LUFTAR PEPMARKU
1. RRËNJËT E ROMANIT
Boshti i ngjarjeve në këtë roman është vijimësi e ngjarjeve nga romani i mëparshëm i autorit me titull “Ngjizja e papërlyeme”. Që në faqet e prologut këtu na shfaqet një zonjë që e ka bashkëshortin në seanca kimioterapie. Protagonistes së romanit i vjen një letër nga Vjena e Austrisë. Dërguesi i saj quhet Roman Martin Gega. Ai është djali i çiftit Martin Gega e Ljuba Borisovna. Ljuba ishte një zonjë fisnike ruse, që kishte lidhur jetën bashkëshortore me Martin Gegën. Ata shquhen për një besnikëri shembullore, plot virtyte. Janë personazhe që i kemi takuar tashmë në romanin paraprijës “Ngjizja e papërlyeme”. Romani ka lindur 3 vjet pas pushkatimit të të atit, Martinit. Ngjizja e tij është produkt i grirjes së dorëshkrimit, i gatimit të tij në tigan. Bashkëshortja e tij, Ljuba, e gatuan në formë qulli dhe e gëlltit dorëshkrimin e romanit të të shoqit, për të mos u kapur nga kontrolli e bastisja, që pritet t’ia behin nga çasti në çast. Ndaj e ëma e kishte pagëzuar djalin e shtatzënisë së saj me emrin Roman, pinjoll i ngjizur me librin e të shoqit në rrugë jo natyrale. Ky është një truk parabolik, një metaforë fantastike e sureale, që përbën dhe ashtin e rrëfimit, falë mjeshtërisë së Tufës.
2. VIJA E SUBJEKTIT TË ROMANIT TË RI “BIJA E MINOTAURIT”
Kanë kaluar vite. Djali me emrin Roman jeton në Vjenë të Austrisë. Nëna e tij, rusja e mirë e besnike, Ljuba Borisjovna, mbase ka ndërruar jetë. Të gjitha këto i përkasin romanit të vëllimshëm me 751 faqe “Ngjizja e papërlyeme”, që citova më lart. Këtë shkrim e nisa për të sjellë ca mbresa rreth librit të ri, të sapobotuar, që doli në panairin e vitit 2025, me titull “Bija e Minotaurit”. Me mjeshtërinë e provuar tashmë, autori ka arritur të depërtojë deri në skutat më të thella të strukturave të Sigurimit të Shtetit komunist, kupolën e të cilave po e quaj “Foleja e gjarpërinjve”. Këta gjarpërinj u qepeshin qytetarëve me përgjime e vëzhgime të gjithçkaje që bënin, që mendonin e deri te ndjesitë dhe ëndrrat që kishin. Gjarpërinj të tillë ishin ngjitur deri në kupolën më të lartë të shtetit të diktaturës. Ata nuk kishin asnjë moral në marrëdhëniet mes tyre. Nuk kishin asnjë kufi dhe ishin aq të paskrupuj, sa i lejonin vetes çdo sjellje meskine, deri në veprimet intime e çnjerëzore të padenja familjare.
Qysh në faqet e para të romanit të ri do të njihemi me protagonisten e rrëfimit: është gruaja që ka marrë letrën e Romanit nga Vjena, e cila na rrëfen jetën e saj dramatike e të stuhishme, tashmë një vajzë, në kapërcyell të adoleshencës. Ajo është bijë e funksionarit të lartë Ligor Luçi, drejtor i Drejtorisë së III, të MPB. Marianthi është e ëma, profesoreshë te Shkolla e Lartë e Partisë “V.I. Lenin”. Marianthi është edhe motra e një funksionari të lartë në degën e kuadrit të KQ të PPSH, njëkohësisht, bashkëshort i një femre me bukuri të rrallë, që përmbushte pa farë ngurrimi kënaqësitë erotike të funksionarëve të lartë të dikasterit, deri te më i madhi i kupolës së piramidës. Gjatë leximit mësohet se gjarpërinjtë e kësaj kupole, përveç kolegë pune, ishin mes vedi, në të njëjtën kohë, miq dhe armiq për vdekje të njëri-tjetrit. Krahas tyre në këtë roman përfaqësohen edhe familjarë të shtresave të persekutuara. Ata ndiqen në çdo veprim. Përgjohen në çdo hap, paragjykohen dhe paracaktohen për gjithëçfarë sajesash, kryesisht akuza për veprime armiqësore nga më të ndryshmet.
Në darën e kësaj ndjekje janë Shestanët e Gradishtës së Krujës, me babë të arratisur jashtë shtetit. Në këtë familje janë tre vëllezër dhe nëna e tyre. Një familje vërtet e virtytshme. Ata janë të etur për dije dhe janë shumë punëtorë. Përpiqen t’i bëjnë ballë përndjekjes, t’i mbijetojnë sistemit, me punë e dinjitet. Shkurt: ishin shumë të kujdesshëm, për të mos rënë në kurthet e shumta që u ngrinin në çdo hap të jetës. Të gjitha këto do t’i mësojmë gradualisht, përmes rrëfimeve të thukëta të bukuroshes së re që është dërguar në këtë fshat me mision zbulimi nën maskën e mësueses. Është Dafina Luçi pra, që rrëfen jetën e saj në rini, personazh qendror këtu, por që e kemi ndeshur edhe më parë në episode të romanit “Ngjizja e papërlyeme”. Misioni i saj është të joshë, tundojë e korruptojë njërin nga vëllezërit e familjes së deklasuar Shestani, për të nxjerrë sekretin që fshehin vëllezërit, e që konsiderohet si kërcënim për shtetin komunist. Por ngjarjet, njohja, kontaktet e saj me këtë familje, sjellin një trandje të ngadaltë e përfundimtare në botën e Dafinës së re dhe, së këndejmi, përmbysjen tërësore të misionit të saj. Kjo është linja kryesore e romanit. Por plasaritjet e para bota shpirtërore dhe intelektuale e Dafinës, që i ka marrë më parë, plasaritje të cilat, përgjatë shtjellimit të fabulës së romanit shndërrohen të çara të pariparueshme. Pikërisht këtë çarje përbëjnë dhe linjat e tjera të romanit.
3. PLASARITJET DHE ÇARJET E FAMILJES KOMUNISTE TË DAFINËS
Autori si një psikolog i spikatur ka ditur të depërtojë thellë në mendimet e çdo personazhi, në ndjesitë dhe meditimet e tyre. Si në rastet kur komunikojnë me të tjerët, ashtu edhe kur meditojnë vetmevete, në rrethana thuajse nga më të paimagjinueshmet, me paradokset e logjikën absurde të përditshmërisë së diktaturës. E në rrjedhën e këtyre ngjarjeve, shfaqet kontradikta e parë, babë e bijë, mes Gorit dhe Dafinës. Në kundërshtim me vullnetin e të atit Dafina synon dhe arrin të regjistrohet në shkollën e lartë të Sigurimit, për t’u bërë agjente sekrete e këtyre organeve. I ati e zbulon këtë fakt, e falë rangut të lartë që ka në këto organe dhe e çregjistron nga kjo shkollë të bijën. Vajza këmbëngul se duhej të vazhdonte atë shkollë që dëshironte dhe prindi duhej ta ndihmonte e jo t’i bëhej pengesë. Në këtë rast grindja përshkallëzohet deri në atë masë, sa Gori e mohon si bijë dhe ia ndalon t’i drejtohet me “baba”. Edhe vajza me të njëjtën këmbëngulje e pranon ngrirjen e plotë marrëdhënieve me të atin, funksionarin e lartë, Gori Luçin. Kjo është gjendja e tensionit, ndërkaq, nga ana tjetër, në faqet e romanit mësohet se si i përgatisin kurthet e si stisen situatat nga gjarpërinjtë e asaj foleje të tmerrshme. Kështu, që në faqet e para të romanit, në një ditë të zakonshme, tre persona e sulmojnë vajzën në Rrugën e Durrësit, dhe e tërheqin me forcë për ta futur në një makinë.
Qartazi lexuesi ndeshet me një situatë të mirëmenduar rrëmbimi. Dhuna e agresiviteti i rrëmbyesve ishte i ashpër e krejt i papërballueshëm për vajzën. Fatmirësisht aty shfaqet një mesoburrë i fuqishëm, i cili ndeshet me guxim e forcë me agresorët dhe falë tij, vajza i shpëton dhunimit çnjerëzor. Ai i plandos ata, duke u bërë kështu shpëtimtari i Dafinës, para një rreziku të madh. Pastaj Dafina vazhdon një pjesë të rrugës, bashkë me shpëtimtarin e saj nga ky kurth. Ulen në një pastiçeri të çlodhen pak. Gjatë bisedës vajza i kishte treguar emrin e saj dhe i kërko, që edhe ai t’ia thotë emrin e tij. I panjohuri, heroi romantik, dalëzotësi, do të shihet më vonë se nuk është i tillë dhe së tërë ngjarja ka qenë inskenim, për të hyrë në kontakt me vajzën e re, Dafinën. Herpo është një figurë e errët, kolonel Zeno Tare, bëmat e të cilit i kemi ndeshur edhe në romanin “Ngjizja e papërlyeme. Këtu, në këtë rrëfim, ai është një emisar qendror i një strukture të re sekrete të Sigurimit, që bashkë me dytre kolegë të tij, ish-studentë të Institutit moskovit Xherxhinski dhe kundërshtarë e rivalë të babait të Dafinës, përgatisin një detashment special agjentesh femra, në frymën dhe stilin e praktikave të KGB-së. Me ç’duket ata janë në dijeni të pasionit të Dafinës dhe faktit të regjistrimit të saj dhe, mandej, mandej çregjistrimit që i bën i ati asaj nga shkolla e Lartë e MPB, profili Sigurim. Shumë shpejt, rivalët e të atit e përpijnë Dafinën në grupin e parë të trajnimit të agjenteve të bukura e inteligjente.
4. TRIUMFI I THELBIT TË MIRË
Tufa na ka dhënë një personazh të paparashikueshëm, në metamorfozë të vazhdueshme, deri në stadin e saj më të epërm e më të plotë, përfundimtar. Theksoj se pavarësisht shkarjeve që pëson Dafina, në jetën private në rrethana krejt të papritura e kurthe të pashmangshme, që i ngrinin miqtë dhe armiqtë e babait të saj, të cilët ishin pjesë e të njëjtës “fole”, të mbushur me gjarpërinj helmues. Ata që përgjonin çdo ëndërr, mendim, ndjesi, a veprim të fëmijëve, të të rinjve, të rriturve e të moshuarve të vendit. Përmes kësaj atmosfere të ndotur me vese e imoralitete, Dafina arrin që me zgjuarsi e koherencë, jo vetëm t’u shmanget, t’u mbyllë gojën gjarpërinjve të kësaj “foleje” të atij sistemi, por të tallet me ta, aq sa në finale të romanit t’i shpjerë në dështim e dëshpërim planet, skemat, dosjet dhe aksionet e tyre, duke theksuar gjithë shëmtinë që përfaqësojnë. Nga aftësitë e Dafinës, lexuesi do mësojë dhe për virtytet që manifestonin pjesëtarët e familjes Shestani.
Veprime të tilla, që pothuaj se e nxjerrin Dafinën nga llumi i kastës që i përkiste. Të gjitha këto, mes ngjarjeve të shumta që zhvillohen, i japin asaj trajtat e plota të një personazhi me vlera pozitive. Korrektesa, koherenca, zgjuarsia, me të cilën i ndjek ngjarjet Dafina, me të cilat i kapërcen një pjesë të konsiderueshme të intrigave, kurtheve e të papriturave të atij sistemi, të japin të kuptosh se edhe në atë sistem, kishte ndonjë individ, brenda të cilit priste të zhvillohej e mira! Autori zgjedh Dafinën ta bëjë këtë. Me gjasë edhe për të theksuar një ide që kumbon fort në fund të romanit: e keqja duhet të mund vetveten si hakmarrja dhe ndëshkimi më i rëndë mu brenda qelizës së shoqërisë, familjes, sepse e keqja nuk duhet të ketë vazhdim.
5. VIRTYTI MORAL E QYTETAR I ROMANIT
Nuk po hyj në detaje të mëtejshme të librit, me qëllim që lexuesit t’i zbulojnë e t’i shijojnë vetë ato më mirë gjatë leximit. Në mbyllje të këtyre shënimeve, theksoj, se në librat e z. Agron Tufa, lexuesit do të shohin përmes një “rezonance të saktë kontakti” – fytyrën e atij sistemi, gjithçka që ai përmbante brenda vetes. Një sistem që kishte ngritur një rrjet të tërë spiunimi, që vëzhgonte e përgjonte jetën e qytetarëve të vet, deri në çdo detaj. Me synimin për t’ua nxirë sa më shumë jetën atyre. Në atë sistem vëzhgonin e flisnin malet e kodrat, brigjet e gërxhet, ferrat, gurët e drurët, pemët e shpendët, fushat e gëmushat, lëndinat e luginat, lumenjtë e përrenjtë, si dhe rrëketë apo gjithçka që e rrethonte njeriun. U ngarkohej detyrë të ndiqnin njëri-tjetrin, pleqtë e plakat, burrat e gratë, djemtë e vajzat, fëmijët e të rinjtë, priftërinjtë dhe hoxhallarët, studentët dhe shkencëtarët, poetët dhe shkrimtarët, të përndjekurit dhe xhelatët, të sinqertit dhe gënjeshtarët, dinjitozët dhe halabakët.
Lum kush mundi të shpëtojë pa iu nxirë faqja e nuk përfundoi në një shërbëtor të rëndomtë të atij sistemi. Spiunë, apo siç quhen sot patronazhistë, si për ta zbutur sadopak emërtesën e disa viteve më parë të këtyre gjallesave, që rrezikonin jetën e bashkëqytetarëve të vet. Gjatë leximit të librave të z. Tufa, kuptohet lehtë se autori i këtyre librave, sjell për lexuesin skanerin e një kohe që kanë jetuar bashkëkombësit e tij, me synimin që ngjarjet të mësohen kryesisht edhe nga moshat e reja. Qëllimi është fisnik: që histori të tilla mos të përsëriten më. Duke u dhënë mish, frymë e shpirt krijesave njerëzore të asaj epoke të frikshme, të përzishme, e duke na e paraqitur me art përditshmërinë e ankthshme të diktaturës, romani i z. Tufa nuk harron asnjë çast t’i flasë realitetit të sotëm me plot analogji dhe nënkuptime. U vlerësofshin gjithmonë veprat e mira, gjithkush që me veprat e tyre të mira si kjo, sjell vlera të vërteta për shoqërinë dhe njerëzimin!







