Ish deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji thotë se nuk do t’i hyjë asnjë negociate për të marrë ndonjë post të mundshëm brenda partisë. Ai tha se nuk i ka hyrë kësaj beteje, Foltores, për shkak të së cilës po i hedhin shumë baltë, për një post në parti.
“Unë si hyj asnjë negociate për ndonjë pozicion në PD. Nuk kam hyrë në një betejë që po marr baltë dhe po shpenzoj kohën time për të marrë një funksion dhe të mbetet PD siç është. PD duhet të ndryshojë dhe duhet të vendosim rregullat bazë se si funksionon. “, u shpreh ish deputeti.
Ish deputeti komentoi edhe deklaratën e Sali Berishës se ai ishte “vetëpërjashtuar” nga PD, duke thënë se shpiku këtë term pasi e di shumë mirë që Statuti i partisë nuk e lejon përjashtimin nga partia.
“U vendosën disa rregulla, lejimi i fraksioneve. Statuti i PD sot është tashmë i demokratizuar në letër, lejon mendimin ndryshe, është hequr përjashtimi. Më përpara lejohej përjashtimi, prandaj e shpiku termin vetëpërjashtimi se nuk të përjashtojnë dot nga PD më. Ishte ideja që do zgjidhen me Primare deputetët. Këto shqetësime sot, kanë qenë para 4 vitesh. U hodhën në letër dhe nuk u zbatuan. Këta me mijëra njerëz dhe më pas thonë se e organizojnë sytë e vet të këtyre.”, tha Salianji për “Të Paekspozuarit”.
Më tej, ai shtoi se do të propozojnë rregulla të qarta brenda PD dhe do të kërkojnë garanci për zbatimin e tyre. Mes të tjerash, ai theksoi se pa u forcuar dhe përmirësuar PD, kryeministri Edi Rama nuk mund të largohet nga qeveria.
“Ka dy rrugë se si mund të ikë një qeveri, ose me një opozitë që frymëzon njerëzit dhe paralizojnë jetën e një vendi duke dalë në shesh. Dhe rruga tjetër është me votë. Të thuash të tjerat është gabim. Që të mundim Ramën duhet të përmirësojmë PD.
PD duhet të bashkojë të gjithë pjesët e saj. PD ka larguar dhe i turret çdo njeriu që mendon ndryshe. Kur më shpall PD mua armik kur kam mbështetje në njerëz, imagjino se çfarë bëjnë me të tjerët që mendojnë ndryshe.”, shtoi ish deputeti.







