Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot turin e “Foltores” me qytetarë dhe simpatizantë në Lezhë, e cila përkon edhe me 35-vjetorin e themelimit të degës së PD-së në këtë qytet.
Berisha tha se e festojnë këtë 35-vjetor me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë për detyrimet që ka kjo forcë politike. Sipas Berishës, Partia Demokratike dhe shqiptarët “me guxim përmbysën rendin” dhe ndërtuan “Shqipërinë e lirë, të qytetarëve të lirë dhe dinjitozë, lirisë së besimit, lirisë së pronës dhe iniciativës së lirë”, duke e orientuar vendin drejt Perëndimit dhe integrimit në institucione euroatlantike.
“Pra, njerëz, të cilët pa asnjë lloj praktike, siç ishim ne, realizuam gjëra shumë të mëdha. Justifikuam plotësisht atë përpjekje të madhe që u bë nga shqiptarët dhe ne si PD, me programin tonë, krijuam ekonominë e tregut. Me programin tonë krijuam institucionet e demokracisë. Siç është e pashmangshme, ne bëmë edhe gabimet tona, por ne vazhduam të mbrojmë vlerat që besojmë. Ne, pasi njohëm gabimin tonë, bëmë zgjidhjen më të drejtë ligjore, u dhamë problemeve të krijuara zgjidhjen në mënyrën më të drejtë dhe më të ndershme”, tha Berisha.
Duke iu referuar skemave piramidale të vitit 1997, Berisha e konsideroi PD-në një forcë politike me moral, që “e lëshoi karrigen, doli në gjyqin publik dhe mori përgjegjësitë”.
“Nuk pranuam që me ndërgjegje të kryenim veprime amorale, të merrnim paratë e atyre që nuk kishin vendosur asnjë qindarkë në skemat piramidale dhe t’ua jepnim atyre që i kishin humbur. Jo! Ne ndoqëm standarde morale, pavarësisht nga çmimi që mund të paguanim dhe përsëri, shqiptarët e vlerësuan këtë. Shqiptarët panë tek ne një forcë politike me moral, një forcë politike që e lëshoi karrigen, doli në gjyqin publik, mori përgjegjësitë, por mbeti e ndershme në moralin e saj”, tha Berisha.
Berisha u ndal edhe te rikthimi tek fitorja e zgjedhjeve në vitin 2005. Ai renditi arritjet e qeverisjes së PD-së, duke përmendur rritjen ekonomike, përmirësimin e pagave dhe pensioneve, transformimin e infrastrukturës, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe përparimin drejt Bashkimit Europian.
Berisha tha më tej se PD ka dëshmuar se është një forcë politike e pamposhtur, pavarësisht krizave të brendshme dhe përpjekjeve për ta nxjerrë nga harta politike.
“Në qoftë se demokratët do të kishin një emër të dytë, të pamposhtur. Asgjë nuk na mposhti ne, asgjë nuk e mposhti këtë parti. Ua thashë edhe një herë: menduan se e fshinë nga harta politike. Jo, përkundrazi, u ngritëm si Feniksi nga hiri. Në këto vite, ju demokratët, të gjithë demokratët, kaluan kalvarin më të pamerituar, por edhe provën më të madhe të dinjitetit të tyre, provën më të madhe të guximit të tyre”, tha Berisha.
Berisha akuzoi ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, që sipas tij punonte kundër demokratëve.
“Një kalbësirë e brendshme e kapi PD-në. Një kryetar që ju i dhatë besimin, ditën ishte me ju, natën me Edi Ramën ndante paratë dhe pazaret. Punonte kundër jush, punonte kundër idealeve tuaja, interesave tuaja, sepse i tillë ishte Edi Rama në radhë të parë, por edhe ai”, tha Berisha.
Berisha tha se kërkuan që ta izolonin Partinë Demokratike meqë “mbronte interesin kombëtar nga një tradhtar që me mburrje deklaronte se unë merrem vesh shumë mirë me kryeministrin serbomadh të Beogradit sesa me kryeministrin e Kosovës”.
“Sepse ne donim të ishim njerëz me dinjitet, t’i merrnim vetë vendimet. Nuk mund të pranonim opozitë shërbëtore të qeverisë. Dhe menduan se me izolimin tonë do të na shuanin. Por, gabuan rëndë. Sot, ne festojmë këtë 35-vjetor më të fuqishëm se kurrë në ekzistencën tonë. Sot ne festojmë këtë 35-vjetor më të gatshëm se kurrë për triumfin tonë, më të sigurt se kurrë në këtë triumf”, tha Berisha.







