Nga Bujar Leskaj
Lutem mos flisni më për “reshje të jashtëzakonshme”! Mos na flisni për “forcën e natyrës”. Ajo që ndodhi në Durrës këto dy ditë nuk ishte akt i Zotit. As tekë e natyrës. Ishte akt i pushtetit. Ishte produkt i drejtpërdrejtë i një qeverisjeje të papërgjegjshme të Ramës, që ka ndërtuar pa menduar, ka administruar pa plan dhe ka heshtur pa turp.
- Durrësi i përmbytur iu shit pa mëshirë oligarkëve dhe betonit
Uji ra nga qielli. Por përmbytja erdhi nga zyrat. Qyteti i shitur pa mëshira nga Rama betonit dhe oligarkëve, iu dorëzua ujit.
Durrësi nuk u përmbyt sepse ra shi. U përmbyt sepse për vite me radhë është shndërruar në kantier spekulimi, ku çdo metër katror është kthyer në pallat dhe asnjë metër në infrastrukturë.
Kanale të mbyllura, rrjete të amortizuara, ujëra të bardha të përziera me të zeza, zona natyrore kulluese të betonizuara. Ky nuk është zhvillim. Ky është krim urbanistik.
Çdo leje ndërtimi mbi kanale, çdo projekt pa studim hidrologjik, çdo tender i gjoja Rilindjes për “rikualifikim”, pa sistem drenazhimi, është një firmë fatale mbi fatin e qytetit. Dhe fati erdhi në ditët e para të janarit: ujë në shtëpi, në makina, në biznese, në institucione, në rrugë, në dinjitet.
Paralajmërime kishte. Veprime nuk pati. Institucionet meteorologjike paralajmëruan. Koha për masa ekzistonte. Kanalet mund të pastroheshin. Pompimet mund të kontrolloheshin. Qytetarët mund të njoftoheshin. Por shteti i Ramës, si gjithmonë, zgjodhi rrugën e tij të preferuar: të mos bëjë asgjë, deri sa katastrofa të ndodhë.
II. Teatri i sektit Rama pas dështimit të turpshëm
Kur uji hyri në banesa, pushteti doli me çizme nëpër kamera. Kur qytetarët kërkonin ndihmë, morën deklarata. Kur bizneset mbyllën dyert, morën premtime. Ky nuk është menaxhim krize. Kjo është teatër pas dështimit.
Përmbytja e Durrësit ka emra: lejet e ndërtimit pa studime, planet urbane pa drenazh, investimet pa infrastrukturë. Ka firma konkrete, data konkrete dhe institucione konkrete. Por askush nuk mban përgjegjësi. Qytetarët mbyten në ujë, ndërsa pushteti mbytet në justifikime.
Kur përmbytjet përsëriten, ato nuk janë më aksidente. Janë pasojë e një politike që i ka shpallur luftë logjikës dhe interesa të qytetarit.
Gjatë përmbytjes në Durrës u pa qartë gjithshka: mungesa e koordinimit, informacioni i paqartë, ndihma e vonuar, përpjekja për t’ja shkarkuar përgjegjësinë strukturës tjetër. Qytetarët mbetën vetëm. Bizneset u lanë në baltë. Institucionet, nga qeveria qendrore tek bashkia, u shfaqën si një trupë pa komandë, pa përgjegjësi dhe pa turp.
Kjo përmbytje nuk është thjesht problem infrastrukture. Është kolaps i besimit. Kur shteti nuk mbron shtëpinë tënde nga uji, si mund të mbrojë të ardhmen tënde?
- Kosto që askush nuk guxon t’i thotë. Përgjegjësia institucionale: ZERO!!!
Sa biznese humbën stokun? Sa familje u dëmtuan? Sa rrugë dhe rrjete u shkatërruan? Sa ditë aktivitet ekonomik u humbën në qytetin-port kryesor të vendit? Qeveria nuk jep bilanc të plotë. Sepse një bilanc i ndershëm do të tregonte të vërtetën: përmbytja kushton më pak se keqqeverisja, por paguhet nga qytetarët.
Përgjegjësi politike dhe institucionale: zero! Askush nuk dha dorëheqje. Askush nuk u pezullua. Askush nuk u hetua administrativisht. Në vend të përgjegjësisë, dëgjuam refrenin e vjetër: “ishte e paparashikueshme”. Jo. Ishte e parashikueshme, e paralajmëruar dhe e injoruar!
Në një shtet normal, pas një katastrofe të tillë, do të kishte audit të pavarur, hetim administrativ, ndalim ndërtimesh në zonat e riskut, plan emergjent për drenazh urban dhe përgjegjësi konkrete.
Në Shqipëri ka vetëm heshtje institucionale nën Ramën. Ky nuk është shi. Kjo është politikë. Durrësi nuk u përmbyt nga qielli. U përmbyt nga një model qeverisjeje që ndërton për sot dhe shkatërron për nesër. Nga një pushtet që investon në fasada dhe jo në tubacione. Që jep leje dhe jo siguri. Që prodhon propagandë, jo mbrojtje.
Nëse kjo përmbytje kalon pa llogaridhënie, atëherë mos pyesni më “pse na mbyti uji?”. Pyetja e vërtetë është: pse na mbyt pushteti dhe ne vazhdojmë ta quajmë shi?







