Qeveria ka hartuar një projektligj të ri për donacionet dhe sponsorizimet që synon të zëvendësojë ligjin ekzistues të vitit 1994 të rishikuar ndër vite.
Ministri i Shtetit per Administraten Publike dhe Antikorrupsionin në bashkëpunim me Ministrin për Turizmin, Kulturën dhe Sportin hodhën këtë draft për konsultim ku sipas relacionit që e shoqëron nënvizohet se në fokus është rritja e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve në rastet e donacioneve.
“Projektligji për donacionet dhe sponsorizimet është një ligj kuadër që synon të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e organeve publike kur pranojnë donacione dhe sponsorizime, si dhe të nxisë sponsorizimet në Shqipëri në fusha që përbëjnë interes publik.
Në lidhje me organizatat jofitimprurëse, me qëllim mbrojtjen e interesit publik, projektligji ka një fokus më të ngushtë, duke përcaktuar rregulla vetëm në rastin e lidhjes së kontratave të sponsorizimit dhe nuk prek donacionet apo grantet që organizatat jofitimprurëse mund të përfitojnë. I njëjti parim vlen edhe kur përfitues janë organizatat sportive, shoqëritë sportive, subjektet tregtare në fushën e prodhimit të filmit dhe industrisë audiovizive, si dhe individët në fushën e kulturës, artit, sportit në rastet kur përfaqësojnë Republikën e Shqipërisë në nivel ndërkombëtar” thuhet në relacion.
I njëjti nënvizon fushat e zbatimit për donacionet dhe sponsorizimet e veprimtarive publike të tilla si: shërbimet sociale dhe veprimtaritë humanitare në mbështetje të grupeve në nevojë; artin, kulturën dhe mbrojtjen e trashëgimisë; zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve; shëndetin publik dhe kujdesin shëndetësor; mbrojtjen e mjedisit dhe të klimës; sporti dhe edukimi fizik; shkenca, inovacioni dhe transformimi digjital; të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore.
“Pavarësisht synimit për të vendosur një kuadër të unifikuar rregullash për organet publike në rastet e pranimit të donacioneve ose sponsorizimeve për realizimin e veprimtarive me interes publik, projektligji parashikon shprehimisht se nuk zbatohet në rastet kur ligje të posaçme përmbajnë rregullime të ndryshme për donacionet e organeve publike, si dhe për donacionet që rrjedhin nga veprimtaria e institucioneve publike ndërkombëtare. Po ashtu, për shkak të rregullimeve të veçanta nga kuadri ligjor në fuqi, sindikatat dhe partitë politike nuk janë subjekte të këtij ligji. Nga ana tjetër, ky projektligj nuk krijon mbivendosje me kuadrin ligjor në fuqi për pastrimin e parave, luftën kundër terrorizimit apo parandalimin e konfliktit të interesave. Ai përforcon masat e integritetit dhe përmban një sërë rregullash që synojnë të rrisin transparencën dhe besimin e qytetarëve te organet publike” thuhet në relacion.
Sipas draftit për herë të parë parashikohet që Shqipëria të ketë një Regjistër Elektronik Kombëtar për Donacionet dhe Sponsorizimet. Ky regjistër do të jetë i aksesueshëm nga publiku në çdo kohë në faqen zyrtare në internet të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të dhënat që lidhen me donacionet dhe sponsorizimet e organeve publike.
Organet ligjzbatuese që kanë kompetenca në luftën kundër pastrimit të parave, korrupsionit dhe terrorizmit do të kenë akses të pakufizuar në Regjistër për të dhënat që lidhen si me organet publike ashtu edhe për subjektet e tjera përfituese të sponsorizimeve, donatorët e organeve publike dhe sponsorizuesit.







