HomeOP EDDirektiva e re kundër korrupsionit e BE dhe Shqipëria në udhëkryq… nga...

Direktiva e re kundër korrupsionit e BE dhe Shqipëria në udhëkryq… nga ZEF PREÇI

Advertismentspot_img

ZEF PREÇI

Në direktivat dhe politikat e fundit të BE pritet një sqarim më i plotë i korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, si dhe harmonizimi i përkufizimeve të veprave penale të lidhura me këto vepra penale në të gjitha shtetet anëtare.

Në të vërtetë, ky zhvillim i javëve të fundit të 2025 bie ndesh, madje shkon në kahjen kundërt, si me “faktet” e servirura me porosi në shtypin shqiptar mbi mundësinë e dekriminalizimit të kësaj vepre penale (shpërdorimit të detyrës zyrtare) nëpërmjet Kodit Penal të ri, që është në procedurë shqyrtimi në Kuvend, ashtu edhe me demagogjinë e KM Rama për “rekomandimet” e supozuara të Këshillit të Europës apo të Komisionit Europian për hapat që duhen hedhur në lehtësimin e pozitës juridike të zyrtarëve të lartë të qeverisë së tij në rastet e shumta të dyshuar e në hetim për shpërdorim detyre dhe/ose për korrupsion.

Fjala është për një marrëveshje politike të BE të arritur rreth një muaj më parë (më 2 dhjetor 2025) midis Parlamentit të BE-së dhe Këshillit të BE-së mbi rregullat e para të harmonizuara të së drejtës penale për të luftuar korrupsionin në BE. Kjo marëveshje përfshin çështje të tilla kryesore si harmonizimi i veprave penale, dënime minimale të përbashkëta penale, përgjegjësinë e personave juridikë, bashkëpunimin e zgjeruar gjyqësor europian, mbrojtjen e sinjalizuesve dhe dëshmitarëve etj.. Këto çështje pritet të formalizohet së afërmi në një direktivë të posaçme të BE kundër korrupsionit.

1. Rreth dallimit midis veprës penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në legjislacionin europian.

Në direktivat dhe politikat e fundit të BEsë, “korrupsion” është një term gjithëpërfshirës, që përfshin veprën penale më specifike të “shpërdorimit të pushtetit (ose funksioneve/ detyrës)”. Dallimi kryesor është se, ndërsa çdo shfaqje e korrupsionit përfshin një formë të abuzimit të pushtetit për përfitime private, “shpërdorimi i detyrës/funksioneve” është një vepër penale e dallueshme brenda kuadrit më të gjerë antikorrupsion, që nuk kërkon në çdo rast një përfitim të qartë dhe të drejtpërdrejtë material ose një shkelje të detyrave specifike zyrtare për një dënim.

2. Si përkufizohet korrupsioni në legjislacionin e BE?

Korrupsioni përkufizohet gjerësisht nga BE dhe nga organizatat ndërkombëtare si Transparency International si “abuzimi i pushtetit të besuar për përfitim privat (ose personal)”. Është një koncept i përgjithshëm që përfshin sjellje të ndryshme të paligjshme, duke përfshirë:

· Ryshfeti (si aktiv ashtu edhe pasiv)
· Përvetësim
· Ushtrim i ndikimit
· Pengimi i drejtësisë
· Pasurimi i paligjshëm
· Nepotizëm dhe kronizëm

3. Çfarë synon Direktiva e fundit e BE në lidhje me këto vepra penale?

“Abuzimi i pushtetit” (ose “abuzim i funksioneve” ose “abuzimi me detyrën”) është një vepër penale specifike e listuar brenda fushëveprimit të direktivës së re kundër korrupsionit. Ai përfshin një zyrtar publik që përdor autoritetin ose pozicionin e tij në mënyrë të papërshtatshme për të ndikuar në vendime ose për të fituar një avantazh të padrejtë, i cili mund të përfshijë:

· Veprimi ose mosveprimi në një mënyrë që shkel detyrat zyrtare.

· Keqpërdorimi i marrëdhënieve hierarkike ose të varësisë (psh., në administratën publike).

· Shkelja e të drejtave ose lirive themelore të qytetarëve (psh., ndalimi i paligjshëm, tejkalimi i kompetencave të policisë).

· Ushtrim i ndikimit në vendime përmes mjeteve të pandershme (psh., manipulimi i proceseve, devijimi i fondeve publike).

Pra, direktiva e fundit e BE për luftën kundër korrupsionit synon, se pari, të harmonizojë përkufizimet e këtyre veprave penale në të gjitha shtetet anëtare. Së dyti, arritjen e një marrëveshjeje për ta bërë shpërdorimin e detyrës një vepër penale të detyrueshme për të gjitha shtetet anëtare, një zhvillim aktual shumë i rëndësishëm kur dihet se disa vende anëtare si Italia e kishin dekriminalizuar më parë atë ose e kishin trajtuar vetëm si një kundërvajtje administrative.

4. Cilat janë rregullat e reja penale antikorrupsion të BE?

Më 2 dhjetor 2025, BE arriti një marrëveshje mbi rregullat kundër korrupsionit për të harmonizuar qasjen e ndjekur në të gjitha shtetet anëtare. Kjo marrëveshje formon themelin e një Direktive të ardhshme të BE-së. Pas negociatave të gjata dhe të vështira, më 2 dhjetor 2025 u arrit një marrëveshje vendimtare politike evropiane midis Parlamentit të BE dhe Këshillit të BE mbi rregullat e para të harmonizuara të së drejtës penale për të luftuar korrupsionin në BE. Pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje, e cila së shpejti duhet të formalizohet në një direktivë kundër korrupsionit (Direktiva e ardhshme), janë si më poshtë:

a) Harmonizimi i veprave penale: Direktiva e ardhshme do të prezantojë përkufizime uniforme të veprave penale të korrupsionit. Këto përfshijnë korrupsionin aktiv dhe pasiv si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, tregtinë e ndikimit, përvetësimin e paligjshëm të fondeve, abuzimin me funksionet nga një mbajtës i një detyre publike, pengimin e drejtësisë, fshehjen e të ardhurave nga korrupsioni, si dhe pasurimin e paligjshëm të nxjerrë nga këto vepra penale. Duke unifikuar veprat penale në këtë mënyrë, shkelësit pengohen të përfitojnë nga ndryshimet midis sistemeve ligjore kombëtare për t’i shpëtuar ndjekjes penale.

b) Dënime minimale të përbashkëta penale: Direktiva e ardhshme do të përcaktojë pragjet e dënimit me të cilat çdo vend do të duhet të përmbushë. Për personat fizikë, çdo vepër penale e korrupsionit do të duhet të shoqërohet me një dënim minimal me burg (psh. të paktën 3 vjet për vepra të caktuara penale dhe të paktën 5 vjet për format më të rënda). Legjislacioni kombëtar mund të parashikojë dënime më të rënda. Përveç kësaj, do të duhet të zbatohen dënime plotësuese: gjoba penale, ndalim i mbajtjes se posteve publike ose pjesëmarrja në kontrata publike, tërheqje e licencave ose subvencioneve të dhëna më parë, etj..

c) Përgjegjësia e personave juridikë: një pikë kryesore mosmarrëveshjeje ishte përgjegjësia penale e personave juridikë. Është arritur një marrëveshje për këtë pikë dhe çdo shtet anëtar do të duhet të parashikojë përgjegjësinë penale të kompanive, punonjësit ose drejtorët e të cilave kryejnë vepra penale korruptive për përfitimin e tyre, me dënime financiare të harmonizuara. Kompanitë fajtore do të përballen me gjoba deri në 3% deri në 5% të xhiros vjetore, ose të paktën 24 milionë deri në 40 milionë euro në varësi të shkalles të veprës penale.

d) Bashkëpunim i zgjeruar gjyqësor europian: Direktiva e ardhshme do të theksojë dimensionin ndërkufitar të luftës kundër korrupsionit. Autoritetet kombëtare do të duhet të bashkëpunojnë më ngushtë dhe të shkëmbejnë informacion për të gjurmuar rrjetet e korrupsionit pa u penguar nga kufijtë. Organet europiane si Europol, Eurojust, OLAF (Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit) dhe Zyra Europiane e Prokurorit Publik (EPPO) do të shohin rolet e tyre të forcuara. Përveç kësaj, është rënë dakord për rregulla të përbashkëta juridiksionale për të shmangur boshllëqet në procedurë dhe për të koordinuar më mirë procedurat në nivel të BE-së.

e) Sinjalizuesit: Direktiva e ardhshme do të çimentojë gjithashtu parimin e mbrojtjes së sinjalizuesve dhe dëshmitarëve. Kushdo që raporton korrupsionin, ofron prova ose bashkëpunon me autoritetet do të duhet të jetë në gjendje të përfitojë nga masat e duhura të mbrojtjes, mbështetjes dhe ndihmës si pjesë e procedurave.

5. Ndikimi dhe hapat e mëtejshëm në Shqipëri..

Siç dihet, kuadri ligjor antikorrupsion në Shqipëri gradualisht është ndërmarrë në përputhje me konventat ndërkombëtare në të cilat vendi është palë dhe po u përgjigjet rekomandimeve të bëra nga aktorët ndërkombëtarë, por pavarësisht kësaj, ky legjislacion është ende i pazhvilluar, por edhe me probleme serioze me zbatim. Veprat penale të përcaktuara në Kodin Penal apo në ligjin e njohur si ligji Anti-Mafia ofrojnë një kuadër të përgjithshëm, ende jo plotësisht të krahasueshëm me vendet e BE. Me intensifikimin e veprimtarisë së SPAK-ut sidomos gjatë vitit 2025, vihen re përpjekje të koordinuara për relativizimin e çështjeve shumëmilionëshe të korrupsionit dhe veçanërisht për justifikimin e tij, sidomos kur vihet re se e përbashkëta e një numri çështjesh në hetim për përfshirjen e zyrtarëve të lartë nxjerrin në dukje fenomenin e përhapur gjerësisht të ushtrimit të ndikimit, në vendime përmes manipulimit të procesit të prokurimit që çojnë në devijimin e fondeve publike drejt kompanive private të caktuara, në pronësi të personave të ekspozuar politikisht apo të krijuara posaçërisht nga zyrtarët publikë. I këtij qëndrimi duket se është përcaktuar publikisht edhe KM Rama, i cili përveçse propagandon “sovranitetin e qeverisë dhe kreut të saj në procesin vendimmarrës”, merr në mbrojtje publikisht politikanët e lartë nën akuzë, duke filluar me znj. B. Balluku, zëvendëskryeministre dhe ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës si dhe zyrtarët e tjerë (ekipin e AKSH-it të akuzuar si një “organizatë kriminale”). E vërteta e thjeshtë është se në asnjë dokument zyrtar të SPAK-ut nuk flitet për përparësitë e qeverisjes apo për vendimmarrjet e kabinetit “Rama” si objekt hetimi, edhe pse në radhët e analistëve të ekonomisë dhe jo vetëm ka dyshime të mëdha për përparësi zhvillimore të stisura që kanë çuar në cenimin e interesit publik si në rastin e inceneratorëve, kontratave koncesionare në shëndetësi, “Paketës së Maleve”, “Paqes fiskale”, etj.. Ndërsa në lidhje me veprat penale për të cilat akuzohen zyrtarët e lartë, shihet qartë se ato përkojnë saktësisht jo vetëm me parashikimet ligjore të kuadrit penal të vendit, ashtu edhe me përcaktimet që përdor BE, siç u shpjeguan këtu më sipër.

6. Ndërkohë Kuvendi i Shqipërisë po debaton një draft të ri të Kodit Penal…

Duke marrë parasysh se BE është në procesin e hartimit të një direktive të re antikorrupsion, janë të gjitha mundësitë që edhe Shqipëria të përfitojnë prej saj jo vetëm për ta bërë legjislacionin e vendit të krahasueshëm me BE, por edhe më të zbatueshëm. Aq më tepër që në këtë dokument prezantohet një kategori më e gjerë e “ushtrimit të paligjshëm ose të papërshtatshëm të funksioneve”. Në mënyrë të ngjashme, koncepti i pasurimit të paligjshëm, që rezulton nga një vepër penale e korrupsionit mund të përshtatet për ta sjellë në standardin e BE. Një çështje më vete që mendoj se meriton debat publik lidhet me përshtatjen e regjimit të ligjit penal për personat juridikë. Sa u përket gjobave, aktualisht në legjislacionin shqiptar janë disa parashikime për sanksione penale që varen nga xhiroja në ligjin “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, ndërsa në shumicën e ligjeve të tjera gjobat maksimale të vendosura korrespondojnë me një shumë fikse, gjë që në disa raste i bën ato qesharake dhe pa ndonjë efekt real. Prandaj do të ishte e dobishme të përdoret një metodë e unifikuar përllogaritjeje në varësi të llojit të veprës penale. Është një fakt i njohur se lufta kundër korrupsionit në vendin tonë është e shpërndarë në një numër te madh – rreth 15 – dikasteresh/agjencish/institucionesh, për të cilat, përveç SPAKut, është vështirë të gjesh institucione të ngjashme në vendet fqinje dhe ato të BE. Aq më tepër që thuajse të gjitha këto agjenci janë politikisht të kontrolluara, karakterizohen nga veprimtari anemike dhe nuk ushtrojnë ndonjë ndikim të konsiderueshëm në parandalimin e korrupsionit si dhe në bashkëpunimin ndërinstitucional për luftën kundër tij. Ndër to, mungesa e veprimit aktiv të ILDKPI dhe Agjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF) mund të shihen edhe si pengesa për arritje më të prekshme në këtë drejtim. Gjithashtu, mendoj se në sjelljen e këtyre institucioneve duhet kërkuar edhe shkaku i nivelit ende shumë të ulët të konfiskimit të pasurive të paligjshme të zyrtarëve nën akuzë apo të kompanive të personave të ekspozuar politikisht, që kontrollojnë pjesë të rëndësishme të buxhetit të shtetit dhe të ekonomisë së vendit. Qeveria shqiptare ka paraqitur dhe miratuar një strategji kombëtare të luftës kundër korrupsionit dhe në bashkëpunim me shoqërinë civile, me Kuvendin e Shqipërisë janë bërë disa përpjekje modeste për të inkurajuar reformat në proces dhe parandalimin e korrupsionit. Por edhe kjo, si çdo strategji tjetër, mbetet në letër dhe shkalla e kontaminimit të sektorit publik dhe elitës politike qeverisëse në tërësi lë pak hapësirë për optimizëm në këtë drejtim. Nëse Shqipëria do të ndjekë hapat e BE në lidhje me direktivën e re antikorrupsion, pritet që të rritet edhe ndëshkimi mbi bizneset dhe profesionistët që përfshihen në aktet e korrupsionit ose veprat e ngjashme penale, dmth., miratimi i një Kodi Penal të ri mund dhe duhet të rezultojnë në dënime shumë më të rënda financiare se më parë. Kjo edhe për faktin se profesione të caktuara si psh., kontabilistët e miratuar, audituesit ligjorë dhe financiarë etj., me ose pa vetëdije janë përfshirë e përfshihen, sidomos në mbulimin e veprave penale korruptive.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular