Në kuadër të 558-vjetorit të amëshimit të Gjergj Kastriotit, heroi ynë kombëtar, sjellim pranë publikut, në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, një dëshmi unike të historisë europiane dhe shqiptare: harten portulane te vitit 1455, te Bartolomeo Paretos, hartograf zyrtar i Papa Nikolles V.
Në këtë dokument të rrallë hartografik, me impakt në gjithë oborret e Europës dhe Azisë, emri “Scandre Beco” – Skanderbeg, shfaqet si referencë gjeografike në zemër të një Ballkani të trazuar nga trysnia osmane në rritje; një rast i jashtëzakonshëm ky që dëshmon jehonën e figurës së Skënderbeut për së gjalli dhe rolin e tij vendimtar si mburojë e qytetërimit Europian në shek. XV.
Një burim i pazëvendësueshëm për albanologjinë dhe historinë e kontinentit në kapërcyell të Mesjetës me Kohën e Re.
Ekzemplari i certifikuar dhe i dhuruar nga Biblioteca Nazionale Centrale di Roma do të jetë nga sot pjesë e pandarë e eksperiencës së vizitorëve të Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti”, në Krujë.







