Vijon të mbetet kritike situata nga përmbytjet në vend, për shkak të reshjeve të dendura të shiut që prej ditës së djeshme.
Më e goditura nga përmbytjet është Gjirokastra. 70 biznese, shumë shtëpi dhe automjete janë shkatërruar në lagjen “18 shtatori”. Pamjet gati apokaliptike me masive inertesh dhe gurësh në rrugë e dyqane janë pasojë e vërshimeve masive të lumenjve dhe përrenjve.
Të paktën 800 banesa të përmbytura dhe 304 persona të evakuuar, është bilanci paraprak i përmbytjeve në Durrës. Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut, situata në Durrës duket më e qetë, por mbetet problematike gjendja në disa zona të qytetit, kryesisht në periferi. Edhe në burgun e Durrësit situata mbetet problematike. Oborri dhe kati i parë i godinës ka prani të lartë uji. Mësimi nuk po zhvillohet as sot në disa shkolla oborret e të cilave janë nën ujë.
Gjatë natës në Lezhë pati më pak reshje, por sot situata paraqitet më problematike në Laç. Disa familje janë evakuar dhe shumë shtëpi janë të rrethuara nga uji.
Niveli i lumit Vjosa ka arritur në 7.2 metra mbi nivelin e detit dhe po i afrohet pikës kritike. Raportohet të ketë dalë nga shtrati në zonën e pazarit pranë urës së Mifolit.
Situata paraqitet mjaft e rëndë në disa zona të thella të Bashkisë Kukës, ku një numër i madh fshatrash vijojnë të jenë të bllokuara si pasojë e motit të keq dhe rrëshqitjeve masive të dherave. Gjendja më serioze raportohet në njësinë administrative Zapot, ku të tre rrugët që lidhin këtë zonë me qytetin e Kukësit janë bllokuar plotësisht.
Për shkak të inerteve dhe dherave në aksin Qafë Plloçë – Qukës, aktualisht po mbyllet qarkullimi në këtë segment. Mësohet nga informacionet më të fundit, se për të marrë masa lidhur me qarkullimin e mjeteve dhe për të shmangur rrezikun si në rastin e mjetit të aksidentuar paraditen e sotme, është mbyllur përkohësisht qarkullimi në këtë aks.
19:59 Reshjet e dendura të shiut, rrëshqitje dherash në Gjirokastër, rrezikohen banesat në lagjen Manalat
Moti i keq ka shkaktuar një situatë problematike në Gjirokastër. Në lagjen Manalat ka pasur edhe rrëshqitje dherash, ku si pasojë një mjet i parkuar, është zhvendosur disa metra më poshtë. Për fat të mirë nuk raportohet për persona të lënduar.
17:08 Shembje shkëmbinjsh e dherash bllokojnë aksin Burrel-Rrëshen, qarkullimi i mjeteve kalon në një sens
https://www.youtube.com/embed/sJ3Ui34b-Sc?si=5-S5pqNH4CSS153e&start=3
Aksi nacional Burrel – Rrëshen është vështirë të qarkullohet me çdo lloj mjeti për shkak të probleme të shumta. Veç amortizimit ndër vite të këtij aksi rrugor, reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar shembje të shkëmbinjve dhe rrëshqitje të dherave në disa segmente.
Qindra hektarë tokë janë përmbytur nga shiu në qarkun e Shkodrës. Nga informacionet e përditësuara deri në ora 15:30, situata paraqitet si më poshtë: Në Bashkinë Shkodër vijon puna për montimin e urës tip “Bailey” në fshatin Bardhaj, ndërkohë që strukturat e Emergjencave Civile po monitorojnë nga afër zonat me prezencë uji.
16:16 E ndërtuar në fund të dhjetorit, reshjet e dendura të shiut dëmtojnë rrugën e re në Durrës
Një investim i sapopërfunduar është kthyer brenda pak ditësh në burim zhgënjimi dhe problem për banorët e lagjes nr. 8 në qytetin e Durrësit. Pak ditë pas asfaltimit, reshjet e një dite më parë nxorën në pah cilësinë e dobët të punimeve. Rruga është rehabilituar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në fund të dhjetorit, por mjaftoi një ditë shi që asfalti të dëmtohej.
16:00 “M’u shkatërrua gjithçka”/ Biznesmeni përlotet në Gjirokastër: Dëmi 100 mijë euro
Gjirokastra u përfshi mbrëmjen e të martës nga reshje të dendura shiu, të cilat shkaktuan përmbytje masive në qytet. Situata u përkeqësua pas daljes nga shtrati të përroit të Ficos, duke bërë që uji të vërshonte në rrugicat e qytetit dhe disa biznese të përmbyten. Në një prononcim për Top Channel, pronari i një dyqani syzesh optike tha se dëmet mund të arrijnë deri në 100 mijë euro.
15:42 Rrëshqitje masive e dheut në aksin Gjirokastër-Tepelenë, bllokohet një sens lëvizjeje
Për shkak të rrëshqitjes së një masivi dheu dhe gurësh, aksi rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, konkretisht në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, funksionon me një sens lëvizjeje.
15:05 Ish-këneta në Durrës ‘nën ujë’, banorja mes lotësh: Duam dëmshpërblim, kam lënë vajzën e sëmurë…
Një grup banorësh të zonës së ish-Kënetës, Durrësit të Ri, kanë protestuar këtë të mërkurë për të kërkuar ndihmë, pasi banesat e tyre vijojnë të jenë nën ujë, ndërsa pasdite parashikohen reshje të tjera.
14:47 Reshjet e shiut në vend, bllokohet aksi Gjirokastër-Tepelenë, krijohet radhë mjetesh 10km e gjatë
Qarkullimi në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë në afërsi të fshatit Hormovë është paralizuar prej disa orësh. Në pamjet e siguruara nga Top Channel vërehet rruga e bllokuar komplet nga rrëshqitja e dheut dhe gurëve në anë të shpatit.







