Qeveria ka miratuar procedurat e hollësishme që i japin fund pritjes shumëvjeçare për mijëra familje dhe biznese që posedojnë ndërtesa mbi truall shtetëror. Vendimi i ri përcakton qartë se Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) do të jetë institucioni që do të udhëheqë procesin, ndërsa aplikimi do të jetë tërësisht digjital.
Kategoritë që përfitojnë
Procesi i kalimit të pronësisë përfshin ndërtesat e privatizuara, të cilat janë objekte të blera nga shteti, ndërmarrjet shtetërore apo ish-kooperativat bujqësore. Objekte të ngritura me leje nga bashkitë pas datës 10 gusht 1991, ku toka ka mbetur në pronësi të shtetit.
Edhe nëse ndërtesa ka pësuar dëmtime strukturore, pronësia e truallit mund të përfitohet nëse objekti figuron në regjistrat kadastralë.
Hapat e aplikimit dhe dokumentacioni
Aplikimi nis përmes portalit e-Albania. Subjektet duhet të dorëzojnë kontratën e privatizimit ose lejen e ndërtimit bashkë me Genplanin; vërtetimin e regjistrimit të ndërtesës, nëse është e regjistruar; vërtetim për taksat, dokument që vërteton pagesën e taksës së truallit në përdorim nga viti 2010 e në vazhdim.
Sa kushton trualli?
Vendimi bën një ndarje të qartë mes banesave dhe bizneseve. Për ndërtesat për banim kalimi i pronësisë për sipërfaqen e përcaktuar në dokumentacionin e privatizimit bëhet falas.
Ndërsa për ndërtesat që përdoren për biznes, për ndërtesat me funksion social-ekonomik, trualli blihet me çmimin e tregut sipas Hartës së Vlerës së Tokës.
Pagesa bëhet vetëm për pjesën që shfrytëzohet për aktivitet ekonomik.
Për ata që kanë kërkuar privatizimin para korrikut 2012 dhe e paguajnë brenda 30 ditëve nga njoftimi i ri do të ketë ulje me 20%.
Afatet kryesore
Sapo kërkesa dorëzohet, ASHK ka 60 ditë afat për të kryer verifikimet në terren dhe hartimin e aktit të evidentimit.
Pas llogaritjes së vlerës, nëse ka, qytetari ka përsëri 60 ditë kohë për të kryer pagesën. Në rast se tarifat kadastrale nuk paguhen menjëherë, mbi pasurinë vendoset një hipotekë ligjore deri në shlyerjen e tyre.
Dokumentet që duhet t’i keni gati në format PDF përpara se të nisni aplikimin në e-Albania
Për Ndërtesat e Privatizuara (Ish-ndërmarrje, dyqane, banesa shtetërore)
- Kontrata origjinale e privatizimit: Dokumenti i shit-blerjes me shtetin (ish-AKP, ndërmarrjet apo kooperativat).
- Genplani/Planimetria e kohës: Harta që tregonte pozicionin e objektit në momentin e privatizimit.
- Vërtetim nga Tatimet: Dokument që vërteton se keni paguar taksën e truallit në përdorim nga 7 qershori 2010 deri sot.
- Deklaratë Noteriale (nëse dosja mungon): Nëse ASHK nuk ka kopje të dosjes, ju duhet një deklaratë ku merrni përgjegjësi për origjinalitetin e dokumenteve që po dorëzoni.
Për Ndërtesat me Leje Ndërtimi (pas 10.08.1991)
- Leja e Ndërtimit: E lëshuar nga Bashkia ose ish-KRRT-ja.
- Genplani shoqërues i lejes: Ku përcaktohet sheshi i ndërtimit dhe sipërfaqja e objektit.
- Vërtetim nga Bashkia: Dokument që vërteton se keni paguar qiranë e truallit nga momenti i ndërtimit deri më 7 qershor 2010.
- Vërtetim nga Tatimet: Për pagesën e taksës së truallit nga viti 2010 e në vazhdim.
Dokumente të përbashkëta (për të dyja rastet)
- Certifikata e Pronësisë së Ndërtesës: Nëse e keni të regjistruar vetëm objektin në Kadastër (pa tokën).
- Kontrata e rishitjes (nëse ka): Nëse ju nuk jeni pronari i parë, por e keni blerë ndërtesën nga dikush tjetër që e kishte privatizuar.
- Tarifa e shërbimit: Duhet të keni një kartë bankare gati për të bërë pagesën e aplikimit në momentin që dorëzoni kërkesën on-line.
Si të procedoni në e-Albania?
Kërkoni shërbimin: “Kërkesë për kalimin e pronësisë së truallit shtetëror në përdorim”.
Ngarkoni dokumentet e mësipërme të skanuara.
Sigurohuni që sipërfaqja që kërkoni të jetë brenda kufijve të genplanit origjinal, përndryshe pjesa tjetër mund të konsiderohet si shtesë pa leje dhe të kalojë me procedurë tjetër.







