Një aksion i gjerë antikorrupsion ka tronditur Kosovën, ku Krimet Ekonomike të Policisë, nën drejtimin e Prokurorisë së Prizrenit, kanë arrestuar dhjetëra persona në disa qytete të vendit, nën dyshimet për keqpërdorim masiv financiar, falsifikim dokumentesh dhe abuzim me autorizimet në ekonomi. Operacioni, që shtrihet nga Prishtina në Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjilan e më gjerë, ka në fokus mbi 40 persona.
Në qendër të hetimit ndodhet ish-drejtori ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku, arrestuar për dyshime serioze për pagesa të pajustifikuara mbi 1 milion euro gjatë viteve 2022–2023.
Sipas gazetës Sinjali disa nga të arrestuarit e tjerë: Valon Berisha-ish drejtor i financave në BKS dhe Valon Duraj, Naser Biri, ish pronari i Parts Center.
Sipas gjetjeve të Auditimit të Brendshëm të BKS-së, janë kryer 166 pagesa jashtë çdo procedure ligjore, pa raporte policore, pa vendime komisionesh dhe pa evidencë në sistemin zyrtar të dëmeve.
Raporti i auditimit i klasifikon këto shpenzime si “Rrezik i Lartë”, duke ngritur dyshime për abuzim financiar dhe shpëlarje parash.
Fondet dyshohet se janë shpërndarë tek 43 individë dhe një subjekt juridik, pa asnjë kërkesë zyrtare për dëm, ndërsa dokumentohen edhe kompensime të dyfishta dhe rritje artificiale të vlerave të dëmeve.
Hetimi penal është zgjeruar ndjeshëm dhe arrestimi i Mazrekut shihet si kulmi i një zinxhiri shkeljesh të rënda brenda BKS-së, institucion që tashmë përballet me një nga skandalet më të mëdha financiare të viteve të fundit.
Autoritetet paralajmërojnë se aksioni vijon, ndërsa priten zhvillime të reja dhe arrestime të tjera.








