Zëvendëspresidentja dhe ministrja e Naftës e Venezuelës, Delcy Rodríguez u betua zyrtarisht si presidente e përkohshme e vendit, ndërsa Nicolas Maduro u paraqit në gjykatë në New York.
56-vjeçarja, një avokate e së drejtës së punës, u betua para vëllait të saj, Jorge Rodríguez, i cili është kryetar i Asamblesë Kombëtare dhe ka premtuar të shqyrtojë çdo rrugë për të “rikthyer” presidentin Nicolas Maduro.
Më herët, presidentja e përkohshme e Venezuelës ka ofruar bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke sinjalizuar për herë të parë një ulje të tensioneve pas operacionit amerikan që çoi në arrestimin e presidentit Nicolas Maduro.
Sipas Reuters, Rodríguez tha se qeveria e saj po i jepte përparësi një lëvizjeje drejt marrëdhënieve të respektueshme me Shtetet e Bashkuara.
“Ne e ftojmë qeverinë amerikane të bashkëpunojë me ne në një axhendë bashkëpunimi të orientuar drejt zhvillimit të përbashkët, brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare, për të forcuar bashkëjetesën e qëndrueshme të komunitetit. Presidenti Donald Trump, popujt tanë dhe rajoni ynë meritojnë paqe dhe dialog, jo luftë.”
Megjithatë, më herët ajo dhe zyrtarë të tjerë e kishin quajtur ndalimin e Maduros dhe gruas së tij, Cilia Flores, një rrëmbim dhe thanë se Maduro mbetet udhëheqësi legjitim i kombit.
Pas këtyre deklaratave, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se mund të urdhërojë një tjetër sulm nëse Venezuela nuk bashkëpunon me përpjekjet e SHBA-ve për të hapur industrinë e saj të naftës dhe për të ndaluar trafikun e drogës.







