HomeAktualitetNga përfaqësimi te kultura: çfarë parashikon ligji i ri për diasporën

Nga përfaqësimi te kultura: çfarë parashikon ligji i ri për diasporën

Advertismentspot_img

Me ndryshimet e reja ligjore të botuara në Fletoren Zyrtare, diaspora shqiptare hyn në një fazë të re organizimi dhe përfaqësimi institucional. Paketa e ndryshimeve synon ristrukturimin e mekanizmave shtetërorë për diasporën, forcimin e rolit të komuniteteve shqiptare jashtë vendit dhe qartësimin e përgjegjësive ndërmjet institucioneve përkatëse.

Ligji i ri shfuqizon strukturën e Komitetit Shtetëror për Diasporën, të drejtuar nga Kryeministri dhe që kishte rol koordinues në nivel të lartë. Do të jetë Këshilli Koordinues i Diasporës, organi përfaqësues të komuniteteve shqiptare jashtë vendit. Sipas ndryshimeve, numri i anëtarëve rritet nga një numër fiks prej 15 në “jo më pak se 21”, duke i dhënë më shumë fleksibilitet përfaqësimit. Kompetencat e Këshillit zgjerohen në përmbajtje, duke përfshirë fusha si ekonomia, inovacioni, arsimi, kultura, sporti dhe çështjet sociale, ndërsa Presidenti i Republikës fiton një rol të dukshëm përfaqësues, duke pasur mundësinë të drejtojë mbledhje të veçanta të Këshillit.

Në të njëjtën kohë, Agjencia Kombëtare e Diasporës merr një status më të qartë. Ajo përcaktohet shprehimisht si institucion varësie i ministrit përgjegjës për diasporën, me rol të konsoliduar administrativ dhe financiar, veçanërisht në mbështetjen e Këshillit Koordinues të Diasporës. Organizimi dhe funksionet e saj do të përcaktohen kryesisht përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave.

Ndërkohë Qendrat Kulturore për Diasporën (QKD) do të kenë për detyrë promovimin e Shqipërisë, përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, kulturor, arsimor, sportiv dhe inovativ me diasporën, si dhe organizimin e veprimtarive kulturore, edukative, sociale dhe ekonomike. Krijimi dhe funksionimi i tyre miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa qendrat e ngritura vullnetarisht nga diaspora njihen dhe mbështeten nga ministri përgjegjës për diasporën, sipas kritereve të përcaktuara.

Në fushën e arsimit dhe gjuhës, ndryshimet ligjore sjellin një risi simbolike: për herë të parë përmendet shprehimisht arbërishtja dhe variantet e hershme gjuhësore të komuniteteve shqiptare në diasporë, duke i trajtuar ato si pjesë e trashëgimisë që duhet ruajtur dhe mësuar.

Muzeu Historik Kombëtar do të detyrohet të ketë një pavijon të veçantë për diasporën, duke i dhënë asaj një vend të përhershëm në historinë e ekspozuar të vendit, ndërsa Radiotelevizioni Shqiptar ngarkohet të sigurojë një kanal transmetimi të dedikuar për diasporën, duke e bërë më të qëndrueshme dhe më të dukshme praninë e saj në median publike.

Ligji i ri ndryshon edhe vlerësimin për diasporën. Në ligjin e mëparshëm parashikohej një çmim i posaçëm, i quajtur “Ambasador i kombit”, i cili akordohej çdo vit për pjesëtarë të suksesshëm të diasporës. Me ndryshimet e reja, ky emërtim hiqet nga ligji dhe zëvendësohet me një formulim më të përgjithshëm, sipas të cilit për pjesëtarët e suksesshëm të diasporës “akordohen çmime”. Në praktikë, kjo do të thotë se çmimi “Ambasador i kombit” nuk parashikohet më si institut i veçantë ligjor, ndërsa mënyrat e vlerësimit mbeten të hapura për t’u përcaktuar nga politika dhe aktet nënligjore.

Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare./ekofin.al

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular