Në javët e fundit të dhjetorit, të paktën pesë anëtarë i janë larguar Bursës Shqiptare të Energjisë (ALPEX).
Në faqen e saj të internetit janë bërë njoftimet se kërkesat e dorëheqjes janë pranuar për secilin prej tyre dhe se ato nuk do të jenë më pjesë e bursës nga 31 dhjetori 2025. Konkretisht, bëhet fjalë për ish-anëtarët AI EnergyX sh.p.k, Energy Commodities sh.p.k, Infinit Energy Dooel – Dega në Kosovë, Infinit Power Solutions sh.p.k dhe GLOBAL TECHNICAL MECHANICS sh.p.k.
Sipas kuadrit ligjor, anëtarët e Bursës mund të bëhen pjesë e saj përmes plotësimit të një sërë kushtesh dhe, po kështu, të kërkojnë daljen nga ajo pas përmbushjes së disa kërkesave të tjera. Konkretisht, procedura lidhur me dorëheqjen nga statusi i Anëtarit të Bursës parashikon si kusht të parë plotësimin e një formulari standard të dorëheqjes, të ofruar nga ALPEX-i.
“Në datën efektive të dorëheqjes së dhënë nga Anëtari i Bursës në formularin standard të dorëheqjes, ALPEX-i do të çaktivizojë Anëtarin e Bursës nga ETSS dhe nuk do ta lejojë Anëtarin e Bursës të vendosë porosi në ETSS për Ditën e Livrimit që korrespondon me datën efektive të dorëheqjes. Nga kërkesa për dorëheqje deri në Datën Efektive të dorëheqjes, Anëtari i Bursës duhet të përmbushë të gjitha detyrimet kundrejt ALPEX-it, sipas Rregullave të Tregut të Energjisë Elektrike, Kushteve të Përgjithshme dhe Procedurave”, thuhet në vendimin teknik të ALPEX.
Nëse Bursa nuk e pranon kërkesën e dorëheqjes, ajo do të japë një përgjigje të arsyetuar, ndërsa nëse e pranon, do të njoftojë me shkrim Anëtarin e Bursës duke specifikuar kohën kur dorëheqja hyn në fuqi.
Aktualisht, në Bursë janë të listuar të paktën 40 anëtarë për të dyja zonat e tregtimit, Shqipëri dhe Kosovë, ndërkohë që janë gjithsej 5 anëtarë klerimi në total për Shqipërinë dhe Kosovën. Bursa e energjisë nisi operimin në prill 2023, teksa për Kosovën kjo u bë efektive vetëm në vitin 2024.







