HomeEkonomiShqipëria në Interreg Europe, 2 milionë euro për zhvillimin rajonal

Shqipëria në Interreg Europe, 2 milionë euro për zhvillimin rajonal

Advertismentspot_img

Mbi 2 milionë euro për Shqipërinë, qasje të reja për politikat rajonale dhe bashkëpunim me dhjetëra rajone europiane, këto janë përfitimet kryesore që sjell pjesëmarrja e vendit në programin Interreg Europe.

Përmes ratifikimit të marrëveshjes së financimit, Shqipëria forcon rolin e saj në bashkëpunimin ndërrajonal evropian dhe hap rrugën për shkëmbimin e praktikave më të mira në zhvillimin rajonal.

Sipas të dhënave të projektit, Programi Interreg Europe ka një vlerë totale prej 493.103.338 euro për të gjitha vendet pjesëmarrëse.

Kontributi maksimal i Bashkimit Europian për këtë program është 394.482.670 euro, ndërsa bashkëfinancimi i të gjitha shteteve pjesëmarrëse arrin në 98.620.668 euro.

Norma e bashkëfinancimit të Bashkimit Europian në nivel programi nuk do të jetë më e lartë se 80% e shpenzimeve të pranueshme.

Duke marrë në konsideratë ndarjen e kontributit të Bashkimit Europian, numrin e shteteve pjesëmarrëse dhe kapacitetet zbatuese të përfituesve shqiptarë, parashikohet që, për periudhën e zbatimit të marrëveshjes financiare, Shqipëria të përfitojë një shumë prej rreth 2.000.000 eurosh.

Projektet e financuara nga ky program do të zbatohen në partneritet ndërmjet shteteve pjesëmarrëse dhe kërkojnë përfshirjen e përbashkët në projekt të përfituesve nga vendet IPA dhe shtetet anëtare të Bashkimit Europian, duke nxitur bashkëpunimin ndërrajonal dhe shkëmbimin e përvojave në nivel evropian.

Objektivi i përgjithshëm i programit Interreg Europe është përmirësimi i zbatimit të politikave të zhvillimit rajonal, duke përfshirë investimet për vendet e punës dhe programet e objektivave të rritjes.

Programi nxit shkëmbimin e përvojës, qasjeve novatore dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale në lidhje me identifikimin, shpërndarjen dhe transferimin e praktikave të mira ndërmjet aktorëve të politikave rajonale.

Fokusi mbi objektivin specifik të Interreg, “qeverisja më e mirë e bashkëpunimit”, nënkupton që përfituesit mund të bashkëpunojnë në të gjitha fushat me rëndësi të përbashkët, në përputhje me nevojat e tyre rajonale, për sa kohë që këto fusha përfshihen në politikën e kohezionit të Bashkimit Europian.

Nga një perspektivë tematike, kjo fushë përcaktohet nga objektivat e politikës dhe objektivat specifikë të politikës së kohezionit, ndërkohë që programi njeh nevojën për përqendrimin e burimeve në ato fusha politike që janë më të rëndësishme dhe më urgjente për rajonet në Europë.

Për të arritur një ekuilibër ndërmjet gjerësisë tematike dhe fokusit strategjik, programi do të përqendrojë 80% të buxhetit në fushat tematike të mbuluara nga një përzgjedhje e objektivave specifikë (“Grupi 1”), ndërsa 20% e mbetur e buxhetit mund t’u akordohet fushave tematike të përfshira në objektiva të tjerë specifikë të politikës së kohezionit (“Grupi 2”).

Grupi 1 përfshin fushat tematike të lidhura me:

  • Evropën më inteligjente;
  • Evropën më të gjelbër;
  • Evropën më sociale, në lidhje me tregjet e punës, kujdesin shëndetësor, kulturën dhe turizmin e qëndrueshëm.

Grupi 2 përfshin fushat tematike të lidhura me:

  • Evropën më të lidhur;
  • Evropën më pranë qytetarëve;
  • Evropën më sociale, në lidhje me arsimin, përfshirjen socio-ekonomike dhe integrimin e shtetasve të vendeve të treta.

Programi Interreg Europe synon aktorët e politikës rajonale, ku përfshihen autoritetet kombëtare, rajonale dhe lokale, si dhe organet e tjera përkatëse përgjegjëse për përcaktimin dhe zbatimin e politikave të zhvillimit rajonal.

Përbërja e këtij grupi të synuar është mjaft e larmishme, duke pasqyruar diversitetin e kushteve institucionale dhe gjeografike në shtetet partnere.

Vendet pjesëmarrëse do të ngrenë një sistem të përbashkët menaxhimi për koordinimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të programit operacional.

Në rastin e Republikës së Shqipërisë, autoriteti kombëtar për këtë program është ngritur pranë Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Periudha e ekzekutimit të kësaj marrëveshjeje financiare fillon me hyrjen në fuqi ose me zbatimin e përkohshëm të saj, në përputhje me nenin 57 të marrëveshjes, dhe përfundon 15 vjet pas kësaj date.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular