Tregu i Vlorës dhe rrugicat e tij që ndodhen afër me qendrën historike do të ndryshojnë sipas një projekti që do të ndiqet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Ky i fundit shpalli së fundmi fituesin për kontratën me objekt “Investime për infrastrukturën e tregjeve, hapësirave tregtare, multifunksionale, rrugë tregtare në zona model zhvillimi, etj. Faza III, Rajonet 3&4: Tregu Vlorë – Faza 2”. Fituese është kompania T&Xh me një ofertë 139 milionë lekë apo rreth 1.4 mln euro. Por çfarë parashikon në fakt projekti?
Bëhet fjalë për tregun tradicional të Vlorës që ndodhet në zonën përballë Qendrës Historike, afër rrugës “Justin Godard” dhe rrugës “Jani Minga”, rreth 500 metra në lindje të sheshit “Pavarësia”. Ky treg i vjetër i qytetit përbëhet nga tezgat me fruta, perime, produkte artizanale dhe rroba.
Ndërhyrja parashikohet të përfshijë rrugicat tregtare, sheshin dhe merkatën, sheshin numër 2 të Kinoteatrit dhe të bëhet rivitalizimi i Hapësirës së Trotuarit dhe sheshi para postës.
Sipas llojit të ndërhyrjeve në pjesën e parë synohet që të ketë një lloj unifikimi vizual dhe funksional të sipërfaqeve të cilat do të plotësohen me beton.
“Betoni i pigmentuar aplikohet kryesisht në zonat e Sheshit të Kinoteatrit dhe të Markatës, me qëllim rritjen e atraktivitetit vizual dhe krijimin e poleve rekreative për qytetarët, përveç funksionit të tyre tregtar. Betoni i papigmentuar përdoret në zonat e tjera të brendshme për ruajtjen e uniformitetit dhe qëndrueshmërisë së sipërfaqeve”thuhet në dokument.
Për sheshin dhe trotuaret përreth Postës propozohet shtrimi me pllaka terrakote, në vazhdimësi me projektin që aktualisht po zbatohet në zonë. Ky ndërhyrje është në përputhje me projektin “Bulevardi i Jacarandave”, të zhvilluar nga FSHZH, ku parashikohet zgjerimi i trotuarit në anën perëndimore të bllokut.
Një tjetër ndërhyrje përfshin zonën e rrugicave tregtare. Kjo zonë është konceptuar dhe studiuar në katër module kryesore: Rrugica A, Rrugica B, Rrugica C dhe Rrugica D, me qëllim që çdo segment të analizohet në mënyrë të veçantë sipas karakteristikave funksionale dhe hapësinore që ka.
Për merkatën e hapur është menduar të jetë në formë eliptike dhe skeleti mbajtës të jetë metalik kurse veshjet prej druri. Rivitalizimi i sheshit të dytë parashikon fillimisht restaurimin e gjendjes ekzistuese dhe më pas shtim volume me një kat mbi strukturën ekzistuese.
Edhe sheshi tjetër para Postës do të ruajë të njëjtën logjikë si vazhdim i një tjetër projekti të zbatuar nga FSHZH siç është “Bulevardi i Jacarandave”.










