Komisioni i Sigurisë dhe Mbrojtjes (SEDE) i Parlamentit Europian ka miratuar një raport ku kërkohet fuqizimi i Asociacioneve të Sigurisë dhe Mbrojtjes (ASD) të Bashkimit Europian, duke i cilësuar ato si “thelbësore” për t’u përballur me “kërcënimet e reja” në një moment që përshkruhet si “më i rëndi që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Raporti paralajmëron se BE po kalon “situatën më të rëndë të sigurisë” që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, e cila sot shënohet nga agresioni rus ndaj Ukrainës, si dhe nga kërcënime hibride, sulme kibernetike, terrorizëm, rreziqe mbi infrastrukturat kritike dhe pasojat e ndryshimeve klimatike.
Eurodeputetët e identifikojnë Rusinë, të mbështetur nga Irani, Koreja e Veriut dhe Bjellorusia, si “kërcënimin kryesor”, ndërsa Kina përshkruhet si “konkurrent strategjik” që përmes mbështetjes ndaj Moskës e detyron BE-në të forcojë rezistencën e saj ekonomike dhe mbrojtëse.
Raportuesi i dokumentit, eurodeputeti polak Michal Szczerba, deklaroi pas votimit se , “Siguria e Europës nuk mund të merret më e mirëqenë. Detyra më e rëndësishme është që BE të ndërtojë kështjellën e saj. Na duhet një qasje më strategjike dhe e koordinuar.”
Ai theksoi se Asociacionet e Sigurisë dhe Mbrojtjes janë “të domosdoshme”, pasi kërcënimet nuk ndalen në kufij dhe BE nuk mund të veprojë e vetme. “Autonomia e vërtetë strategjike varet nga partneritete që sjellin kapacitete konkrete, ndërveprim dhe rezistencë,” shtoi Szczerba.
Aktualisht BE ka Asociacione të Sigurisë dhe Mbrojtjes me tetë vende partnere si Norvegjinë, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Korenë e Jugut, Japoninë, si dhe me vende kandidate si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Moldavia.
“Këto partneritete lehtësojnë harmonizimin e interesave strategjike, rrisin ndërveprimin dhe koordinimin në mbrojtje, mundësojnë blerje të përbashkëta armësh dhe pjesëmarrje në operacione të përbashkëta, si dhe adresojnë kërcënime të reja si sulmet hibride dhe kibernetike.”
Eurodeputetët propozojnë formalizimin e një asociacioni strategjik me Ukrainën, duke e cilësuar mbështetjen për Kievin si “bazën e mbrojtjes europiane” në këtë moment.
Ata kërkojnë gjithashtu mbështetje të qëndrueshme ushtarake, industriale dhe politike për Ukrainën, garanci sigurie dhe përdorimin e aseteve ruse të ngrira për rindërtimin e vendit, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Komisioni i Parlamentit Europian ka theksuar se NATO mbetet “gurthemeli i mbrojtjes kolektive”, por ka insistuar në nevojën për zhvillimin e një kapaciteti më autonom dhe operativ europian.







