Që nga dita e djeshme pothuajse i gjithë territori i vendit është nën pushtetin e ujit për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Si pasojë është vështirësuar qarkullimi i mjeteve dhe disa rruga janë bllokuar.
Policia e Shtetit i bën apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes, ndërsa njofton qytetarët që të devijojnë qarkullimin aty ku rruga është e bllokuar.
Konkretisht, në rrugën interurbane që lidh Tiranën me Durrësin, në zonën pranë karburantit në hyrje të Durrësit, ka prezencë të lartë të ujit në të dyja anët e lëvizjes, gjë që e bën të pamundur qarkullimin normal të mjeteve.
Për të shmangur trafikun dhe aksidentet, Policia Rrugore njofton se do të devijohet lëvizja si më poshtë:
Automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës, të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe nga rruga “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”.
Për në Durrës, kalimi do të bëhet nga rruga e universitetit, në drejtim të Spitallës dhe në rrugën “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.
Po ashtu Policia apelon për drejtuesit e mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes, të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë dhe të zbatojnë sinjalistikën rrugore.
“Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme po marrin masa për lehtësimin e qarkullimit të mjeteve dhe për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve. Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin pa pagesë 112”, thuhet ne njoftimin e policie.







