HomeEkonomiÇmimet e produkteve jo ushqimore u rritën me 3% në 2025, më...

Çmimet e produkteve jo ushqimore u rritën me 3% në 2025, më e larta në dy vjet

Advertismentspot_img

Inflacioni bazë e mbylli në rritje vitin 2025. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, për dhjetorin inflacioni bazë arriti nivelin 3.03%, nga 2.5% që kishte qenë një vit më parë.

Inflacioni bazë gjithashtu shënoi një rritje të lehtë edhe krahasuar me nivelin 2.98% të muajit nëntor.

Inflacioni bazë iu kthye rritjes për herë të parë që prej vitit 2022, duke dëshmuar presionet në rritje inflacioniste nga ekonomia e brendshme.

Nënshporta që mat inflacionin bazë llogaritet mbi një grup produktesh dhe shërbimesh që përbëjnë 69.6% të totalit të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Inflacioni bazë përjashton ato produkte që kanë luhatshmëri të lartë, si produktet ushqimore dhe ato energjetike dhe ka si qëllim kryesor ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga lëvizjet me natyrë më afatshkurtër. Për këtë arsye, inflacioni bazë është një indikator i rëndësishëm për të kuptuar tendencat më afatgjata të çmimeve dhe ndaj monitorohet vazhdimisht nga Banka e Shqipërisë.

Paralelisht me inflacionin bazë, edhe inflacioni bazë neto gjatë vitit të kaluar u rrit në 3.47%, nga 2.21 që kishte qenë një vit më parë.

Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 44.6% të shoqërisë së IÇK-së.

Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike në fund të 2025 ishte në nivelin 3.32%, nga 2.2% që kishte qenë një vit më parë.

Inflacioni zyrtar në Shqipëri, i matur për të gjithë shportën e mallrave të konsumit, e mbylli vitin 2025 në nivelin 2.3%, nga 2.1% që kishte qenë një vit më parë. Rritja më e kufizuar e inflacionit i detyrohet kryesisht nivelit të ulët të inflacionit të importuar. Por, ndërkohë, presionet inflacioniste më afatgjata që po gjenerohen nga ekonomia e brendshme janë dukshëm më të larta.

Në një prononcim për “Monitor, Banka e Shqipërisë vlerësonte në dhjetor se faktori kryesor i rritjes së inflacionit bazë dhe atij të brendshëm ka qenë përshpejtimi i çmimit të qirasë. Ndërkohë, rritja e disa prej çmimeve të shërbimeve të lidhura me turizmin është balancuar nga rënia e çmimeve të disa mallrave, pjesë e këtyre matjeve të inflacionit bazë e të brendshëm.

Aktualisht, sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e qirasë përbën burimin kryesor të presioneve të brendshme inflacioniste, por në mungesë të rritjeve të përsëritura në të ardhmen, efekti i saj mbi inflacionin pritet të jetë i përkohshëm.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e fundit të vitit 2025 vërejti se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit të inflacionit të Bankës së Shqipërisë. Inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin prej 3%, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026./ E.Shehu

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular