“Klithma”, ky do të jetë libri i ri në tregun shqiptar nga shkrimtarja Alketa Gashi Fazliu. Libri do të përmbajë rrëfime të viktimave në luftën e Kosovës, për të sjellë dëshmi dhe prova të gjenocidit dhe masakrave shtetërore të Serbisë së Millosheviçit.
Përmes një postimi në rrjete sociale, shkrimtarja cilëson se “Klithma” sjell ato përjetime njerëzore të cilat janë harruar nga shkaktari, por që mbeten në historinë e përjetshme të një populli.
“Të dashur miq, ‘Klithma’ – Tregime nga sparagmosi barbar serb mbi fëmijët shqiptarë, është libri im i ri me klithmat dëshmuese të një lufte që e harron vetëm autori dhe shkaktuesi i tyre, por e ka tatu të paheqshëm në shpirt një popull me martirë dhe lëndime! ‘Klithma’ sjell rrëfimet në moshë të rritur të fëmijëve që u gjymtuan nga bombat dhe minat e një shteti shovinist. Tek klithmat e librit ‘Klithma’ ka dritë fjale dhe ndërgjegjeje të viktimave fëmijë, që në moshën madhore duan një botë të bukur dhe me shpirt të njerëzishëm. Sa krenare jam për këta heronj që sot janë qytetarët e Kosovës sime!”, shkruan ajo
Alketa Gashi Fazliu është shkrimtare, poete, redaktore, prezantuese dhe gazetare e vlerësuar në Kosovë dhe më gjerë. Ajo e filloi karrierën e saj në gazetari në “Radio Prizreni” në një moshë shumë të re. Ajo u bë fëmija i parë i regjistruar në media në Kosovë në nëntor të vitit 1999. Alketa është redaktore programacioni dhe prezantuese e Edicionit Qendror të Lajmeve, si dhe prezantuese e programit të mëngjesit në “Radio Televizionin e Kosovës”.








