Qeveria shqiptare ka vendosur të rrisë fokusin te siguria përballë fenomeneve natyrore. Kryeministri Edi Rama njoftoi sot detajet e buxhetit të vitit 2026 për Mbrojtjen Civile, duke konfirmuar një fond total prej 2.5 miliardë lekësh.
Ky fond ka për qëllim forcimin e infrastrukturës parandaluese për të minimizuar dëmet në të ardhmen.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi se kjo paketë financiare garanton një qasje të dyfishtë: siguri fizike dhe garanci financiare për qytetarët.
“Fondet e parashikuara për mbrojtjen civile synojnë rritjen e sigurisë përballë fatkeqësive natyrore, garantimin e kompensimit për qytetarët e prekur, si dhe forcimin e masave parandaluese për reduktimin e rreziqeve në të ardhmen,” shkruan Rama.
Si ndahet buxheti?
Sipas skemës së publikuar nga kreu i qeverisë, fondi prej 2.5 miliardë lekësh është strukturuar në dy zëra kryesorë:
Emergjencat Civile, 1 miliard lekë. Kjo shumë do të jepet në formën e transfertës së kushtëzuar dhe ndahet në mënyrë të barabartë:
500 milionë lekë, do të shkojnë drejtpërdrejt për kompensimin e qytetarëve që preken nga fatkeqësitë natyrore.
500 milionë lekë, do të përdoren për investime në infrastrukturën e emergjencave (pajisje, mjete, etj).
Parandalimi i fatkeqësive, 1.5 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e fondit i dedikohet projekteve inxhinierike dhe infrastrukturore që synojnë shmangien e dëmeve.
Në këtë zë, Kryeministri specifikon se 300 milionë lekë janë dedikuar posaçërisht për ndërhyrje në diga dhe rezervuarë, të cilat konsiderohen pika kritike gjatë reshjeve të dendura.










