Individët e vetëpunësuar, që marrin mbi 80% të të ardhurave nga një klient i vetëm ose mbi 90% nga më pak se tre klientë, brenda muajit mars 2026 duhet të vetëdeklarojnë të dhënat për kontraktuesit që ofrojnë shërbimet, mënyrën e punës etj., me qëllim vërtetimin e burimit të të ardhurave.
Vetëdeklarimi do të kryhet përmes plotësimit të formularit “Deklarata e Statusit të Vetëpunësuarit” dhe ka qëllim vërtetimin e burimit të të ardhurave, kur ato burojnë nga marrëdhëniet e biznesit, dhe jo nga punësimi, pasi shumë punonjës, për të shmangur tatimet apo për të ulur detyrimet tatimore, dolën nga listëpagesat dhe u regjistruan si individë të vetëpunësuar.
Me ndryshimet e miratuara në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, pjesë e paketës fiskale 2026, përcaktojnë se formulari i Deklaratës së Statusit të Vetëpunësuarit, do të dorëzohet në drejtorinë tatimore rajonale ku është i regjistruar subjekti, brenda të njëjtës periudhë me Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale, në muajin mars.
Në deklaratë do të plotësohen të dhënat të ndara në 5 seksione, për dy kontraktuesit apo dy bizneset që i vetëpunësuari ofron shërbimin e tij.
Së pari, të dhëna bazë për kontraktuesin e parë të vetëpunësuarit, si NIPT, emrin tregtar, adresë, vlerën e faturimit pa TVSH të kontraktuesit për individin e punësuar. Seksioni 2 i formularit do të përfshijë të dhëna të përgjithshme për kontraktuesin, pra për biznesin që i ofrohet shërbimi.
Seksioni 3 i deklaratës përqendrohet te sjellja e të vetëpunësuarit gjatë kryerjes së shërbimeve. Ai pyet nëse vetëpunësuari raporton mbi punën e tij, sa shpesh ofron shërbimet, dhe nëse është i detyruar t’i kryejë personalisht. Gjithashtu, kontrollohet nëse mund të përdorë ndihmës ose zëvendësues dhe nëse biznesi kontraktues përcakton mënyrën dhe sekuencën e punës.
Seksioni 4 fokusohet te kontrolli që ka i vetëpunësuari mbi faktorët dhe produktin e shërbimit. Ai kërkon informacion për materialet dhe pajisjet e përdorura, kush i ofron ato (vetëpunësuari apo biznesi kontraktues), dhe ku ofrohen shërbimet. Gjithashtu pyet nëse vetëpunësuari përpunon një pjesë të produktit në ambientet e veta dhe çfarë bën me produktin ose shërbimin përfundimtar.
Seksioni 5 përqendrohet te natyra e marrëdhënies mes të vetëpunësuarit dhe biznesit kontraktues. Ai pyet nëse puna bëhet me kontratë dhe për detajet e saj, nëse ka orare të përcaktuara, llojin dhe mënyrën e pagesës, dhe kush vendos tarifën. Gjithashtu kontrollon nëse ekziston rreziku financiar për vetëpunësuarin dhe nëse ka penalitete për mosrealizim të shërbimeve brenda afateve.
Nëse nga kjo deklaratë rezulton se ai realisht ushtron aktivitet të pavarur, atëherë Tatimet nuk e konsiderojnë punonjës të maskuar dhe ai do të vazhdojë të tatohet si biznes i vogël, me normë më të ulët tatimi dhe pa detyrime të plota si punonjës.
Vetëm ata që përdorin vetëpunësimin si formë shmangieje (p.sh. kompani që i regjistrojnë punonjësit si “të vetëpunësuar” për të shmangur detyrimet tatimore, ) sipas ndryshimeve në ligjin për tatimin mbi të ardhurat do të rikualifikohen si të punësuar.
Administrata tatimore do të përdorë këtë informacion për të vlerësuar nëse të ardhurat burojnë nga marrëdhënie të mirëfillta biznesi apo nga punësim i maskuar. Kjo pritet të shmangë penalizimet për profesionistët realë dhe të forcojë kontrollin ndaj shmangieve tatimore.
Pra kjo deklaratë do të shërbejë si mjet vlerësimi për administratën tatimore, për të përcaktuar nëse individi ushtron një aktivitet të mirëfilltë biznesi apo ndodhet në kushte shmangieje tatimore.
Me miratimin e ligjit të ri nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, u miratua edhe një rregull antishmangie, i cili parashikon se të ardhurat e fituara nga një individ i vetëpunësuar do të konsiderohen të ardhura nga punësimi, nëse: 80% ose më shumë e të ardhurave të fituara merren direkt ose indirekt nga një klient i vetëm; ose 90% ose më shumë e të ardhurave totale të fituara merren nga më pak se 3 klientë.
Nga ky rregull përjashtohen vetëm individët e vetëpunësuar që ofrojnë shërbime: vetëm për persona jorezidentë në Republikën e Shqipërisë, ose vetëm për entitete që nuk kanë seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë.
Autoritetet pranojnë se zbatimi praktik i rregullit antishmangie ka sjellë penalizime të padrejta për këtë kategori.
“Pas hyrjes në fuqi të rregullit antishmangie më 1 janar 2024, nga zbatimi praktik dhe kërkesat e subjekteve është vënë re se jo të gjitha subjektet që preken nga ky rregull kryejnë veprimtari punësimi. Disa prej tyre bazohen në marrëdhënie të mirëfillta biznesore, por për shkak të ecurisë së biznesit mund të përfshihen në skemën e vlerësimit të rregullit antishmangie.
Sipas të dhënave të administratës tatimore, numri i bizneseve që mund të preken nga ky rregull është rreth 6,000 subjekte, nga të cilat mbi 1,000 subjekte janë regjistruar dhe kanë funksionuar para vitit 2016, vit në të cilin u prezantua norma tatimore 0% për subjektet me qarkullim deri në 5 milionë lekë. Pra, rreth 19% e subjekteve që përfshihen në këtë skemë janë biznese që ekzistonin para krijimit të lehtësive tatimore për subjektet e vogla, të cilat më pas ndikuan në erozionin e bazës tatimore.
Pjesa më e madhe e këtyre subjekteve vlerësohet se janë persona fizikë që ushtrojnë një veprimtari të mirëfilltë biznesore”, theksohet në relacionin e ligjit.
Sakaq formulari nuk do të plotësohet nëse individi i vetëpunësuar ofron shërbime vetëm për persona jorezidentë në Shqipëri ose vetëm për entitete që nuk kanë seli të përhershme në Shqipëri. Në këtë rast, vetëpunësuari konsiderohet automatikisht se fiton të ardhura nga biznesi dhe nuk ka nevojë të dorëzojë deklaratën.







