HomeOP EDShqipëria nuk ka nevojë për rotacion elektoral, por për Reformë themelore!/NGA TAULANDA...

Shqipëria nuk ka nevojë për rotacion elektoral, por për Reformë themelore!/NGA TAULANDA JUPI

Advertismentspot_img

NGA TAULANDA JUPI
Shqipëria sot ka nevojë për një reformë themelore, më të thellë se çdo rrotacion elektoral.

Një reformë që të rrëzojë piramidën e korrupsionit, të çlirojë zgjedhjet nga pazaret politike dhe t’i kthejë institucionet, ekonominë dhe median në shërbim të interesit publik. Pa këtë debat dhe pa këtë vizion, çdo betejë politike do të mbetet një luftë për pushtet, jo për shtet. Dhe ky është thelbi i krizës që Shqipëria vazhdon të përjetojë.

Po, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen si koka e një piramide korrupsioni. Por të pretendosh se kriza në në Shqipëri zgjidhet me largimin e tij është alibia më e dëmshme politike për një debat të kontrolluar që shmang thelbin: kriza politike në Shqipëri nuk është thjesht krizë emrash, por krizë e një sistemi që mbron status quo-në. Në këtë sistem, Edi Rama sot është koka e kësaj piramide korrupsioni dhe pushteti, ku politika, ekonomia, media dhe institucionet janë të lidhura në mënyrë vertikale dhe funksionojnë si një trup i vetëm.

Por kjo piramidë nuk qëndron vetëm mbi një individ, por mbi marrëveshje, interesa dhe bashkëfajësi e bashkëpunim të shpërndara në të gjithë sistemin. Debati politik është shndërruar në një ritual bosh, ku përplasja mes qeverisë dhe opozitës nuk prodhon as alternativë dhe as ndryshim, por vetëm riciklon pushtetin ( pozitë – opozitë) brenda të njëjtave marrëveshje, të njëjtëve individë.

Shqiparët nuk harrojnë: Opozita parlamentare ka humbur legjitimitetin e saj, votimi i përbashkët i Kodit Zgjedhor më 26 korrik 2024 e ekspozoi dhe faktoi këtë bashkëfajësi: një pazar politik, që i garantoi Edi Ramës vazhdimësinë e pushtetit dhe opozitës ruajtjes së status quo-së opozitare, pa rrezikuar balancat ekzistuese. Problemi, pra, nuk është thjesht korrupsioni i qeverisë aktuale, as mungesa e rrotacionit politik. Këto janë simptoma. Sëmundja është më e thellë dhe lidhet me mënyrën se si është ndërtuar sistemi politik, zgjedhor dhe ekonomik në këto 35 vite tranzicion.

Një sistem që prodhon vazhdimisht përqendrim pushteti, kapje institucionesh dhe lidhje të pandashme mes politikës, parasë dhe interesave kriminale. Zgjedhjet, të cilat në teori duhet të jenë mekanizmi kryesor korrigjues i demokracisë, janë kthyer në hallkën më të dobët të saj. Kontrolli i administratës, financimi informal i partive dhe mungesa e garës reale e kanë zhveshur votën nga funksioni i saj përfaqësues.

Në këtë kontekst, rotacioni politik nuk e shëron sistemin, por thjesht e riprodhon atë. Partitë politike funksionojnë si struktura të mbyllura dhe të centralizuara, pa demokraci të brendshme dhe transparencë, pa garë duke pamundësuar përfaqësimin real. Paralelisht, vendi ka devijuar drejt një modeli oligarkik ku pushteti politik dhe interesat ekonomike janë të ndërthurura, duke zëvendësuar zhvillimin real me klientelizëm.

Edhe media, e varur nga fondet publike dhe interesat private, ka humbur rolin informues e kontrollues, duke e kthyer debatin publik në propagandë të kontrolluar në funksion të këtij sistemi. Për ta zgjidhur këtë krizë nuk mjafton rotacioni politik.

Ajo që sot i duhet Shqipërisë është shembja e një sistemi të bazuar në pazare, kapje institucionesh dhe përjashtim të qytetarëve nga vendimmarrja reale.

Pa një debat të gjerë, të hapur dhe real, pa një projekt politik që garanton demokraci reale, zgjedhje të lira, ekonomi konkurruese dhe media të pavarur, çdo ndryshim, çdo rotacion mbetet formë, nuk e zgjidh krizën por e riprodhon atë.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular