HomePolitikePresidenti Begaj dekreton ligjin për rivlerësimin e pronave/Tatimi 5%, një vit afat...

Presidenti Begaj dekreton ligjin për rivlerësimin e pronave/Tatimi 5%, një vit afat për procedurat

Advertismentspot_img

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin “për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”. Kjo do të thotë se deri më 31 dhjetor 2026, individët që kanë në pronësi pasur të paluajtshme do të kenë mundësinë të përfitojnë nga fushata e rivlerësimit të pronës me normë tatimore të reduktuar prej 5%, nga 15% që ishte.

Sipas parashikimeve ligjore, procesi i rivlerësimit mund të ndiqet përmes dy rrugëve.

Individët që planifikojnë ta nxjerrin pronën në treg gjatë periudhës 2026-2028 mund të zgjedhin rivlerësimin mbi bazën e vlerës reale të tregut, duke u mbështetur në një raport vlerësimi profesional, i cili përdoret më pas për aplikim pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Kjo mundëson që prona të rivlerësohet me vlerën maksimale që ofron tregu.

Por, qytetarët mund të aplikojnë për rivlerësim sipas çmimeve të referencës shtetërore, përmes platformës e-Albania, pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Pas dorëzimit të aplikimit, lëshohet fatura për tatimin mbi diferencën e vlerës së pronës, e cila paguhet në bankë dhe më pas ngarkohet në sistem për përfundimin e procedurës. Në përfundim të procesit, pronari pajiset me kartelën e re të pronës, ku pasqyrohet vlera e përditësuar.

Në kuadër të fushatës së rivlerësimit, pritet që tregu i pasurive të paluajtshme gjatë vitit 2026 të karakterizohet nga një ritëm më i ngadaltë i rritjes së çmimeve, krahasuar me dy vitet e fundit. Parashikohet gjithashtu që oferta e pronave të jetë më e lartë, duke krijuar më shumë alternativa për qytetarët.

Vlerësohet se një numër i konsiderueshëm pronash, përfshirë banesa, do të jenë subjekt i rivlerësimit, ndërsa pjesëmarrja në këtë proces mbetet në vullnetin e individëve.

Sipas ligjit, taksa e rivlerësimit nuk llogaritet mbi vlerën totale të pronës, por mbi diferencën mes vlerës së re, që përafrohet me çmimin aktual të tregut, dhe vlerës së regjistruar më parë në dokumentet zyrtare. Kjo do të thotë se nëse një pronë është regjistruar me një vlerë më të ulët se çmimi real në treg, pronari paguan 5% vetëm për hendekun e krijuar mes këtyre dy vlerave, me qëllim që në regjistrat zyrtarë prona të reflektojë vlerën e re.

Në praktikë, nëse një apartament është regjistruar me vlerë 100 mijë euro, ndërsa sipas tregut sot vlerësohet 150 mijë euro, diferenca është 50 mijë euro. Tatimi për rivlerësim do të përllogaritet mbi këtë diferencë dhe jo mbi 150 mijë eurot e vlerës së plotë. Pikërisht kjo logjikë synon të nxisë formalizimin e vlerës reale të pronës, pa i vendosur barrë tatimore pronarit mbi gjithë pasurinë.

Norma 5% zëvendëson skemat e mëparshme të rivlerësimit, kur në fushata të kaluara taksa ka qenë më e ulët, 1% dhe 3%. Ligji parashikon që e drejta për rivlerësim të jetë e hapur nga data e hyrjes në fuqi e tij deri më 31 dhjetor 2026, duke i dhënë pronarëve një afat kohor të plotë njëvjeçar për të kryer procedurat.

Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me dosjet e hapura pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Kërkesat për rivlerësim të depozituara pranë ASHK-së, për të cilat është kryer pagesa e tatimit, por që nuk kanë përfunduar procedurat administrative brenda 31 dhjetorit 2026, nuk humbasin efektin, ato konsiderohen objekt i këtij ligji dhe procedurat do të përfundojnë deri më 31 mars 2027.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular