Deputeti i Partisë Demokratike Luan Baçi ka reaguar pas lajmeve se SPAK po heton financimet e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021 të Partisë Demokratike, duke e cilësuar këtë proces si një veprim të turpshëm dhe të porositur politikisht.
Në një postim në rrjetet sociale, Baçi argumenton se, nëse llogaritet një kontribut simbolik prej 10 mijë lekësh për secilin nga 4 400 delegatët, shuma arrin në 44 milionë lekë, e mjaftueshme për organizimin e aktivitetit. Ai shton se, edhe në rastin e pjesëmarrjes së 44 mijë delegatëve në procesin e zgjedhjes së kryetarit të PD-së, shuma do të shumëfishohej, duke arritur në rreth 440 milionë lekë.
Reagimi i deputetit shoqërohet edhe me akuza të drejtpërdrejta ndaj figurave brenda opozitës që, sipas tij, janë përfshirë në denoncime të pabaza, duke përmendur në mënyrë të tërthortë edhe Gazment Bardhi.
Në mbyllje të reagimit, deputeti i PD-së përdor një gjuhë të ashpër, duke deklaruar se “turpi i mbuloftë” të gjithë ata që u morën me kallëzime të tilla, ndërsa shton se, sipas bindjes së tij, këta persona “as turp nuk kanë”.
“Spak heton Kuvendin e 11 Dhjetorit të Partisë Demokratike, Kuvendin më të bukur dhe më të lavdishëm të saj!
Ku u gjetën paratë?
4,400 delegatë × 10 mijë lek = 44 milionë lekë!
Dalin dhe teprojnë, për një aktivitet të tillë të Partisë Demokratike!
Besoj se çdo delegat, kaq lekë i ka dhe nuk ka detyrim, për të deklaruar burimin e këtyre të ardhurave!
Po të llogarisim edhe 44,000 delegatët të konfirmuar me ID, që morën pjesë, në zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike profesor doktor Sali Berishës, × 10,000 lekë, për çdo delegat, shuma dhjetëfishohet, në 440 milionë lekë!
Partia Demokratike është një fuqi e madhe dhe e papërballueshme jo vetëm në ide, në programe, por edhe në përfaqësim, në numra dhe për rrjedhojë edhe në financa.
Boll me këto karagjozllëqe dhe veprime të turpshme, duke goditur Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, me porosi të vazhdueshme, për çështje që nuk ekzistojnë!
Merruni me aferat korruptive, me miliona dhe miliarda euro abuzime, të qeverisë më të korruptuar të të gjitha kohëve!
TURPI i mbuloftë, megjithëse e di, që vetëm turp nuk kanë, të gjithë ata që u morën me denoncime dhe kallëzime të tilla, të paqena në periudhën më të lavdishme, por edhe më të vështirë të Partisë Demokratike!” – shkruan Baçi.







