Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve reagoi sot mbi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”, pjesë e paketës së ndryshimeve ligjore të reformës në drejtësi.
Shoqata shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me Kuvendin dhe institucionet e tjera në përmirësimin e kuadrit ligjor, por paralajmëron se çdo ndryshim duhet të respektojë parimet e shtetit të së drejtës, ndarjen dhe balancimin e pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Sipas Shoqatës, neni 12 i projektligjit që parashikon konfirmimin e kryetarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit deri në vitin 2028, cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe uzurpon kompetencën e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) për emërimin e kryetarëve.
“Nëpërmjet kësaj norme, kryetarët në detyrë të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij administrativ konfirmohen si kryetarë të emëruar deri në datën 31 dhjetor 2028, duke shmangur sakaq garën për këto poste drejtuese në pushtetin gjyqësor”, theksohet në reagim.
Sipas Shoqatës, dispozita cenon kompetencën e Këshillit të Lartë Gjyqësor për emërimin e kryetarëve të gjykatave, zbatimi i saj është selektiv dhe injoron aktin normativ të miratuar nga KLGJ-ja për procedurën e zgjedhjes së kryetarëve, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2026.
Shoqata rikujton se përpjekje të ngjashme janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, duke përmendur vendimin nr. 34, datë 10.04.2017.
Shoqata fton Kuvendin të respektojë standardet e shtetit të së drejtës dhe të mos cenoje arritjet e reformës në drejtësi, duke garantuar pavarësinë e pushtetit gjyqësor, dhe shpreh gatishmërinë për të kontribuar në përmirësimin e procesit të ligjbërjes./ATSH







