nga Gentian Gaba
Shqipëria është nën pushtetin e ujit. Qytetarët janë në vështirësi, dëmet materiale janë të panumërta, ndërsa përgjegjësia politike kërkon një gjë të thjeshtë, llogaridhënie. Por Edi Rama, i cili kur ishte në opozitë thoshte se përmbytjet nuk vijnë nga Zoti apo nga natyra, por nga keqqeverisja, sot, pas 12 vitesh pushtet, ka gjetur fajtor popullin.
Sot u tall dy herë me të. Së pari, kur u përpoq të relativizonte gjendjen e përmbytjeve me batutën e lodhur spiropaliane “këto ndodhin edhe në vendet e tjera”, sikur kjo t’i kthente njerëzve shtëpitë e dëmtuara dhe bizneset e përmbytura. Së dyti, kur zbuloi me patetikë mbetjet plastike të grumbulluara nëpër lumenj, duke e kthyer një emergjencë kombëtare në shfaqje morale, me qytetarët si të pashpresë dhe qeverinë si predikuese të virtytit.
Por ky moralizim është hipokrit, sepse vjen nga njeriu që premtoi se do të mirëqeveriste vendin dhe do të parandalonte pikërisht këto pasoja. Dhe, mbi të gjitha, vjen nga arkitekti politik i aferës së inceneratorëve, një projekt i shpallur si zgjidhja moderne për mbetjet, por që sot përfaqëson simbolin më të rëndë të dështimit dhe abuzimit. Inceneratori i Elbasanit jashtë funksionit, ai i Fierit po ashtu, ndërsa ai i Tiranës as nuk ekziston. Një aferë për të cilën SPAK ka ngritur akuza dhe ka sjellë prova të qarta për korrupsionin e skemës, edhe pse zinxhiri i përgjegjësisë politike ende nuk ka shkuar te fundi.
Dhe këtu qëndron thelbi, problemi është modeli i qeverisjes që i kthen paratë publike në humbje, tenderat në klientelizëm dhe emergjencat në propagandë. Dëmi ekonomik i vetëm një afere të tillë, e jo më i qindra skandaleve të tjera të dokumentuara në këto 12 vite, do të mjaftonte për pastrim real, për investime serioze në menaxhimin e mbetjeve, në kanalizime, në drenazh, në parandalim përmbytjesh, në mirëmbajtje.
Por ky pushtet nuk ka synuar kurrë mirëqeverisjen. Rama kontrollon qeverinë qendrore dhe vendore, ka në dorë gjithë levat ekzekutive për të bërë një ndryshim cilësor. Mirëpo kur pushteti bëhet absolut, korruptohet absolutisht, dhe pasojat i shohim çdo ditë: nga rrugët e florinjta që shemben tre muaj pas inagurimit, te tenderat e AKSHI-it që shkojnë për krimin e organizuar dhe klientelën e ngusht të Edi Ramës, te dosjet e nxehta të zv.kryeministres Balluku, e cila po mbrohet me dhunë kartonash nga kryeministri, sepse hetimi ndaj saj është diga e fundit përpara se të çahet kalaja e pahetuar e Edi Ramës. Pra një Kryeministri që duket më shumë si landfill dosjesh sesa si qendër përgjegjësie politike, e që nuk ka ndërmend ta pastrojë.
Në këtë pikë, deliri i mbipushtetit që çon te fajësimi i qytetarëve, bëhet qesharka kur u kërkon njerëzve llogari për plehrat në lumenj, ndërsa vetë nuk jep llogari për “plehrat” që ka brenda qeverisë, e që kutërbojnë korrupsion brenda e jashtë vendit.







