HomeAktualitetSiguruesit: 96% e shoferëve me sigurim më të ulët në 2026, në...

Siguruesit: 96% e shoferëve me sigurim më të ulët në 2026, në total paguhen 5 milionë euro më pak

Advertismentspot_img

Siguruesit parashikojnë që nisja e aplikimit të sistemit bonus-malus do të ketë një efekt negativ në nivelin 4.5-5 milionë euro mbi primet e shkruara bruto në sigurimin e detyrueshëm motorik.

Drejtues të kompanive shprehen për “Monitor” se llogaritet që nga 100 drejtues mjetesh që kanë kryer sigurimin e detyrueshëm TPL vitin e kaluar, rreth 4% e tyre kanë shkaktuar dëme. Kjo kategori e drejtuesve do të paguajë një prim sigurimi më të lartë për vitin 2026 (rreth 18% më shumë). Ndërkohë, pjesa më e madhe e drejtuesve të mjeteve, rreth 96% e tyre do të përfitojnë një bonus ose ulje të çmimit të sigurimit të detyrueshëm motorik me afërsisht 3% për vitin 2026.

Duke qenë se numri i drejtuesve të mjeteve që nuk kanë shkaktuar dëme është shumë më i lartë se ai që kanë shkaktuar dëme, efekti në vlerën totale të primeve që do të arkëtojnë kompanitë këtë vit pritet të jetë negativ. Sipas përllogaritjeve të siguruesve, ky efekt pritet të jetë rreth 4.5-5 milionë euro.

Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për 12 muajt e fundit statistikorë (dhjetor 2024-nëntor 2025) kompanitë e sigurimit e sigurimit kanë lidhur gjithsej afërsisht 747 mijë kontrata sigurimi. Mbi këtë shifër, mund të vlerësohet se rreth 30 mijë drejtues mjetesh do të paguajnë një prim më të lartë gjatë vitit 2026. Pjesa e mbetur, rreth 717 mijë drejtues mjetesh, do të paguajnë një prim sigurimi më të ulët.

Aplikimi i sistemit bonus-malus është i parashikuar në ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që ka hyrë në fuqi qysh në vitin 2021. Megjithatë, ligji e parashikon si të drejtë të kompanive të sigurimit, por jo si një detyrim.

Zbatimi i parimit bonus-malus u bë i mundur vetëm pas miratimit të rregullores “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”. Kjo rregullore hyri në fuqi në fillim të vitit 2025, por pa përfshirë elementin bonus-malus, që ka nisur të aplikohet prej 1 janarit të këtij viti.

Sistemi bonus-malus parashikon që drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dëme do të paguajnë një prim sigurimi më të lartë në vitin pasardhës, ndërsa ata që nuk shkaktojnë dëme një prim më të ulët. Për drejtuesit që kanë shkaktuar një dëm të vetëm do të llogaritet një koeficient 1.18 mbi primin bazë, ndërsa për ata që kanë shkaktuar dy ose më shumë dëme do të aplikohet një koeficient 1.39.

Për momentin, sistemi do të bazohet në historikun e dëmeve të një viti më parë. Në rast se një drejtues mjeti që ka shkaktuar dëm në 2025 nuk shkakton përsëri dëme këtë vit, ai do të përfitojë bonusin prej 3% në primin e sigurimit për 2027.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular