Donald Trump ka paralajmëruar udhëheqësen e re të Venezuelës, Delcy Rodríguez, se ajo mund të “paguajë një çmim shumë të lartë, ndoshta edhe më të madh se Maduro”, nëse “nuk bën atë që është e drejtë”
Deklaratat e tij për revistën amerikane The Atlantic vijnë në një kohë kur presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolás Maduro, pritet të dalë të hënën para një gjykate në Nju Jork.
Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Maduron, i cili përballet me akuza për trafik droge dhe vepra penale që lidhen me armët, se ka drejtuar një regjim “narko-terrorist”, akuza që ai i mohon.
Rodríguez, e cila më parë ka shërbyer si zëvendëspresidente e Maduron, mbajti një ton pajtues në mbledhjen e saj të parë të kabinetit të dielën, duke ofruar bashkëpunim me SHBA-në. “Ne e ftojmë qeverinë amerikane të bashkëpunojë me ne në një axhendë bashkëpunimi të orientuar drejt zhvillimit të përbashkët, brenda kornizës së së drejtës ndërkombëtare”, deklaroi ajo.
E mbështetur nga Gjykata e Lartë e Venezuelës dhe ushtria, Rodríguez pritet të betohet si presidente të hënën në Karakas.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka këmbëngulur se SHBA-ja nuk është në luftë me Venezuelën, pasi sulmet ajrore në Karakas të shtunën çuan në arrestimin e Maduron dhe bashkëshortes së tij dhe transportimin e tyre në SHBA. Megjithatë, disa ligjvënës demokratë e cilësuan operacionin si një “akt lufte”.
Në intervistën për The Atlantic, Trump tha për Rodríguez: “Nëse ajo nuk bën atë që është e drejtë, do të paguajë një çmim shumë të lartë, ndoshta edhe më të madh se Maduro”.
Ai shtoi se për Venezuelën, “ndryshimi i regjimit, ose si të doni ta quani, është më i mirë se ajo që keni tani. Nuk mund të bëhet më keq”.
Të shtunën, Trump ishte zotuar se SHBA-ja do ta “drejtojë” vendin derisa të jetë e mundur një “tranzicion i sigurt, i rregullt dhe i matur”, shkruan BBC.
Trump gjithashtu premtoi se kompani amerikane të naftës do të hyjnë në Venezuelë për të rregulluar infrastrukturën dhe për të “filluar të gjenerojnë të ardhura për vendin”.
Pavarësisht deklaratave të presidentit amerikan, aleatët e Maduron vazhdojnë të mbajnë pozita kyçe pushteti.
Qeveria kubane ka njoftuar se 32 “luftëtarë trima kubanë” humbën jetën gjatë operacionit të forcave amerikane për kapjen e Maduron dhe bashkëshortes së tij. Kuba, aleate e vjetër socialiste e Maduron, ka shpallur dy ditë zie kombëtare.







