HomeOP EDUji nuk po na mbyt. Po na flet/nga Doriana Musai

Uji nuk po na mbyt. Po na flet/nga Doriana Musai

Advertismentspot_img

nga Doriana Musai
Sot, në Ditën e Ujit të Bekuar, në vend që të hidhej robi në ujë, u hodh uji mbi robt. Pamjet nga Durrësi, Gjirokastra, Lezha – dhe më tej rrugë e autostrada të kthyera në kanale të përmbytura– janë bërë tashmë pjesë e një rituali vjetor: tre ditë vëmendje, disa kronika, dhe më pas arkivimi nën një togfjalësh të rehatshëm “fatkeqësi natyrore”.

Por në qytete, fatkeqësitë rrallë janë natyrore. Janë pothuajse gjithmonë rezultat i vendimeve njerëzore.

Shiu nuk është problemi!

Reshje prej 4–5 mm për disa orë nuk duhet të përmbytin qytete. Nëse ndodh, problemi nuk është qielli. Problemi është toka mbi të cilën kemi ndërtuar dhe mënyra si kemi vendosur ta përdorim atë. Qytetet shqiptare në dekadat e fundit janë zhvilluar duke e trajtuar natyrën si një pengesë që duhet kapërcyer duke e manipuluar, jo si një sistem që duhet kuptuar dhe respektuar.

Kemi ndërtuar me logjikën e fitimit të shpejtë dhe të qarkullimit të parasë, jo me logjikën e qëndrueshmërisë urbane. Kjo ka prodhuar një mori veprash që duken solide, por që funksionojnë si kështjella rëre: rezistente sa koha është e mirë, të pambrojtura ndaj dallgës së parë.

Kështjella rëre si model urban

Të gjithë e njohim lojën e kështjellave të rërës në bregdet. Ndërtojmë larg ujit, krijojmë një barrierë të përkohshme dhe e dimë se vepra jonë do të zhduket sapo deti të ndryshojë ritëm. Është një lojë e ndërtuar mbi vetëdijen e përkohshmërisë.

Paradoksi është se, megjithëse e njohim shumë mirë këtë proces, kemi ndërtuar qytete me të njëjtën logjikë fëmijërore: pa struktura mbrojtëse, pa distanca sigurie, pa bazamente reale. Qytete që nuk janë projektuar për të përballuar as reshje normale, jo më ndryshimet klimatike që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Ajo që nuk shihet nën këmbët tona

E vërteta e përmbytjeve nuk është në sipërfaqe, por nën tokë. Aty ku infrastruktura urbane ose mungon, ose është e amortizuar. E dimë që nuk kemi rrjete elektrike të futura nën tokë sepse shohim rrjetat e merimangës mbi kokë. E dimë që nuk kemi sisteme funksionale të trajtimit të ujërave të zeza sepse ndjejme aromën e fekaleve nëpër qytet. E dimë që mbetjet urbane nuk kanë një cikël të mbyllur menaxhimi sepse kemi paguar inceneratorë dhe kemi në këmbim disa dhjetra të burgosur sepse kanë vjedhur paratë. E dimë që uji i pijshëm nuk është as i garantuar, as cilësor pasi ia ndjejmë aromën dhe ia shohim ngjyrën në rubinet.

Në dy dekada kemi ndërtuar pafund mbi tokë, por kemi investuar pothuajse asgjë në atë që mban qytetin në këmbë: infrastrukturën nën tokë.

Dhe kjo është një zgjedhje politike, jo një rastësi.
Kur pusetat shpërthejnë dhe kanalet bllokohen, qyteti thjesht nxjerr në sipërfaqe atë që është neglizhuar për vite me radhë.

Pyetje që nuk bëhen kurrë

Zhvillimi urban nuk është vetëm çështje metrash katrorë ndërtimi. Është çështje kapacitetesh. Dhe këto kapacitete nuk pyeten kurrë.

Kur ndërtohet një kullë shumëkatëshe, nuk pyetet sa ujë do të shkarkohet në rrjet, sa mbetje do të prodhohen, sa presion shtesë do të përballojë infrastruktura ekzistuese. Kur ndërtohet një kompleks i ri turistik, nuk pyetet nëse ndodhet mbi një shtrat lumi, një zonë përmbytjeje apo një habitat natyror. Kur ndërtohet një port apo një aeroport, nuk diskutohet se çfarë sistemi natyror po ndërpritet ose po devijohet.

Në mungesë të këtyre pyetjeve, çdo ndërhyrje e re shton rrezikun e krizës së radhës.

Qyteti nuk është dekor

Problemi themelor është se qyteti është trajtuar si një dekor vizual dhe jo si një organizëm. Një skenografi për investime, jo një sistem kompleks marrëdhëniesh mes tokës, ujit, infrastrukturës dhe njerëzve.

Por natyra nuk ndëshkon, ajo thjesht reagon dhe sa herë që qytetet përmbyten nga reshje minimale, ajo na kujton se nuk mund të ndërtojmë sikur ligjet e saj të mos ekzistonin.

Qytetet që i përmbyt dallga e parë nuk janë viktima të shiut. Janë viktima të një modeli zhvillimi që ka zgjedhur të injorojë gjithçka që nuk duket në sipërfaqe.

Në fund, uji nuk po na mbyt. Po na flet. Del nga pusetat, mbulon rrugët dhe ndalon qarkullimin për të na treguar aty ku kemi mbyllur sytë për vite. Përmbytjet nuk janë surprizë dhe as fatkeqësi; janë pasqyrë. Pasqyrë e një qyteti që është rritur pa rrënjë, pa bazamente dhe pa respekt për territorin ku shtrihet. Dhe sa herë që uji del në rrugë, ai nuk sjell lajme nga qielli, por nga nëntoka – aty ku janë grumbulluar vendimet e gabuara të viteve. Qytetet që i përmbyt dallga e parë nuk janë qytete të ndëshkuara nga natyra, por qytete që kanë harruar se mbi çfarë janë ndërtuar.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular