Organizatat jofitimprurëse (OJF) do të përballen tashmë me penalitete të qarta administrative në rastet kur deklarojnë të dhëna të pavërteta ose nuk përditësojnë informacionin në regjistrin elektronik. Ndryshimet e fundit, në ligjin nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, të publikuara në Fletoren Zyrtare, forcojnë përgjegjshmërinë ligjore të këtyre subjekteve dhe të personave të autorizuar për regjistrim.
Sipas nenit 49 të ligjit, organizatat jofitimprurëse dhe personat e autorizuar janë përgjegjës për vërtetësinë e fakteve, të dhënave të njoftuara dhe dokumenteve shoqëruese të depozituara në regjistrin elektronik. Risi e rëndësishme është shtimi i pikave të reja 1/1 deri në 1/4, të cilat përcaktojnë qartë rastet e kundërvajtjeve administrative dhe masat ndëshkuese.
Konkretisht, deklarimi i të dhënave të pavërteta në regjistrin elektronik, kur nuk përbën vepër penale, konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 60 mijë lekë. E njëjta masë gjobe aplikohet edhe në rastet e moskryerjes së detyrimit për regjistrimin e ndryshimeve të të dhënave, duke synuar që informacioni i OJF-ve të jetë i përditësuar dhe korrekt.
Ligji parashikon gjithashtu një mekanizëm korrektues përpara vendosjes së gjobës. Gjykata, përpara marrjes së vendimit për caktimin e masës administrative, urdhëron palët të paraqesin kërkesën për regjistrimin e ndryshimeve ose për korrigjimin e të dhënave. Vetëm nëse brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit organizata ose personat e autorizuar nuk përmbushin këtë detyrim, vendoset gjoba sipas përcaktimeve ligjore.
Ndaj vendimit për caktimin e gjobës, palët kanë të drejtë ankimi në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, duke garantuar kështu të drejtën për shqyrtim gjyqësor.
Këto ndryshime synojnë të rrisin transparencën, besueshmërinë dhe korrektësinë e të dhënave të organizatave jofitimprurëse, duke forcuar njëkohësisht kontrollin ligjor dhe disiplinën administrative në funksion të interesit publik./ekofin.al







