Banka Botërore sugjeron se përmirësimi i skemës publike të pensioneve në afat të shkurtër mund të arrihet edhe pa një ristrukturim të plotë të sistemit, por përmes një sërë masash që adresojnë dobësitë aktuale të skemës kontributive.
Të rritet presioni mbi pagesën e kontributeve
Theksi kryesor i Bankës në dokumentin e fundit “Rritja e Qëndrueshmërisë Fiskale” mbetet te rritja e numrit të kontribuuesve dhe rregullsisë së pagesës së tyre si kusht bazë për pensione të mjaftueshme dhe financiarisht të përballueshme.
Një nga problematikat kryesore të skemës ka të bëjë me daljen e parakohshme nga tregu i punës ose punën e zezë. Të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se për personat që dolën në pension në vitin 2022, kontributi i fundit mesatar ishte regjistruar në vitin 2013, rreth nëntë vite para daljes në pension. Ky hendek tregon rënien e pjesëmarrjes në tregun e punës në moshat mbi 50 vjeç dhe nevojën për politika që nxisin qëndrimin më gjatë në tregun formal të punës.
Përvoja e vendeve të OECD-së dhe Bashkimit Europian tregon se programe trajnimi për të rriturit dhe heqja e barrierave për punonjësit në fund të karrierës mund të japin rezultate pozitive, ndërsa për Shqipërinë kërkohet një analizë më e thelluar e tregut të punës për këtë grup-moshë.
Kush nuk plotëson kushtet, të rritet ndihma sociale, jo pensioni
Një tjetër rrezik për qëndrueshmërinë e sistemit janë indeksimet progresive apo rritjet e forta të pensioneve minimale. Këto masa mund të dëmtojnë perceptimin e drejtësisë në sistem dhe të ulin nxitjen për kontribute, duke përforcuar nën-raportimin e pagave, i cili sipas krahasimit të të dhënave të ISSH-së me Anketën e Forcës së Punës është tashmë një fenomen i përhapur. Në vend të rritjeve të përgjithshme, një qasje më efikase do të ishte mbështetja e familjeve me të ardhura të ulëta përmes skemave të ndihmës sociale, pa shtrembëruar logjikën e kontributeve të pensioneve.
Sfidë serioze mbetet edhe mbulimi i ulët dhe zbatimi i dobët i detyrimeve. Pavarësisht subvencioneve të larta për punonjësit ruralë, numri i kontribuuesve aktivë në zonat rurale ka rënë në vetëm 25 mijë persona në vitin 2022. Zhvillimet pas ndryshimeve të vitit 2024 tregojnë se pensioni social ka dekurajuar kontributet, ndërsa heqja e tij nuk konsiderohet e realizueshme politikisht. Në këtë kontekst, politikat pritet të fokusohen në stimuj më të mirë, thjeshtim procedurash, komunikim më efektiv dhe rishikim të skemave vullnetare. Edhe pensionet private, ndonëse janë rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, mbulojnë më pak se 3% të të punësuarve, kryesisht për shkak të fleksibilitetit të ulët dhe mungesës së përfitimeve afatshkurtra, çka i bën më pak tërheqëse për emigrantët dhe punonjësit informalë.
Skemë e posaçme për emigrantët
Migracioni i lartë mbetet një faktor kyç që rëndon mbi sistemin e pensioneve. Mbi 2.2 milionë shtetas shqiptarë jetojnë jashtë vendit, shumica në moshë pune. Kjo rrit raportin e varësisë së të moshuarve dhe ul bazën e kontribuuesve. Ekspertët theksojnë nevojën për skema të posaçme sigurimesh shoqërore për emigrantët, që të ofrojnë mbrojtje dhe ndaj rreziqeve të tjera sociale. Ndonëse Shqipëria ka disa marrëveshje për transferimin e të drejtave, kërkohet koordinim më i mirë i të dhënave, projeksione afatgjata dhe skema vullnetare më të përshtatura.
Sipas Bankës Botërore një rol të rëndësishëm luan edhe edukimi dhe komunikimi publik mbi pensionet. Rënia e viteve të kontributeve tek pensionistët e rinj tregon mungesë ndërgjegjësimi për lidhjen mes kontributeve dhe nivelit të pensionit. Instrumente si kalkulatorët e pensioneve, që parashikojnë përfitimet bazuar në historikun individual të kontributeve, mund të rrisin transparencën, besimin dhe nxitjen për pjesëmarrje më të madhe në sistem, duke përforcuar qëndrueshmërinë e tij në afat të shkurtër dhe të mesëm./ Monitor







