Nga Bujar Leskaj
Imagjinoni për një moment që biznesi juaj të mos ketë asnjë tatim. Që pagat e punonjësve tuaj të përjashtohen nga të gjitha taksat për 10 vite. Që shteti t’ju paguajë për trajnimin e punonjësve tuaj. Që kontributet për sigurimet shoqërore të paguhen gjithmonë në nivelin e pagës minimale. Shtoni edhe regjimin fiskal që të gjitha mallrat, pajisjet dhe shërbimet tuaja të përjashtohen nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar(TVSH), nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe nga taksat për pasuritë e paluajtshme dhe do të keni “kryeveprën” e zezë të sektit Rama, ose krye-vjedhjen teknologjike, të quajtur Parku Teknologjik Durana.
- Durana, parajsa fiskale për kompanitë favorite të Ramës, që merrnin dhjetra milionë euro kontrata nga AKSHI!
Durana është një park teknologjik i rregjistruar në QKB më 20 shkurt 2025, pronë e Korporatës Shqiptare të Investimeve, entitet publik gjoja për zhvillimin e pronave publike, por çerdhe reale abuzimesh me ligjin dhe korrupsioni.
Baza ligjore për funksionimin e parkut është Ligji “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore” i vitit 2022. Me VKM Nr. 185 dt. 27.03.2024, sekti në qeverisje i dha Duranës një sipërfaqe prej 140.400 m2 në Xhafzotaj në Durrës, që do të përdoreshin për hapjen e këtij parku. Në këtë moment, Durana ende nuk kishte lindur, pasi regjistrimi zyrtar i saj u bë 11 muaj më pas, më 20 shkurt 2025.
Skandali i parë qëndron në faktin që, edhe pse kanë kaluar dy vite që nga koha kur Durana mori tokën nga shteti, dhe gati një vit nga momenti që u regjistrua, në Xhafzotaj të Durrësit, toka publike prej 140.400 m2 vijon të jetë djerrë!
Ligji i parqeve teknologjike i vitit 2022, në Nenin 12 të tij e përcakton qartë se transferimi i një veprimtarie ekzistuese në territorin shqiptar në parkun teknologjik dhe shkencor, me qëllim kryesor përfitimin e lehtësive të parashikuara në këtë ligj, është i ndaluar.
Çdo transaksion, që në thelb rezulton në transferimin e veprimtarisë ekonomike sipas përcaktimit të mësipërm, është i ndaluar. Ky ligj, njëlloj si dhe ligji për procedurat tatimore, e ndalojnë që një biznes ose ortakë në një biznes, ta rishpikin veten, të përfaqësuar në një tjetër emër tregtar, por me aktivitet të ngjashëm vetëm për të shpëtuar nga detyrimet fiskale.
Kjo ka ndodhur me kompanitë kryesore të zhvillimit të softwerëve në Shqipëri, klientë të afërt të Ramës dhe të “kopshtit” të tij personal të abuzimeve dhe korrupsionit, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI-t famëkeq tashmë. Vetëm një kompani, e rregjistruar me një emër tjetër në park, ka marrë 60 milionë euro nga një tender sekret i AKSHI-t!
Kështu, 53 kompani u bënë pjesë e “DURANA Tech Park”, me një rregjistrim të thjeshtë prej 50 eurosh, duke përfituar lehtësirat fiskale të përshkruara më sipër, në një kohë kur paralelisht konkurrentët e tyre në sektor paguanin 15% tatimin mbi fitimin, përfshirë edhe detyrimet fiskale të tjera.
Rama lejoi, në mos e bashkë-ideoi vetë, që “Durana” të shpallej zonë e lirë për zhvillimin e teknologjisë, me status të posaçëm ligjor dhe fiskal, ndërkohë që kompanitë e regjistruara si përdoruese në të përfitonin përjashtime të gjera nga taksat dhe kontributet, edhe pse asnjëra prej tyre nuk ndodhej në tokën djerrë të Xhafzotaj të përcaktuar me VKM si vendndodhja e parkut teknologjik, në kundërshtim të hapur me legjislacionin në fuqi.
- Durana, kjo parajsë fiskale në erë, e ngrirë dhe pa gjurmë
Sot nuk ka më asnjë gjurmë nga projekti “Durana Tech Park” në faqen zyrtare të Korporatës së Investimeve Shqiptare, një kompani publike që mbahet nga taksat e shqiptarëve dhe që e ka detyrë parësore transparencën e plotë. Çdo informacion mbi projektin “Durana Tech Park” është fshirë nga faqja e Korporatës, pa asnjë njoftim apo shpjegim publik.
E projektuar si qendër inovacioni dhe kërkimi dixhital, çdo ditë që kalon Durana po shërben si një strehë, parajsë fiskale për klientët favoritë të Ramës, që janë furnizuar nga kontratat publike.
Parku Teknologjik “Durana” u promovua si një nga projektet më ambicioze për zhvillimin e inovacionit, teknologjisë dhe industrive me vlerë të shtuar në Shqipëri. I paraqitur si hapësirë për start-up-e, kompani teknologjike, qendra kërkimore dhe shërbime digjitale, ai u shpall si simbol i kalimit nga ekonomia tradicionale drejt ekonomisë së dijes.
Deri tani, procedurat e përzgjedhjes së operatorëve dhe përdoruesve të parkut nuk janë shoqëruar me publikim të plotë të kritereve. Nuk ka qartësi mbi kushtet e kontratave, kohëzgjatjen, detyrimet financiare dhe përfitimet reale për shtetin. Me Duranën, rregjistrimi në të është vënë në shërbim të interesave të kufizuara private, pa një proces real konkurrues.
Një pjesë e mirë e aktiviteteve të kompanive të rregjistruara në “Durana” nuk përputhen me konceptin e një parku teknologjik. Në vend të kompanive të teknologjisë së avancuar, R&D, start-up-eve dhe inkubatorëve, janë futur aktivitete që kanë karakter të thjeshtë tregtar apo logjistik.
Mungon ekosistemi i inovacionit: laboratorë, qendra kërkimore, bashkëpunim me universitete, programe inkubimi dhe akselerimi. Kjo e kthen projektin nga një qendër zhvillimi teknologjik, në një zonë virtuale biznesi të zakonshëm, por me privilegje dhe trajtim të veçantë. Praktikisht, në kopshtin personal të abuzimeve të Ramës.
Statusi i Duranës si park teknologjik u përdor si “strehë fiskale” për kompani që nuk kanë aktivitet real teknologjik, ndërsa mungesa e monitorimit krijoi hapësira të gjera për evazion fiskal dhe konkurrencë të pandershme ndaj bizneseve që operojnë jashtë parkut.
Një park teknologjik matet nga rezultatet. Nga sa start-up-e janë krijuar, sa vende pune me kualifikim të lartë janë hapur, sa projekte inovative janë zhvilluar dhe sa bashkëpunime me universitete dhe qendra kërkimi janë realizuar. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur me Duranën, pasi sektit Rama nuk i interesonte inovacioni dhe aplikimet shkencore, por vetëm zhvatja, evazioni fiskal dhe korrupsioni.
xxx
Ligji i parqeve teknologjike i vitit 2022 dhe dy VKM-të përkatëse janë në grupin e akteve ligjore të qepura me porosi nga sekti Rama në qeverisje, për të stimuluar korrupsionin tek klientët e tij.
Pezullimi më 13 janar 2026 i fondeve të Bashkimit Europian për projektet e qeverisjes digjitale në Shqipëri nuk është një keqkuptim teknik, as një incident i zakonshëm burokratik, pavarësisht qe qeveria e mbulon dhe nuk e bën publik njoftimin që ka marrë nga Brukseli, lidhur me arsyet e pezullimit. Ky veprim është një sinjal politik i qartë dhe i rëndë: Europa e Bashkuar ka vendosur të ndalë mbështetjen për një model digjitalizimi publik në Shqipëri, i cili po zhvillohet pa transparencë, me tendera të AKSHIT të dyshuar seriozisht për abuzim dhe korrupsion galopant, duke sfiduar demokracinë dhe shumë larg nga llogaridhënia institucionale.
Në këtë sfond të errët, Parku Teknologjik “Durana” duhej të ishte një pikë kthese për ekonominë shqiptare, një qendër e inovacionit, teknologjisë dhe punësimit cilësor. Në vend të kësaj, Rama dhe sekti i tij ngritën një çerdhe tjetër korrupsioni, evazioni fiskal dhe abuzimi.
“Durana” është sot një tjetër shembull mjeran i projekteve “strategjike” që përfundojnë si përfitim për ata të paktë rreth Ramës dhe zhgënjim i thellë dhe i hidhur për taksapaguesit shqiptarë dhe për interesin publik të zhvillimit teknologjik të vendit.







