HomeKryesorePërfaqësuesja Rezidente e BERZH-it, Solovova: Shqipëria ka nevojë për politika aktive për...

Përfaqësuesja Rezidente e BERZH-it, Solovova: Shqipëria ka nevojë për politika aktive për rikthimin e talenteve

Advertismentspot_img

Intervistë me Ekaterina Solovova, Përfaqësuese Rezidente e BERZH-it në Shqipëri

Rritja ekonomike e Shqipërisë ka mbetur e fortë vitet e fundit, e mbështetur kryesisht nga turizmi, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme.

Megjithatë, ky model po shfaq kufizimet e tij, ndërsa ekonomia përballet me sfida strukturore si mungesa e diversifikimit, produktiviteti i ulët dhe emigrimi i lartë i fuqisë punëtore të kualifikuar.

Në këtë intervistë për “Monitor”, Ekaterina Solovova, Përfaqësuese Rezidente e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri, thekson se tranzicioni drejt një modeli ekonomik më të balancuar, të bazuar në investime në kapital njerëzor, inovacion dhe ekonomi të gjelbër, është thelbësor për zhvillimin afatgjatë.

Ajo nënvizon gjithashtu se pa përmirësime të dukshme në qeverisje dhe në klimën e biznesit, Shqipëria rrezikon të humbasë avantazhin e saj demografik, duke e bërë rikthimin dhe tërheqjen e talenteve një nga sfidat më kritike për të ardhmen ekonomike të vendit.

Si e vlerësoni performancën e ekonomisë shqiptare në vitin 2025?

Rritja ekonomike mbeti e fortë në gjysmën e parë të vitit 2025, ndonëse u moderua lehtë krahasuar me një vit më parë, me Prodhimin e Brendshëm Bruto që u zgjerua me 3.6% në terma vjetorë.

Kjo rritje u nxit kryesisht nga turizmi, pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi. Pavarësisht tkurrjes në disa sektorë, si industria dhe bujqësia, si edhe sfidave të konkurrueshmërisë të shkaktuara nga forcimi i monedhës, konsumi qeveritar dhe eksportet e shërbimeve vijuan të mbështesin një rritje të gjerë në ekonomi.

Deficiti i llogarisë korrente u ngushtua, i ndihmuar nga përmirësimi i performancës në të gjithë komponentët e tij, ndërsa flukset e Investimeve të Huaja Direkte arritën një nivel rekord, të përqendruara kryesisht në sektorët financiarë dhe të pasurive të paluajtshme.

Vlerësojmë se rritja e PBB-së mbeti në nivele të ngjashme edhe në gjysmën e dytë të vitit dhe parashikojmë një rritje prej 3.5% për të gjithë vitin 2025.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për vitin 2026? Cilat janë potencialet dhe rreziqet kryesore për ekonominë?

Parashikojmë që rritja ekonomike e moderuar të vijojë në afatin e shkurtër, megjithëse rreziqet mbeten të pranishme.

Rritja e PBB-së pritet të arrijë në 3.5% në vitin 2026, me presione në kahun negativ që vijnë nga kërkesa e dobët në Eurozonë dhe nga përkeqësimi i konkurrueshmërisë së jashtme, si pasojë e rritjes së pagave dhe forcimit të Lekut.

Në të kundërt, ka disa faktorë pozitivë, që mund të mbështesin perspektivën ekonomike, përfshirë vijimin e reformave strukturore, përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, mundësitë për financim nga BE përmes Instrumentit të Rritjes, si dhe performancën e qëndrueshme të sektorit të turizmit.

Në afatin e shkurtër, turizmi, ndërtimi dhe konsumi privat pritet të mbeten motorët kryesorë të rritjes. Megjithatë, mbështetja e vazhdueshme në këta sektorë e rrit ekspozimin e ekonomisë ndaj goditjeve të jashtme.

Nëse ky model vazhdon, Shqipëria rrezikon të përballet me brishtësi më të lartë ekonomike dhe me mungesë diversifikimi të burimeve të rritjes.

Procesi i anëtarësimit në BE, ndërkohë, ofron një mundësi të vlefshme për të riorientuar modelin e rritjes drejt shtysave më të qëndrueshme, si rritja e konkurrueshmërisë së prodhuesve vendas, zhvillimi i një ekonomie të bazuar në dije dhe zgjerimi i kapaciteteve eksportuese.

Shfrytëzimi me sukses i kësaj mundësie mund t’i mundësojë Shqipërisë të arrijë një afrim të qëndrueshëm të të ardhurave me BE-në dhe të ndërtojë një strukturë ekonomike më rezistente.

Realizimi i këtij transformimi kërkon zbatimin e vazhdueshëm të reformave gjithëpërfshirëse dhe të koordinuara mirë, veçanërisht në fushat që lidhen me klimën e biznesit dhe qeverisjen.

Përparimi domethënës në këto drejtime është thelbësor për të çliruar plotësisht përfitimet e integrimit europian dhe për të siguruar zhvillim ekonomik afatgjatë dhe të qëndrueshëm.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se administrata publike ka dhënë kontributin kryesor në rritjen ekonomike dy vitet e fundit. Si e vlerësoni këtë tendencë dhe cili është rekomandimi juaj për një model ekonomik të nxitur nga produktiviteti në afatin e mesëm e të gjatë?

Një zhvillim i tillë ka karakter të përkohshëm, pasi lidhet me korrigjimin e fundit të niveleve të pagave në sektorin publik, dhe pritet që ndikimi i tij të zbehet me kalimin e kohës. Ekonomia shqiptare udhëhiqet kryesisht nga sektori privat, i cili pritet të mbështesë rritjen ekonomike në afatmesëm dhe afatgjatë.

Megjithatë, zgjerimi i fundit ekonomik po nxitet kryesisht nga sektorët e turizmit dhe të pasurive të paluajtshme, duke ngritur disa shqetësime për shkak të performancës së dobët të vërejtur në industrinë përpunuese dhe bujqësi.

Edhe pse sektori i turizmit, i cili ka njohur një zhvillim të shpejtë vitet e fundit, pritet të mbetet një shtyllë kryesore e rritjes ekonomike në të ardhmen e afërt, kjo varësi vë në pah nevojën për një strukturë më të balancuar të ekonomisë.

Provat empirike tregojnë se investimet, në kuptimin e tyre më të gjerë, lidhen në mënyrë të qëndrueshme me rritjen e produktivitetit.

Ekonomia shqiptare mund të ketë përfitime të mëdha nga rritja e investimeve në kapitalin njerëzor, përparimin teknologjik dhe inovacionin, zhvillimin e një ekonomie më të gjelbër, si dhe nga forcimi i qeverisjes.

Investime të tilla strategjike do të krijonin kushtet për një tranzicion gradual drejt një modeli rritjeje më të qëndrueshëm, duke mbështetur zhvillimin e turizmit me vlerë më të lartë të shtuar dhe zgjerimin e sektorëve me produktivitet dhe vlerë të shtuar më të lartë.

Modeli

Ekonomia shqiptare mund të ketë përfitime të mëdha nga rritja e investimeve në kapitalin njerëzor, përparimin teknologjik dhe inovacionin, zhvillimin e një ekonomie më të gjelbër, si dhe nga forcimi i qeverisjes. Investime të tilla strategjike do të krijonin kushtet për një tranzicion gradual drejt një modeli rritjeje më të qëndrueshëm, duke mbështetur zhvillimin e turizmit me vlerë më të lartë të shtuar dhe zgjerimin e sektorëve me produktivitet dhe vlerë të shtuar më të lartë.

BERZH ka qenë aktive në financimin e projekteve të energjisë diellore në Shqipëri. Si e vlerësoni potencialin e këtij segmenti? Sa e përgatitur është infrastruktura mbështetëse për të përballuar zgjerimin e shpejtë të investimeve fotovoltaike në vend?

Shqipëria ka një potencial shumë të mirë për zhvillimin e energjisë diellore, falë pozicionit të favorshëm gjeografik dhe nivelit të lartë të rrezatimit diellor, faktorë që vijojnë të tërheqin interes të fortë dhe në rritje nga investitorët.

BERZH ka qenë një partner zhvillimi afatgjatë i Shqipërisë në sektorin e energjisë dhe ka luajtur një rol kyç në forcimin e sigurisë energjetike të vendit, si përmes asistencës në politika, ashtu edhe përmes investimeve të synuara.

Megjithëse potenciali është i konsiderueshëm, integrimi në shkallë të gjerë i burimeve të rinovueshme kërkon infrastrukturë të përshtatshme. Pavarësisht përparimit të dukshëm të viteve të fundit, kapaciteti i rrjetit dhe fleksibiliteti i sistemit mbeten sfida kryesore.

Për këtë arsye, qasja jonë kombinon financimin e projekteve të prodhimit nga burimet e rinovueshme me investime në infrastrukturën kritike mbështetëse, përfshirë mbështetjen për operatorët kombëtarë të shpërndarjes dhe transmetimit të energjisë.

Një shembull konkret është paketa e financimit të lidhur me qëndrueshmërinë që BERZH i ka ofruar këtë vit OSHEE-së.

Duke ristrukturuar detyrimet afatshkurtra në financim më të qëndrueshëm afatgjatë, kjo paketë ndihmoi në çlirimin e investimeve për përmirësime thelbësore të rrjetit të shpërndarjes, duke rritur qëndrueshmërinë e sistemit dhe duke lehtësuar integrimin e niveleve më të larta të energjisë së rinovueshme.

Paralelisht, kemi punuar ngushtë me operatorin e sistemit të transmetimit, OST, përmes dy projekteve të bashkëpunimit teknik të financuara me grante të Bashkimit Europian:

(i) projekti i parë synon mbylljen e unazës së rrjetit kombëtar të transmetimit dhe modernizimin e nënstacionit të Fierit, aktualisht një nga zonat më të mbingarkuara për energjinë fotovoltaike në vend; dhe

(ii) projekti i dytë mbështet zhvillimin e një linje të re ndërkufitare transmetimi me Kosovën, duke forcuar lidhjet rajonale dhe duke rritur fleksibilitetin për flukset e energjisë së rinovueshme.

Përtej investimeve në infrastrukturën fizike, ne vijojmë të mbështesim zhvillimin e kuadrit politik dhe të tregut që mundëson këtë tranzicion.

Përmes nismave si Programi për Përshpejtimin e Tregut të Energjisë së Rinovueshme (REMA), Banka ka ndihmuar tashmë autoritetet në dhënien e rreth 800 MW kapacitet të ri nga burimet e rinovueshme, përmes skemës së kontratave që kompensojnë diferencën (CfD)

Duke parë përpara, faza e ardhshme e tranzicionit të gjelbër energjetik të Shqipërisë do të kërkojë fleksibilitet më të madh të sistemit, përfshirë integrimin e zgjidhjeve të magazinimit të energjisë, si hidrocentralet me pompim (sisteme që ruajnë energjinë elektrike) dhe sistemet e magazinimit me bateri (BESS).

Shqipëria ndodhet në një pikë kritike: e pasur me potencial të lartë të energjisë së rinovueshme, por njëkohësisht përballë kufizimeve infrastrukturore që kërkojnë investime të konsiderueshme në kapacitetin e rrjetit dhe stabilitetin e sistemit.

Është e rëndësishme të ruhet momentumi dhe të sigurohet që, me kombinimin e duhur të reformave të politikave, investimeve strategjike dhe partneriteteve të forta, Shqipëria të arrijë të shfrytëzojë plotësisht potencialin e saj energjetik të rinovueshëm dhe të pozicionohet si një qendër rajonale e energjisë.

Si do ta vlerësonit ecurinë e hekurudhës Tiranë – Durrës dhe projekteve të tjera hekurudhore në Shqipëri?

Dua të theksoj që në fillim se projektet e mëdha infrastrukturore janë, në vetvete, komplekse. Ato kërkojnë përgatitje të gjera, koordinim mes shumë aktorëve, si dhe menaxhim të kujdesshëm të ndikimeve mjedisore dhe sociale. Po ashtu, ato kërkojnë financime të konsiderueshme, çka do të thotë se zbatimi i tyre shtrihet zakonisht në disa vite.

Projekti i parë hekurudhor — linja Tiranë – Durrës — kërkoi një punë të konsiderueshme paraprake, për shkak të gjendjes së përgjithshme të rrjetit hekurudhor në Shqipëri. I konceptuar fillimisht disa vite më parë, projekti ka evoluar në përmbajtje dhe shtrirje me kalimin e kohës.

Falë përpjekjeve të përbashkëta të BERZH-it, partnerëve ndërkombëtarë dhe institucioneve shqiptare, kapacitetet institucionale të Hekurudhave Shqiptare janë forcuar ndjeshëm, duke përfituar nga përvoja dhe mësimet e nxjerra nga ky projekt i parë.

Ky përmirësim i kapaciteteve ka përshpejtuar përgatitjen e projekteve pasuese. Sot janë tashmë në proces rehabilitimi tre linja hekurudhore sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, të mbështetura nga financimi i Bashkimit Europian, BERZH-it dhe Bankës Europiane të Investimeve (BEI).

Në këtë kuadër, sektori hekurudhor i Shqipërisë shënoi hapa të rëndësishëm përpara gjatë vitit 2025. Linja Tiranë – Durrës po avancon me ritme të shpejta, me pjesën më të madhe të punimeve infrastrukturore të përfunduara dhe me ndërtimin e stacioneve që ka nisur në të gjitha pikat.

Ndërkohë, po vijon rehabilitimi i segmenteve Vorë – Hani i Hotit dhe Durrës – Rrogozhinë, ndërsa disa projekte të tjera janë në fazë përgatitore.

BERZH dhe partnerët e saj jo vetëm që po ofrojnë financim, por po kontribuojnë edhe në ndërtimin e kapaciteteve institucionale brenda Hekurudhave Shqiptare, për të realizuar projekte që përmbushin standardet ndërkombëtare.

Kjo asistencë teknike po përshpejton zbatimin dhe po hap tregun hekurudhor. Këto zhvillime dëshmojnë angazhimin e fortë të BERZH-it për modernizimin e infrastrukturës hekurudhore të Shqipërisë dhe për forcimin e lidhshmërisë rajonale.

Njëkohësisht, ky progres tregon se si bashkëpunimi me institucionet financiare ndërkombëtare dhe forcimi i kapaciteteve institucionale mund të çojnë në zbatim më të shpejtë dhe projekte më ambicioze.

Si e vlerësoni performancën e projekteve tuaja në Shqipëri? Cilët sektorë i konsideroni më premtues për financim dhe mbështetje në të ardhmen?

Gjatë pesë viteve të fundit, duke punuar ngushtë me partnerët shqiptarë, BERZH ka zgjeruar ndjeshëm mbështetjen për ekonominë shqiptare.

Kemi investuar 920 milionë euro nga fondet tona në mbi 100 projekte, ndërsa kemi mobilizuar gjithashtu më shumë se 300 milionë euro grante nga Bashkimi Europian për të mbështetur investime dhe asistencë teknike.

Me rëndësi të veçantë është fakti se mbi 50% e investimeve janë orientuar për projekte të sektorit privat.

Këto përpjekje kanë sjellë përmirësime të dukshme në infrastrukturë, në qeverisjen ekonomike dhe në konkurrueshmërinë e sektorit privat.

Në sektorin e energjisë, gjatë pesë viteve të fundit kemi mbështetur katër ankande konkurruese për energjinë e rinovueshme — tre për energjinë diellore dhe një për energjinë e erës — duke shtuar mbi 800 MW kapacitet të ri, përfshirë financimin e parkut të parë diellor në shkallë të gjerë në Shqipëri, në Karavasta.

Në infrastrukturë, kemi kontribuar në avancimin e reformës hekurudhore dhe kemi siguruar financim për rehabilitimin e linjave Vorë – Hani i Hotit dhe Durrës –Rrogozhinë.

Në sektorin bankar, përmes programit AATSF (Albanian Agribusiness and Tourism Support Framework), kemi mobilizuar 180 milionë euro kredi për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në agrobiznes dhe turizëm, duke kombinuar financimin me këshillim profesional.

Viti 2025 ishte jashtëzakonisht aktiv për BERZH-in në Shqipëri. Ne akorduam 218 milionë euro financim në 30 projekte në sektorë të ndryshëm — një nivel rekord angazhimi. Veçanërisht, gjysma e këtij financimi u drejtua për projekte të infrastrukturës së qëndrueshme, kryesisht në hekurudha dhe energji.

Pjesa tjetër prej 50% u fokusua në forcimin e NVM-ve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit privat, përmes bankave partnere ose financimit të drejtpërdrejtë.

Duke parë përpara, mbështetja për ekonominë e gjelbër, axhendën e lidhshmërisë dhe përgatitjen e sektorit privat për integrimin europian do të mbeten prioritete kryesore.

Do të fokusohemi në realizimin e projekteve të energjisë së rinovueshme nga ankandet konkurruese, forcimin e rrjetit elektrik dhe të sistemeve të shpërndarjes, si dhe në investime në zgjidhje për magazinimin e energjisë.

Këto përpjekje do t’i mundësojnë Shqipërisë të integrojë plotësisht kapacitetet e reja diellore dhe të erës, të rrisë sigurinë energjetike dhe të pozicionohet si një eksportuese e ardhshme e energjisë.

Përtej sektorit të energjisë, do të vijojmë të mbështesim rehabilitimin e rrjetit hekurudhor dhe jemi të gatshëm të kontribuojmë në zhvillimin e infrastrukturës kritike të ujësjellës-kanalizimeve dhe menaxhimit të mbetjeve.

Në sektorin privat, angazhimi ynë për të përmirësuar aksesin në financim mbetet i fortë. Ne do të zgjerojmë partneritetet me bankat vendase dhe do të zbatojmë programe të synuara si SME Reboot dhe Go Digital, së bashku me instrumente të ndarjes së riskut për të nxitur kreditimin dhe konkurrueshmërinë.

Gjithashtu, po shqyrtojmë mundësinë e financimit të drejtpërdrejtë për projekte të mëdha korporative, përfshirë zgjerime ndërkufitare të kompanive shqiptare dhe anasjelltas.

Të dhënat e fundit për Shqipërinë tregojnë emigrim të lartë te qytetarët me arsim të lartë dhe norma relativisht të ulëta kthimi, një sfidë e ngjashme edhe në vende të tjera të rajonit dhe më gjerë. Si krahasohet Shqipëria me vendet që përballen me të njëjtën prirje dhe cilat qasje nga këto përvoja do të mund të ishin të dobishme për forcimin e mbajtjes dhe tërheqjes së talenteve në Shqipëri?

Në fakt, Raporti i fundit i Tranzicionit i BERZH-it nënvizon se, mes personave me arsim të lartë në Shqipëri, pothuajse një e katërta janë larguar, ndërsa relativisht pak persona me arsim të lartë kanë ardhur nga vende të tjera.

Kjo prirje vihet re në shumë ekonomi të Europës në zhvillim në përgjithësi dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku vetëm pak vende (si Bosnja dhe Hercegovina) kanë edhe norma më të larta emigrimi të personave me arsim universitar.

Përvoja e vendeve të tjera, nga Polonia deri në Meksikë, sugjeron se, teksa kushtet përmirësohen dhe të ardhurat rriten, bilanci i migracionit neto ndryshon gradualisht. Individët e arsimuar kthehen në numër më të madh dhe punonjësit e kualifikuar fillojnë të synojnë të lëvizin drejt vendit nga shtete të tjera.

Sfida për politikëbërësit është të krijojnë kushtet e duhura për ata që kthehen me ide, aftësi dhe kapital të fituar jashtë vendit, kushte që u mundësojnë të jenë sa më produktivë.

Duke u bazuar në përvojën e vendeve të tjera, disa masa praktike për të nxitur kthimin e personave të kualifikuar mund të përfshijnë, për shembull, regjistrim të përshpejtuar të biznesit për emigrantët e kthyer, lehtësime tatimore dhe skema bashkë-investimi, ku shteti ose institucionet mbështetëse përputhin kapitalin e tyre me kontribute shtesë.

Po aq të rëndësishme, në mos edhe më shumë, janë masat që synojnë forcimin e mëtejshëm të qeverisjes dhe përmirësimin e klimës së biznesit në përgjithësi. MONITOR

Rikthimi i talenteve

Duke u bazuar në përvojën e vendeve të tjera, disa masa praktike për të nxitur kthimin e personave të kualifikuar mund të përfshijnë, për shembull, regjistrim të përshpejtuar të biznesit për emigrantët e kthyer, lehtësime tatimore dhe skema bashkë-investimi, ku shteti ose institucionet mbështetëse përputhin kapitalin e tyre me kontribute shtesë.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular