Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë në një deklaratë për mediat këtë të martë, ku e krahasoi situatën në vendin tonë me atë në Venezuelë. Ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama, që të japë dorëheqjen, para se ta heqin edhe atë si Nicolas Maduron.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare, pavarësisht nga pretendimet e Edi Ramës se nuk ka vend për ndërhyrjen e Delta Forcës, pasi sipas tij, Shqipëria nuk është Venezuelë dhe nuk ka naftën e Venezuelës, e vërteta është se Shqipëria, në disa aspekte është Venezuelë tipike. Nuk ka rezervat botërore të naftës, por Ramaduro dhe Maduro janë si një pikë uji të pistë të ndarë në mes. Rama udhëheq kartelet më të fuqishme të kokainës në Europë, kartelin Çopja, kartelin Troplioni, kartelin Çela- i heroinës kryesisht ky i fundit. Rama është faktuar se njëlloj si Ramaduro arreston kundërshtarët politikë, përdor institucionet për shtypjen e pluralizmit. Edi Rama, njëlloj si Ramaduro, i ka familjarët e zhytur në drogë. Ai të shoqen, ky vëllain. Olsin, me dokumente. Rama, njëlloj si Ramaduro ka varfëruar shqiptarët në shkallë të pabesueshme. Nga njerëzit më të paguar në vitin 2013 në rajon, janë sot njerëzit më të keqpaguar në rajon. Ramaduro njëlloj si Maduro përzë qytetarët nga vendi i vet. 40 përqind e shqiptarëve kanë ikur gjatë regjimit të Ramës kundrejt 20 përqind në rastin e Venezuelës.”, tha Berisha, duke i bërë thirrje kryeministrit Rama të japë dorëheqjen vetë. Pasi në të kundërtën do e heqin si Maduron.
“Ndaj dhe i them edhe njëherë jep dorëheqjen menjëherë. Jep dorëheqjen sepse do të tërheqin dhe mos harro kurrë 20 shkurtin se çfarë dinë të bëjnë shqiptarët me kultet e rreme, me kultet satanike. Pra, jep dorëheqjen.”, shtoi ai.
Protesta e radhës para datës 20 shkurt
Po ashtu, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Berisha u shpreh se protesta e radhës e Partisë Demokratike do të zhvillohet para datës 20 shkurt.
“Do përcaktohet, por ka mundësi para datës. Nuk është përcaktuar. Sot fillojnë konsultimet. Do përcaktohet, do ketë njoftim. Por do ketë pa diskutim protestë. Nuk ka, nuk heqim dorë ne. Ne jemi tani, e kemi thënë edhe më para ne këtë, strategjia jonë është protesta.”, iu përgjigj ai pyetjes së gazetarëve, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen.
“Pa qeveri teknike nuk ka zgjedhje të drejta”
Gjatë fjalës së tij, Berisha renditi dhe kërkesat e opozitës, duke ngulur këmbë në krijimin e një qeverie teknike, pasi sipas tij, ndryshe nuk mund të zhvillohen zgjedhje të lira.
“Së pari, pa qeveri teknike për të përgatitur zgjedhjet, në zgjedhje nuk shkohet. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Ne e kemi deklaruar këtë dhe kjo është një e vërtetë e faktuar tashmë. E faktuar jo vetëm nga ne, por dhe nga komuniteti ndërkombëtar, vëzhguesit e zgjedhjeve. Ndaj dhe PD dhe opozita, kërkon largimin e Edi Ramës, kërkon një qeveri teknike e cila të përgatisë një proces zgjedhor të drejtë. Kjo është kërkesa jonë.”, tha Berisha.
Ai shtoi se për emrat që do duhet të formojnë këtë qeveri teknike, do të flasin në një moment të dytë.
“Rama e Balluku po bllokojnë proceset gjyqësore”
Gjatë kësaj deklarate për shtyp, Berisha e ka akuzuar kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij për shkatërrim dhe manipulim dokumentesh, me qëllim, sipas tij, pengimin e proceseve gjyqësore.
Berisha u shpreh se, sipas tij, në institucione të ndryshme shtetërore po punohet për asgjësimin dhe falsifikimin e dokumenteve, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të mbuluar abuzime të rënda financiare.
“Në epiqendrën e krimit të organizuar në Shqipëri, në Ballkan dhe në Europë, ndërtesën e Ramaduros, makineria e manipulimit, shkatërrimit, asgjësimit, falsifikimit të dokumenteve punon me tre turne. Lubi Balluku dhe Edi Rama kanë mobilizuar grupe të tëra me të cilat shkatërrojnë, falsifikojnë, manipulojnë dokumente si në dikasteret dhe agjencitë në varësi të Lubisë, ashtu dhe në AKSHI-n e familjes Rama.
Ndaj dhe po bëhet gjithçka për të bllokuar proceset gjyqësore të një rëndësie të jashtëzakonshme, shqyrtimi i dosjeve të gjertanishme nxjerr vjedhjen dhe shpërdorimin e 1.2 miliardë eurove nga Rama dhe Balluku në sektorin e infrastrukturës dhe të paktën 700 milionë euro në kopshtin privat të Edi Ramës me 530 prokurime sekrete, nga të cilat të gjitha direkt apo me prestanome për baxhanakun e floririt apo kunatin e florinjtë të Linda Ramës dhe baxhanakun e florinjtë të Edi Ramës. Këto janë akte jashtëzakonisht të rënda dhe antikushtetuese. Edi Rama me makinërinë e tij të shkatërrimit të dokumenteve, falsifikimit dhe manipulimit, nuk mund të fshehë kurrë mbi 500 e sa kontrata sekrete të firmosura nga Linda e AKSHI-t me porosi të Lindës së Surrelit për kunatin e florinjtë. Nuk fshihen ato.”, tha Berisha.
Po ashtu gjatë fjalës së tij, Berisha tha se u bën thirrje të gjitha partive opozitare që t’i bashkohen protestave.
Sipas tij, ka ardhur koha “për të krijuar një front të gjerë opozitar” dhe të bashkërendojnë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë goditjen përfundimtare qeverisë së Edi Ramës.







