Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do ta ofrojë dorëheqjen e tij në Kuvendin e partisë, i cili pritet të mbahet së shpejti.
Vendimi për pranimin ose jo të saj do të merret përmes votës së delegatëve.
Deklaratat Abdixhiku i dha pas një mbledhjeje disaorëshe të zhvilluar të martën me bashkëpunëtorët e tij në selinë qendrore të LDK-së. Ai theksoi se dorëheqja është pjesë e një procesi demokratik dhe se Kuvendi i LDK-së është organi i vetëm që ka kompetencë të vendosë për këtë çështje.
“LDK-ja është unike dhe e bashkuar. Çështjet shtrohen në konsultime të tilla dhe më pas formalizohen në organet partiake. Takimi i vetëm formal është ai i Kryesisë që pritet të mbahet javën e ardhshme, ndërsa pas saj do të mbahet Kuvendi i LDK-së,” u shpreh Abdixhiku.
Ai shtoi se nëse Kuvendi nuk e pranon dorëheqjen e tij, do të jetë i obliguar të vazhdojë detyrën e kryetarit.
“Shmangia nga vendimi i anëtarësisë do të ishte e papërgjegjshme. Çdo vendim që do të merret do të jetë vendim i përbashkët dhe në përputhje me vullnetin e Kuvendit të LDK-së,” tha ai.
LDK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit shënoi një nga rezultatet më të dobëta në historinë e saj, duke u renditur e treta me 13.23 për qind të votave. Pas këtij rezultati, Abdixhiku tha se ndjen obligim moral dhe politik të marrë përgjegjësinë.
“Takimi i parë pas rezultatit zgjedhor trajtoi të gjitha çështjet dhe çka na pret në të ardhmen. Në bashkëpunim me bashkëpunëtorët kemi vendosur të thërrasim Kryesinë e LDK-së dhe më pas Kuvendin. E kam obligim moral e politik jo vetëm të sjelljes sime të marrë përgjegjësinë, por të shtroj tutje edhe organizimin politik të LDK-së. Përmes ofrimit të dorëheqjes në Kuvend, delegatët do të vendosin me votë se a e pranojnë apo jo këtë dorëheqje,” deklaroi Abdixhiku.
Ai nënvizoi se çdo anëtar i LDK-së ka të drejtë të kandidojë individualisht për postin e kryetarit, duke theksuar se partia mbetet e bashkuar dhe se të gjitha vendimet do të formalizohen përmes organeve partiake.







