Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë në Klos, në vendin e quajtur “Ura e Halilit”, ku një automjet u gjet në rrjedhën e një përroi
Sipas policisë, mjeti tip “Audi” me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars. Shofer ka qenë shtetasi me iniciale A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos, i cili ka rezultuar se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur
24-vjeçari dyshohet se pas aksidentit është larguar nga vendngjarja dhe nuk ndihmuar 30-vjeçarin Jurgen Karaj të dalë nga mjeti, i cili sipas bluve, dyshohet se ka qenë në makinë me të riun.
Trupi i Jurgen Karaj ende nuk është gjetur, ndërsa dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.
Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 01:30, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës. Nga veprimet e shpejta të kryera nga shërbimet e Policisë u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.
Po nga veprimet dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi J. K., 30 vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.
Gjatë veprimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan shtetasin A. L., 24 vjeç, i cili dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja.
Ky shtetas iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, shtetasit J. K.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.







