Familjet shqiptare do të mund të jenë një strehë për fëmijët pa kujdes prindëror si pasojë e shkaqeve të ndryshme ose në rrezik. Ky shërbim do të përfshijë edhe fëmijët e ndarë nga familjet e tyre për shkak të konflikteve të armatosura, emergjencave humanitare, kërkesave për azil, emigrimit të detyruar ose fatkeqësive natyrore.
Ligji “Për kujdesin alternativ në familje në Republikën e Shqipërisë”, botuar në Fletoren Zyrtare, synon të garantojë ofrimin e shërbimit të kujdesit alternativ në familje në një mjedis të përshtatshëm familjar për fëmijët në nevojë për përkujdes dhe mbrojtje.
Krahas familjeve shqiptare edhe familjet e huaja që kanë leje qëndrimi të rregullt në Shqipëri mund të bëhen pjesë e këtij shërbimi.
Financimi i familjeve, njohja e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore
Shërbimi i kujdesit alternativ në familje financohet nga buxheti i shtetit, buxhetet e njësive të vetëqeverisjes vendore dhe burime të tjera të ligjshme.
Familjet që do të ofrojnë kujdesin alternativ do të përfitojnë një paketë mbështetjeje financiare, e cila përfshin pagë mujore për ofrimin e shërbimit të kujdesit alternativ profesional në familje, si dhe pagesë mujore dhe vjetore për çdo fëmijë të vendosur në kujdes alternativ në familje.
Familjet që ofrojnë shërbimin e kujdesit alternativ përfitojnë mbështetje financiare për të përballuar shpenzimet e kujdesit për fëmijën/t. Pagesa mujore për fëmijën/t e vendosur në kujdes alternativ në familje kryhet periodikisht, një herë në muaj, përmes transferimit bankar.
Sipas projektligjit, familjet që marrin pagesë për këtë shërbim, regjistrohen si të punësuar pranë sigurimeve shoqërore. Atyre u paguhen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, dhe puna e kryer i njihet si vjetërsi pune për sigurimet shoqërore, për efekt përfitimi pensioni, barrëlindjeje, aksidenti në punë, sëmundjeje profesionale dhe sigurimi shëndetësor.
Masa e financimit për kujdesin alternativ në familje dhe rregullat e përfitimit të financimit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kriteret për kujdesin alternativ në familje
Projektligji përcakton se kujdesi alternativ ofrohet vetëm nga persona që janë madhorë, me aftësi të plota dhe banim të përhershëm në Shqipëri; kanë shtetësi shqiptare ose leje të rregullt qëndrimi; nuk janë në moshë pensioni (përveç rasteve të afërmve që kujdesen vullnetarisht); kanë kushte të përshtatshme banimi dhe mjete jetese të mjaftueshme; nuk kanë dënime penale, as regjistrim për krime seksuale; ofrojnë një mjedis familjar të qëndrueshëm; gëzojnë gjendje të mirë shëndetësore; nuk janë përjashtuar më parë nga kujdesi alternativ.
Procedura, trajnimi i detyrueshëm i familjeve, licencimi
Familjet e interesuara paraqesin kërkesë me shkrim në bashki ose përmes portalit e-Albania. Strukturat përgjegjëse dhe njësitë për mbrojtjen e fëmijëve kryejnë vlerësim paraprak e të thelluar; vendimin e merr komisioni shumëdisiplinar në bashki dhe familjet regjistrohen në Regjistrin e kujdesit alternativ.
Më pas, familjet e përzgjedhura ndjekin trajnim të detyrueshëm sipas moduleve të miratuara për sigurimin e cilësisë së shërbimeve.
Një familje ofron shërbimin e kujdesit alternativ në familje deri në tre fëmijë njëkohësisht, përfshirë edhe fëmijët biologjikë, të birësuar ose në kujdestari të saj. Përjashtimisht, më shumë se tre fëmijë vendosen në të njëjtën familje kujdestare në rastet kur kjo është në interesin më të lartë të fëmijëve dhe nuk cenon cilësinë e kujdesit, në bazë të vlerësimit të kryer nga njësia/punonjësi për mbrojtjen e fëmijës në nivel vendor. Përparësi për vendosjen në të njëjtën familje që ofron shërbimin e kujdesit alternativ u jepet fëmijëve që janë motra dhe vëllezër me njëri-tjetrin.
Në rast përfundimi të kujdesit, autoritetet vendore marrin menjëherë masa për rivendosjen e fëmijës në mbrojtje ose kujdes tjetër alternativ. Rregullat e hollësishme mbi procedurat, regjistrimin, trajnimin dhe funksionimin e komisionit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Familjet që përmbushin kriteret dhe kushtet e përcaktuara në këtë ligj për ofrimin e kujdesit alternativ profesional në familje pajisen me licencën për ofrimin e këtij shërbimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi për lejet dhe licencat. Rregullat për licencimin e familjeve që ofrojnë kujdes alternativ profesional në familje miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ligji parashikon gjithashtu krijimin e një regjistri elektronik që përfshin të dhëna për familjet kujdestare dhe fëmijët e vendosur në kujdes alternativ, llojin dhe kohëzgjatjen e kujdesit, raportet e monitorimit dhe vendimet përkatëse. Bashkia e përditëson me të dhënat për familjet dhe fëmijët në juridiksionin e saj, ndërsa do të jetë Shërbimi Social Shtetëror që e administron dhe konsolidon regjistrin në nivel kombëtar.
Marrja e mendimit të fëmijët dhe mbrojtja e të dhënave personale
Veçori e ligjit është edhe marrja e mendimit të fëmijës para se të vendoset në këtë kujdes. Fëmijës i merret mendim, në kushte miqësore dhe të përshtatshme për moshën dhe kapacitetin zhvillimor, për preferencat për vendosjen në kujdes alternativ në familje. Mendimi i fëmijët merret në prani të një psikologu, verbalisht për fëmijët e moshës 6–10 vjeç dhe/ose me shkrim për fëmijët e moshës mbi 10 vjeç, si dhe dokumentohet në çdo rast.
Ligji parashikon gjithashtu se të dhënat personale të fëmijës dhe të familjes kujdestare përpunohen vetëm nga organe të autorizuara, për qëllime të ligjshme dhe në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave. Familja kujdestare dhe institucionet kanë detyrim të ruajnë konfidencialitetin dhe të mos i publikojnë këto të dhëna, përveç rasteve të parashikuara me ligj ose për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës. Shkelja e rregullave përbën shkelje të rëndë ligjore dhe sjell pasoja administrative dhe/ose penale. /ekofin.al







