Dhoma Amerikane e Tregtisë e ka vlerësuar si pozitive qasjen e qeverisë për të ngritur një mekanizëm “filtrimi” mbi Investimet e Huaja Direkte(IHD) në sektorë kritikë por sipas tyre drafti në fazë konsultimi paraqet një seri problemesh.
AmCham vlerëson se në modelin aktual që ofron ky draft mund të krijojë pasiguri por edhe të dekurajojë investitorët seriozë.
“AmCham vlerëson rëndësinë strategjike të mekanizmit të “Foreign Direct Investment Screening (FDI Screening)” si një instrument i domosdoshëm për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe rendit publik, duke ruajtur njëkohësisht një klimë të qëndrueshme, të parashikueshme dhe nxitëse për investimet e huaja direkte, të cilat përbëjnë një motor kyç të zhvillimit ekonomik të vendit. Në këtë kuptim, nisma për krijimin e një mekanizmi kombëtar të shqyrtimit të investimeve përbën një hap të rëndësishëm drejt përafrimit të kuadrit ligjor shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian, në përputhje me Rregulloren (BE) 2019/452.
Megjithatë, nga analiza juridike dhe institucionale e projektvendimit rezulton se, në formën aktuale, ai paraqet një sërë problematikash thelbësore, të cilat rrezikojnë të krijojnë pasiguri juridike, të cenojnë parimin e proporcionalitetit dhe të dekurajojnë investitorët e huaj seriozë” thuhet në reagim.
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka parashtruar gjithashtu se cilat janë ato hapësira që mund të kenë nevojë për përmirësim për ta bërë procesin e filtrimit të investimeve më pak kompleks, më transparent dhe më të qartë.
- Niveli normativ i aktit Procesi i shqyrtimit të investimeve të huaja është kompleks, delikat dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat e investitorëve dhe në ekonominë kombëtare. Në këtë kontekst, AmCham vlerëson se miratimi i një rregulloreje me Vendim të Këshillit të Ministrave nuk përbën një bazë të mjaftueshme ligjore. Një mekanizëm i tillë kërkon një ligj të posaçëm, i cili të adresojë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të gjitha elementet e procesit të “screening”, duke reduktuar hapësirat për interpretime subjektive dhe qasje të paunifikuara.
- Pajtueshmëria me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe procesin e negociatave Edhe pse drafti pasqyron në plan formal strukturën e Rregullores (BE) 2019/452, ai nuk reflekton plotësisht dimensionin interpretues dhe balancues të Recital-eve të saj, të cilat janë thelbësore për një zbatim proporcional, të arsyetuar dhe të parashikueshëm të mekanizmit. Një akt nënligjor i fragmentuar rrezikon të mos sigurojë një konvergjencë reale me standardet dhe praktikat më të mira evropiane, veçanërisht në kontekstin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
- Qartësia, transparenca dhe siguria juridike Në formën aktuale, projektvendimi paraqitet i paqartë në tërësinë e tij dhe nuk garanton transparencë të mjaftueshme në procesin e shqyrtimit të investimeve. Përdorimi i terminologjisë së përgjithshme dhe të paqartë, si p.sh. “vlerësim siç duhet”, krijon hapësirë për interpretime të ndryshme dhe potencialisht për trajtim subjektiv të kërkesave për investim. Kriteret e vlerësimit të riskut duhet të jenë të përcaktuara qartë, objektive dhe të parashikueshme, në mënyrë që investitori i huaj të ketë siguri juridike dhe të mund të vlerësojë në mënyrë të informuar rrezikun rregullator.
- Arkitektura institucionale e vendimmarrjes Një risk i rëndësishëm lidhet me arkitekturën institucionale të vendimmarrjes. Drafti përqendron kompetenca shumë të gjera në një Komitet Ndërministror, pa parashikuar rregulla të detajuara për funksionimin e tij, përfshirë kuorumin, mënyrën e votimit dhe trajtimin e konflikteve të interesit. Kjo mungesë e rregullimit procedural krijon hapësirë për vendimmarrje diskrecionale dhe vështirëson mbrojtjen juridike të vendimeve.
- Afatet procedurale dhe proporcionaliteti Afati 5-ditor për plotësimin e dokumentacionit nga investitori i huaj, me pasojë anulimin e procedurës në rast mosrespektimi, konsiderohet joproporcional. Po ashtu, parashikimi i miratimit automatik të investimit në mungesë të një vendimi brenda afatit e lidh rezultatin e procedurës me rrjedhën formale të afateve dhe jo me vlerësimin substancial të rrezikut, duke krijuar dobësi strukturore në mekanizëm.
- Qasja procedurale ndaj investitorit të huaj Parashikimi i “thirrjes së investitorit të huaj në seancë dëgjimore” krijon perceptimin e një procedure hetimore ose ndëshkuese, e cila nuk është në përputhje me frymën nxitëse dhe mikpritëse që duhet të karakterizojë kuadrin ligjor për investimet e huaja.
- Nevoja për një qasje të re: Ligj i posaçëm për FDI Screening Në këtë kontekst, AmCham vlerëson se projektvendimi aktual duhet të ripunohet në tërësinë e tij dhe sugjeron hartimin e një ligji të posaçëm për shqyrtimin e investimeve të huaja, i cili të adresojë në mënyrë të qartë dhe koherente, ndër të tjera: fushat dhe sektorët subjekt të shqyrtimit; profilin dhe origjinën e investitorëve; pragjet e investimeve; kriteret e vlerësimit të riskut; strukturën institucionale; procedurat dhe garancitë procedurale; sanksionet; si dhe përputhshmërinë e plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian.







