nga Agron Haxhimali
Kapja dhe arrestimi i Nicolás Maduro nga Shtetet e Bashkuara përbën pa dyshim një ngjarje të rëndësishme politike dhe gjeopolitike. Ajo prek drejtpërdrejt konceptin e sovranitetit shtetëror, rolin e juridiksionit ekstraterritorial amerikan dhe funksionimin real të institucioneve që pretendojnë se qeverisin rendin ndërkombëtar. Megjithatë, mënyra se si kjo ngjarje po interpretohet nga disa, në media shqiptare si shenjë e “ndryshimit të rendit botëror” kërkon një ndalesë serioze reflektimi.
Në analizën ndërkombëtare serioze, kjo ngjarje nuk po trajtohet si një pikë kthese sistemike globale. Diskutimi fokusohet te precedenti ligjor, pasojat rajonale në Amerikën Latine, tensionet mes SHBA-së dhe vendeve të tjera, si dhe te roli gjithnjë e më dominues i fuqisë amerikane në zbatimin e drejtësisë sipas standardeve të saj. Askund nuk flitet me seriozitet për “fundin” apo “ndryshimin” e rendit botëror.
Kjo nuk është hera e parë që analistë dhe gazetarë në median shqiptare reagojnë në këtë mënyrë. E njëjta gjuhë u përdor edhe pas ngjarjeve të 11 Shtatorit 2001 kur u goditën kullat binjake ne New York.Atëherë, diskursi publik u mbush me deklarata se “bota nuk do të jetë më e njëjtë” dhe se “rendi botëror po shembej”. Sot, me kete distancës historike, e dimë se ajo që ndryshoi nuk ishte rendi botëror, por politikat e sigurisë, ndërsa rendi ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-të jo vetëm që nuk u dobësua, por u forcua më shumë.
Problemi qëndron te përdorimi i lehtë dhe shpesh emocional i konceptit “rend botëror”. Në analizë politike, rendi botëror nuk ndryshon nga një ngjarje e vetme, sado e madhe të jetë ajo. Ai ndryshon vetëm përmes proceseve të gjata historike: luftërave botërore, kolapsit të perandorive, krizave ekonomike globale të kombinuara me konflikte të mëdha, ose zhvendosjeve strukturore të balancës së fuqisë për dekada me radhë.
Arrestimi i një lideri shtetëror nuk është një ngjarje transformuese sistemike; është një simptomë e tensioneve ekzistuese në rendin aktual. Ai tregon për një erozion gradual të normave tradicionale të sovranitetit dhe për një rend ndërkombëtar gjithnjë e më asimetrik, ku fuqitë e mëdha veprojnë shpesh mbi rregullat, jo përmes tyre.
Narrativa e “rendit të ri botëror” në media shpesh buron nga tre faktorë: inflacioni i koncepteve, mungesa e dallimit mes ngjarjes së madhe dhe asaj epokë-formuese, si dhe një psikologji periferike që e sheh botën vazhdimisht në prag kolapsi. Kjo qasje krijon më shumë konfuzion sesa kuptim dhe ushqen alarmizëm, jo debat të shëndetshëm publik.
Nëse ka diçka që kjo ngjarje na mëson, nuk është se rendi botëror po ndryshon, por se ai po konsumohet ngadalë, në mënyrë selektive dhe të pabarabartë. Dhe kjo kërkon më shumë analizë të ftohtë, jo deklarata të bujshme.
Rendi botëror nuk rrëzohet nga një arrestim. Ai ndryshon vetëm kur historia detyrohet ta bëjë këtë.







