Në shtator të këtij viti pritet që pjesa më e madhe e shkollave në kryeqytet, pas procesit mësimor, të ofrojnë për nxënësit e fillores shërbimin e kryerjes së detyrave të shtëpisë.
Zv. ministrja e Arsimit, Orjana Osmani, në një intervistë për RTSH sqaron se ministria është në fazë diskutimi të planit që do të pilotohet në nisje të vitit të ri shkollor, ku po shqyrtohen detajet për kohën e qëndrimit të nxënësve në klasë gjatë orëve të studimit, si dhe aktivitetet e ndryshme që do të zhvillohen gjatë këtyre orëve.
“Ne do të ofrojmë shërbimin pas shkollë, do të jetë padiskutim një ndihmë e madhe për prindërit. Ne, me të gjithë ekipin e ministrisë, e kemi parë me shumë vëmendje se çfarë duhet dhe sa cilësor do të jetë ky shërbim në sistemin tonë arsimor. Fillimisht nga klasa e parë deri në klasë të pestë, ne do të ofrojmë projektin ‘Bëjmë detyrat e shtëpisë’, projekt i cili është aktualisht në shkollat tona, por do ta ofrojmë tashmë në të gjitha shkollat e Tiranës. Në 30 prej tyre jemi duke diskutuar me bashkinë që të ofrohet edhe ushqim, por për këtë jemi në diskutim e sipër për formën që do të ketë ushqimi në shkollat tona”, tha Osmani.
Edhe programi art dhe zeje nga shtatori do të shtrihet në të gjitha shkollat e Tiranës.
“Kryesisht i ndarë në disa fusha, siç është teatër, muzikë, kërcim dhe sigurisht zeje, që besoj është një kënaqësi për fëmijët të marrin pjesë në këtë program, dhe pjesa tjetër do të jenë lojëra, kuptohet për t’u argëtuar”, tha ajo.
Ndërsa për sa i takon rregullores së Maturës Shtetërore, këtë vit do të ketë ndryshime; është synuar rritja e përgjegjësisë për të gjithë aktorët që marrin pjesë në maturë.
“Synimi është që të kemi një nxënës që e kupton qartësisht Maturën Shtetërore. Matura Shtetërore është një proces që mat dijet e nxënësit dhe ai duhet ta kuptojë fare qartë që çdo veprim që bie ndesh me këtë proces, patjetër që do të penalizohet”, nënvizoi Osmani.
Gjithashtu, edhe një pjesë e teksteve shkollore do të ndryshojnë nga shtatori i këtij viti, duke i bërë më të thjeshta dhe më të kuptueshme për nxënësit. Reforma kurrikulare do të nisë me klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta, duke vijuar deri në vitin 2029.







