Eurocontol miratoi së fundmi tarifat e terminalin për Aeroportin e Tiranës dhe atë të Kukësit (edhe pse ky i fundit nuk ka fluturime). Ky është i katërti vit radhazi që tarifat rishikohen në ulje e lidhur kjo me volumin në rritje të fluturimeve.
Eurocontrol, organizata që menaxhon trafikun ajror europian dhe faturon e mbledh tarifat (për llogari të Albcontrol), vendosi që për vitin 2026, tarifa për Aeroportin e Tiranës të jetë 191.71 euro euro/avion nga 214 euro në vitin 2025, me një ulje rreth 10.5%.
Për Aeroportin e Kukësit i kategorizuar si aeroport i zonës 2, tarifa e miratuar nga Eurocontol për këtë vit është 95.85 euro nga 107 euro në vitin paraardhës.
Interesi që paguhet për detyrimet që nuk shlyhen në kohë ka shënuar ulje gjithashtu ku nga 13.79 për qind që ishte vitin e shkuar, gjatë 2026-ës rezulton 12.38 për vit.
Shqipëria ka dy aeroporte funksionalë, ndërkohë që një i tretë po ndërtohet në Vlorë dhe që parashikohet të përfundojë dhe të nisë operimet këtë verë, të paktën siç është deklaruar nga institucionet.
Kjo gjithsesi mbetet e paqartë për shkak se nuk ka një konfirmim të fundit mbi punimet. Shqipëria po përjeton vitet e fundit një bum turistik ku vizitorët që vijnë nga ajri po zënë peshë gjithmonë e më të madhe.
Vetëm në Aeroportin e Tiranës gjatë vitit 2025 iu është shërbyer 10.1 milionë pasagjerëve. Deri në fund të dhjetorit 2025, Shqipëria priti mbi 12 milionë turistë.
Çfarë është tarifa e terminalit
Në një shpjegim të zgjeruar të Eurocontrol tarifat e terminalit janë fatura që dërgohen nga Eurocontol çdo muaj (në mes të muajit pasues) për fluturimet që u zhvilluan në muajin paraardhës bashkë me faturën e tarifës së itinerarit.
Dokumentet e faturimit tregojnë qartë shtetin për të cilin vilen këto para. Termat e pagesës për pjesën e tarifave të terminalit janë të njëjta me ato të itinerarit që aplikohen nga Eurocontrol që do të thotë 30 ditë nga data e faturimit.
Lidhur me mënyrën sesi llogariten këto tarifa, Eurocontrol sqaron se vendet anëtare përcaktojnë zonat e tarifimit për terminalet që mund të jetë një aerodrom apo disa aerodrome që lokalizohen në një vend të caktuar ku ofrohen shërbime për të cilën duhet të paguhet tarifë. Tarifat e terminalit vendosen vetëm për fluturimet që nisen dhe marrin parasysh dy elemente thelbësore.
Së pari, peshën e avionit që niset dhe së dyti, njësinë e tarifës për aerodromin nga ku bëhet nisja. Rezultati që merret pasi bëhet shumëzimi i dy elementëve është vlera që paguhet për terminalin. Faktori i peshës llogaritet në ton metrike./Monitor







