Anomalitë në ekzekutimin e buxhetit të shtetit sipas planit janë thelluar ndjeshëm gjatë vitit 2025.
Tirana dhe qytetet e tjera të vendit ende vuajnë nga mungesa e furnizimit me ujë dhe drita, radhët e trafikut bëhen kilometrike nga jugu në veri nga investimet e gabuara në infrastrukturë, ndërsa qeveria e Shqipërisë për disatin vit radhazi nuk arrin të përmbushë detyrimet që lindin nga ligji për buxhetin.
Sipas të dhënave zyrtare nga thesari i Ministrisë e Financave (grafiku i mëposhtëm) përgjatë muajit dhjetor nga data 2 deri me 29 u kryen rreth 84 miliardë lekë (840 milionë euro) pagesa. Nga 1 janari deri me 29 dhjetor 2025 kur rezultojnë të dhënat e fundit mbi pagesat e thesarit janë shpenzuar gjithsej rreth 722,6 miliardë lekë, teksa plani vjetor ishte 831,7 miliardë lekë ose 109 miliardë lekë tepricë, rreth 1,1 miliardë euro në datën 30 dhjetor një ditë para mbylljes së vitit.
Në terma mujorë, shpenzimet kanë qenë relativisht të kontrolluara gjatë pjesës më të madhe të vitit, me nivele më të ulëta në fillim të vitit dhe një rritje graduale në pranverë e verë. Muaji dhjetor shënon kulmin e shpenzimeve (84 miliardë lekë), një praktikë e zakonshme për mbylljen e vitit fiskal, por edhe kjo rritje nuk ka mjaftuar për të arritur nivelin e planifikuar vjetor.
Këtë vit për shkak të hetimeve të SPAK mbi entet kryesore shpenzuese, është treguar më shumë kujdes në alokomimin e fondeve. Prej vitesh është bërë praktike që një pjesë e madhe e buxhetit te çelet në dhjetor kryesisht mbi kompanitë që kishin kontrata me qeverinë kryesisht për punime në rrugë. Hetimet dhe masat e sigurisë mbi kupolën drejtuese të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Ministrisë së Infrastrukturës i kanë frenuar disi pagesat.
Pagesat e muajit dhjetor edhe vitet e kaluara nuk ishin mbi punimet faktike të momentit.
Çdo fund viti qeveria miraton buxhet në rritje për vitin pasardhës, por në të vërtete asnjëherë nuk arrin të ekzekutohet sipas planit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë edhe pse vendi ka nevoja të mëdha me gati 20 për qind të popullsisë në varfëri relative dhe një emigracion masiv.
Edhe me 2024 buxhetit të shtetit i kanë tepruar 420 milionë euro, të cilat nuk kanë arritur të shpenzohen sipas programit. Me ndryshimet e fundit në aktin normativ për vitin 2024 ishin planifikuar për tu shpenzuar 771,3 miliardë lekë, por u realizuan vetëm 728.5 miliardë lekë ose 42.7 miliardë lekë më pak se plani.
Këtë vit teprica është shumë më e lartë pasi pagesat e muajit dhjetor ishin më të kufizuara, prej hetimeve. Teprica buxhetore, një pjesë e së cilës mund të përdoret për uljen e mëtejshme të borxhit publik është më e mirë se abuzimet me to, siç edhe kanë treguar rezultatet e hetimeve nga SPAK.
Burimi: Thesari, Ministria e Financave
Burimi: Ministria e Financave
Burimi: Ministria e Financave







