Më 15 janar 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, të mbështetura nga formacione paramilitare, ndërmorën një ofensivë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, ku u vranë 45 civilë shqiptarë të paarmatosur
Sot përkujtohet 27-vjetori i Masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më të rënda dhe më tragjike të luftës në Kosovë, e cila vazhdon të mbetet një plagë e pashëruar në kujtesën kolektive të qytetarëve.
Më 15 janar 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, të mbështetura nga formacione paramilitare, ndërmorën një ofensivë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, ku u vranë 45 civilë shqiptarë të paarmatosur. Vrasjet u kryen në mënyrë brutale, duke shkaktuar tronditje të thellë si brenda Kosovës ashtu edhe në opinionin ndërkombëtar.
Ngjarja mori jehonë botërore pas deklaratave të shefit të atëhershëm të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili, pasi vizitoi vendin e krimit dhe pa trupat e viktimave, e cilësoi masakrën si krim të rëndë kundër njerëzimit. Reagimi i tij u bë një pikë kthese në ndërgjegjësimin e komunitetit ndërkombëtar për dhunën sistematike ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Masakra e Reçakut u shndërrua në simbol të vuajtjes dhe sakrificës së popullit të Kosovës, por edhe në një moment vendimtar që ndikoi drejtpërdrejt në zhvillimet e mëvonshme politike dhe ushtarake, duke kontribuar në fundin e luftës.
Në kuadër të shënimit të kësaj dite përkujtimore, sot pritet të bëjnë homazhe krerët më të lartë të shtetit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, si dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Homazhe do të zhvillojë gjithashtu edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Dimal Basha kanë zhvilluar sot në 15 janar, homazhe në Kompleksin Memorial të Reçakut.
Këto homazhe u organizuan për të kujtuar 45 civilët e vrarë 27 vjet më parë nga forcat paramilitare serbe, një masakër që tronditi opinionin ndërkombëtar dhe u bë e njohur falë dëshmisë së mikut të madh të Kosovës, ambasadorit William Walker.
Në këtë përkujtim mori pjesë edhe ambasadori Walker, i cili, ashtu si çdo vit, u kthye në Reçak për të nderuar viktimat shqiptare të kësaj ngjarjeje tragjike.

Osmani: Dhimbja është e freskët, Serbia nuk është ndëshkuar
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Kompleksi Memorial në Reçak, deklaroi se masakra e kryer ndaj 45 civilëve përbën provë të qartë të përpjekjeve të Serbisë për shfarosjen e popullit shqiptar. Pas homazheve, Osmani tha se dhimbja për krimin e Reçakut vazhdon të jetë e gjallë edhe sot, ndërsa Serbia, sipas saj, nuk është përballur ende me drejtësinë për këtë dhe shumë krime të tjera të kryera në Kosovë.
Ajo theksoi se Serbia edhe sot ndjek të njëjtën qasje politike dhe mendësi, duke vazhduar mohimin e masakrës së Reçakut. “Në përvjetorin e 27-të të Masakrës së Reçakut, përkujtojmë viktimat e një tragjedie të rëndë, e cila dëshmoi hapur synimin shfarosës të regjimit gjenocidal serb ndaj popullit të Kosovës. Plagët e Reçakut vazhdojnë të flasin, sepse dhimbja mbetet po aq e thellë sa edhe 27 vjet më parë. Ajo është ende e freskët për familjarët e viktimave dhe për mbarë qytetarët e Kosovës, për shkak se drejtësia ende mungon për këto krime dhe për shumë të tjera anembanë vendit. Edhe pas më shumë se dy dekadash, Serbia vazhdon me të njëjtat politika dhe mentalitet, ndërsa mohimi i krimeve, përfshirë edhe atë të Reçakut, përbën një krim të dytë”, u shpreh Osmani.
Presidentja vuri në pah se shteti i Kosovës ka themele të qëndrueshme falë sakrificës së martirëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne do të angazhohemi për ta mbrojtur të vërtetën, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe në arenën ndërkombëtare. Siç e ka dëshmuar edhe ambasadori Walker, ajo që ndodhi në Reçak ishte një krim kundër njerëzimit dhe kundër civilëve të pafajshëm, që tregonte qartë synimin e regjimit serb për zhdukjen e shqiptarëve. Sot, falë flijimit të martirëve të Reçakut, të gjithë martirëve të Kosovës dhe dëshmorëve të UÇK-së, ne jetojmë në liri, pavarësi dhe demokraci, në një shtet sovran, themelet e të cilit janë ndërtuar me gjakun e tyre”, përfundoi ajo.

Kurti: Reçaku mbetet një betejë që vijon për drejtësi
Në përvjetorin e 27-të të Masakrës së Reçakut, po mbahet Akademi Përkujtimore në nderim të 45 civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat paramilitare serbe. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se shteti i lirë i Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e martirëve dhe dëshmorëve të UÇK-së. Ai theksoi se ky përvjetor është një obligim ndaj kujtesës, të vërtetës dhe drejtësisë.
Kurti u shpreh se Reçaku mbetet pjesë e pandashme e betejës për zbardhjen e krimeve dhe për drejtësi, duke nënvizuar se këto krime nuk mund të fshihen nga historia. Ai shtoi se e vërteta nuk mund të mohohet dhe se drejtësia, edhe kur vonon, mbetet një detyrim moral dhe historik.

William Walker: Reçaku i tregoi botës të vërtetën për Kosovën
27 vjet më parë, në fshatin Reçak të Shtimes u krye një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë, ku 45 civilë shqiptarë u vranë brutalisht nga forcat paramilitare serbe. Masakra mori vëmendje botërore pas reagimit të menjëhershëm të ish-shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, i cili, pasi pa trupat e civilëve të vrarë, denoncoi krimet kundër njerëzimit që po ndodhnin në Kosovë. Në Akademinë Përkujtimore, pas gati tre dekadash, Walker tha se nuk do ta kishte besuar kurrë që Kosova do të ishte sot një shtet i lirë dhe i pavarur. Ai theksoi se Reçaku ishte momenti që ia tregoi botës të vërtetën për Kosovën dhe se shumë shtete u rreshtuan në mbështetje të saj.







