Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bërë të ditur se situata pas përmbytjeve, si pasojë e reshjeve të dendura në Kosovë është nën kontroll.
Sipas tij, përveç dëmeve materiale në infrastrukturë dhe prona private, fatmirësisht nuk ka raste të lëndimeve serioze.
“Sipas raporteve të deritanishme të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, komunat e prekura nga vërshimet e djeshme janë: Fushë Kosova, Lipjani, Obiliqi, Drenasi, Podujeva, Shtimja, Graçanica, Prizreni, Suhareka, Malisheva, Rahoveci, Mamushë, Dragash, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj, Klina, Istogu, Juniku, Deçani dhe Peja. Ekipet operative vazhdojnë të jenë në terren, duke monitoruar gjendjen dhe duke qëndruar në gatishmëri të plotë. Aktualisht, situata sot është nën kontroll. Përveç dëmeve materiale në infrastrukturë dhe prona private, fatmirësisht nuk ka raste të lëndimeve serioze”, ka shkruar Kurti.
Kurti theksoi se kompanitë përgjegjëse vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie.
“Falënderoj zyrtarët e agjencive shtetërore, ekipet profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit dhe institucionet e sigurisë për reagimin e tyre vetmohues dhe në shërbim të qytetarëve. Falënderoj qytetarët për solidaritetin e treguar ndaj njëri-tjetrit dhe për bashkëpunimin me institucionet përgjegjës, dhe u bëj thirrje që të vazhdojnë t’i ndjekin me vëmendje udhëzimet e institucioneve publike deri në tejkalimin e plotë të gjendjes së shkaktuar nga vërshimet”, ka shkruar kryeministri në detyrë.
Sakaq, semestri i dytë i procesit mësimor në Kosovë është shtyrë për më 12 janar në të gjitha komunat e vendit për shkak të reshjeve dhe kushteve të vështira të motit që kanë përfshirë vendin që nga e hëna.







