Ndarja nga jeta e Aktorit të Madh Sandër Prosi vazhdon të sjellë diskutime por dhe zhvillime të reja. Gazetari Milaim Zeka ka bërë një deklaratë të fortë ndërsa shton se ka parë dosjen e sigurimit të shtetit.
Në studion e “Top Story” në Top Channel gazetari Milaim Zeka tha se ka parë dosjen e Ish-Sigurimit të Shtetit për Sandër Prosin, ku thuhet se ka kryer aktin e vetëflijimit në Durrës pasi është takuar me këngëtaren.
“Nexhmije Pagarusha ka qenë një nga gratë më të bukura që e ka dashur me shpirt Sandër Prosin. Ata janë takuar dhe vetëm pse janë takuar dhe kanë ndenjur me njeri-tjetrin, sipas burimeve të mia, jo thashethemeve, por të dosjes, Sandër Prosi ka bërë vetëvrasje për shkakun e të madhes Nexhmije Pagarusha. Sandër Prosi ka bërë vetëvrasje në hotel Vollga. Ka ekzistuar një lidhje miqësie shumë e madhe mes Nexhmiije Pagarushës dhe Sandër Prosit, kjo është e dokumentuar”, deklaroi Zeka.
Sipas versionit zyrtar, aktori i madh shqiptar Sandër Prosi u vetëvra më 25 shkurt 1985 në Prizren, gjatë xhirimeve të filmit “Pranverë e hidhur”. Ai u hodh nga dritarja e katit të dytë të hotelit ku ishte i akomoduar ku gjeti vdekjen.
Megjithatë, prej vitesh kanë qarkulluar dyshime dhe polemika mbi aktin e Sandër Prosit.
Sipas njerëzve që e njihnin aktori ishte i lodhur psikologjikisht, vuante nga pagjumësia dhe ankthi, Ishte tepër i ndjeshëm dhe perfeksionist dhe kishte pakënaqësi profesionale dhe ndiente se nuk vlerësohej sa duhet.
Sandër Prosi ka luajtur rreth 20 filma artistikë shqiptarë ku ndër kryesorët kanë qenë • “Tana” (1958) – një nga filmat e parë shqiptarë ku spikati; “Debatik” (1961); “Ngadhënjim mbi vdekjen”; “I teti në bronz” (1970); “Malet me blerim mbuluar” (1971); “Treni niset në shtatë pa pesë” (1981).
Nexhmije Pagarusha ishte një nga figurat më të mëdha dhe më të dashura të muzikës shqiptare, e njohur gjerësisht si “Bilbili i Kosovës”. Këngë më të njohura janë “Baresha” (kënga e saj simbol); “Mora testin”; “Ani mori nuse”; “Ç’u ngrit lulja në mëngjes”. Top Channel







