Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka shpallur vendimin këtë të martë për çështjen penale, në ngarkim të Pandeli Bozhës, babait të ish-kandidates për deputete të PSD-së në Fier Limonera Bozha dhe Vladimir Lushkajt, të akuzuar për korrupsion në zgjedhje.
Gjykimi u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Bib Ndreca, me vendimin nr. 1, datë 13.01.2026, vendosi deklarimin fajtor të Pandeli Bozhës, duke e dënuar fillimisht me 1 vit e 6 muaj burgim.
Në zbatim të nenit 406 të Kodit Penal, gjykata i uli dënimin me 1/3, duke e dënuar përfundimisht me 1 vit burgim. Po ashtu, u vendos pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burg dhe vënia në provë e Bozhës për një periudhë 24-mujore, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale.
Ndërkohë, gjykata deklaroi fajtor edhe Vladimir Lushkajn, por vendosi përjashtimin e tij nga dënimi.
Pandeli Bozha, babai i Limonera Bozhës akuzohet se i dha para për t’i blerë votën Vladimir Lushkajt, ku Bozha i futi lekë në xhep Lushkajt dhe i tha se duhet të votonte për vajzën e tij.
Bozha akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”, ndërsa Lushkaj për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”.







