT), do t’i delegohet drejtorive rajonale tatimore. Procedura nis në muajin janar, ndërsa pritet që Ministria e Financave të miratojë udhëzimet përkatëse për zbatimin e procedurave.

Përveç parapagimit të tatimit kundrejt moskontrollit tatimor për 1 vit, bizneset e mëdha që do të lidhin marrëveshjen e Paqes Fiskale me administratën tatimore, gjithashtu do të kenë mundësinë të rideklarojnë pasqyrat financiare të 5 viteve të fundit, kundrejt tatimit 5%.

Tatimi 5% do të aplikohet për ndryshime të tilla si: rivlerësimi i gjendjes së parasë cash, fshirja e aktiveve apo detyrimeve fiktive, deklarimi i pasurive të pa treguara më parë, rideklarimi i fitimeve të mbartura dhe shpërndarja e tyre si dividentë.

Për të gjitha këto raste nuk do të ketë gjoba, interesa apo kamatëvonesa, me kusht që tatimpaguesi të deklarojë paraprakisht se do të përfitojë nga marrëveshja.

Përjashtim për hyrjen në marrëveshje me tatimet, në këmbim të moskryerjes së kontrollit, do të bëjnë bizneset ndaj të cilëve janë hapur çështje penale për mashtrim apo evazion.

Nis zbatimin “Paqja Fiskale”, brenda vitit do fshihen 2 mld € borxhe, përfitojnë rreth 200 mijë biznese

Ligji i fshirjes së borxheve, që zyrtarisht i ka efektet nga 1 janari 2026 deri më 31 dhjetor, parashikon që brenda kësaj periudhe të fshihet çdo detyrim i para 2014-ës.

Brenda këtij viti administrata tatimore dhe ajo doganore duhet të fshijnë nga bilancet e tyre, çdo borxh që kanë bizneset, të cilat janë krijuar përpara 31 dhjetorit të vitit 2014. Nga kjo nismë e qeverisë që u miratua më 12 dhjetor të vitit që lamë pas preken gati 2.1 miliardë euro detyrime të papaguara në dekada, dhe përfitojnë më shumë se 200 mijë biznese debitorë.

Janë gati 1 miliardë euro detyrime të krijuara nga vitet 90’ deri në fund të 2014-ës që do të fshihen brenda 31 dhjetorit 2026. Këtu përfshihet dhe falja e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet e papaguara të sigurimeve deri në 2014-ën.

Ndërsa borxhet tatimore dhe doganore 2015-2024 do të lehtësohen vetëm nëse paguhen detyrimet. Nëse 50 përqind e borxhit të krijuar nga janari 2015 deri më 31 dhjetor të vitit 2020, paguhet menjëherë deri në qershor 2026, gjysma tjetër falet, bashkë me gjobat e kamatat. Nëse pagesa bëhet me këste, deri në fund të dhjetorit 2026, do të falet vetëm 25 përqind e detyrimit.

Kategoria tjetër me borxhe nga 1 janari 2020 e deri në fund të dhjetorit 2024, do të përfitojnë falje të gjobave dhe kamatave nëse i paguajnë të gjitha detyrimet tatimore brenda vitit 2026.

Kurse për detyrimet për sigurimet shoqërore, do të falen gjobat e kamatat e 10-vjeçarit të fundit (2015-2024)  nëse bizneset do të paguajnë 100% të kontributit brenda datës 31 dhjetorit 2026.

Ky ligj i cili parashikohet ta ketë jetëgjatësinë vetëm për 2026-ën, parashikon gjithashtu se pasi të pastrohen bilancet dhe bizneset të çlirohen nga këto detyrime, të bëjë publike përfituesit më të mëdhenj të tij.

Brenda datës 31 janar 2027 organet tatimore dhe doganore do të publikojnë në faqen zyrtare të institucionit, listën e plotë të 3000 tatimpaguesve që kanë përfituar nga ky ligj. Në nenin 3 pika ç thuhet se në listë do të përfshihen të gjithë subjektet, të cilave u është fshirë detyrimi jo më i vogël se 5 milionë lekë./Shqiptarja.com

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular