HomePolitikeOpozita deklarohet kundër “amnistisë fiskale”, ligji drejt Gjykatës Kushtetuese

Opozita deklarohet kundër “amnistisë fiskale”, ligji drejt Gjykatës Kushtetuese

Advertismentspot_img

Opozita ka paralajmëruar se do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin “Për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore”, të cilin e konsideron një akt me pasoja të rënda për ekonominë dhe shtetin e së drejtës.

Qëndrimi u bë publik nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila e cilësoi amnistinë fiskale si një nismë që, sipas opozitës, hap rrugën për legalizimin e pasurive të krijuara nga aktiviteti informal dhe i paligjshëm.

Sipas opozitës, ligji krijon terren për pastrimin e parave në ekonominë shqiptare, një fenomen që, siç është evidentuar edhe “në raporte ndërkombëtare, ka qenë i pranishëm prej vitesh në sektorë si ndërtimi, lojërat e fatit dhe turizmi”.

PD argumenton se amnistia fiskale jo vetëm që nuk lufton informalitetin, por përkundrazi e stimulon atë, duke dëmtuar rëndë kulturën e pagesës së taksave në të ardhmen.

Në qasjen e saj kritike, opozita thekson se ligji krijon pabarazi të thellë mes bizneseve që kanë respektuar rregullat dhe atyre që kanë shmangur detyrimet tatimore, duke penalizuar ndershmërinë dhe duke shpërblyer shkeljen e ligjit.

Po ashtu, sipas PD-së, kjo nismë është e padrejtë ndaj bizneseve që janë mbyllur për shkak të pamundësisë për të përballuar barrën fiskale, ndërsa u jep mundësi subjekteve që kanë operuar në të zezë të legalizojnë pasurinë e tyre.

Deputetja Tabaku vuri në dukje se problematikat e ligjit janë të tilla sa, sipas saj, edhe Presidenti i Republikës ka zgjedhur ta kalojë atë “në heshtje”.

Në këtë kontekst, opozita paralajmëron se do të ndërmarrë çdo hap institucional për të penguar zbatimin e ligjit, duke nisur nga ankimi në Gjykatën Kushtetuese dhe duke vijuar me denoncimin e tij në instancat ndërkombëtare.

Ligji “Për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore” parashikon fshirjen e plotë të borxheve mbi 10 vjet, lehtësime të pjesshme për detyrimet 5-10 vjeçare dhe faljen e gjobave e kamatvonesave për borxhet deri në 5 vjet, me kusht pagesën e detyrimit kryesor brenda 31 dhjetorit 2026, ndërsa përjashton subjektet në ndjekje penale apo hetim tatimor.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular