Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po i jep fund statusit të mbrojtjes së përkohshme (TPS) për mijëra somalezë në Shtetet e Bashkuara, njoftoi të martën në një postim në rrjetin social X zëdhënësja Karoline Leavitt, duke kërkuar që ata të largohen deri më 17 mars.
“Emigrantët somalezë me TPS do të detyrohen të largohen nga vendi deri më 17 mars,” shkroi Leavitt në X, duke cituar një artikull të Fox News që e publikoi i pari lajmin.

Ky vendim vjen pas një serie komentesh negative të presidentit Trump në muajt e fundit për somalezët në SHBA, përfshirë edhe për ata që janë qytetarë amerikanë me origjinë somaleze. Ai ka veçuar veçanërisht somalezët që jetojnë në Minnesota.
Trump tha në nëntor se po i jepte fund menjëherë mbrojtjes së përkohshme nga deportimi për somalezët që jetojnë në atë shtet, që është shtëpia e një komuniteti të madh somalezo-amerikan. Në atë kohë, ai e quajti Minnesota-n një “qendër të aktiviteteve të paligjshme të pastrimit të parave” nën guvernatorin demokrat Tim Walz, si përgjigje ndaj disa raporteve të paverifikuara mediatike, të shpërndara nga ligjvënës republikanë, se grupi militant Al-Shabaab në Somali ka përfituar nga mashtrimet e kryera në Minnesota.
Të martën, Fox News raportoi se skema do të përfundonte për somalezët në mbarë vendin.
Në përgjigje të një emaili nga Reuters, Departamenti i Sigurisë Kombëtare dërgoi një deklaratë nga drejtuesja e tij, Kristi Noem.
“Kushtet në Somali janë përmirësuar deri në atë pikë sa nuk plotësojnë më kërkesat ligjore për Statusin e Mbrojtjes së Përkohshme,” tha ajo.
Minnesota është kthyer në një pikë të nxehtë në përpjekjet e administratës për të deportuar miliona emigrantë.
Në ditët e fundit, dhjetëra mijëra njerëz kanë marshuar nëpër Minneapolis për të protestuar kundër vrasjes së një gruaje nga një agjent federal i emigracionit.
Aktualisht ka 2 mijë e 471 shtetas somalezë në SHBA nën TPS, me edhe 1 mijë e 383 aplikime të tjera në pritje, raportoi Fox News duke cituar burime nga Shërbimi i Shtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-ve. Sipas Shërbimit të Pavarur të Kërkimeve të Kongresit, të dhënat e vitit 2025 treguan se 705 individë të lindur në Somali në mbarë vendin kanë status TPS.







